Sa, 23. Mai 2009, 17:16
Popullsi shqiptare në Bullgarinë Veriperëndimore gjatë shek. XV-XVII
Padyshim gadishulli Ballkanik dallohet me një larmi të madhe etnike dhe fetare. Ky fakt shekuj me radhë ka shkaktuar probleme serioze dhe arsye për konflikte, duke përfshirë dhe kohët tona. Shpresa ynë është, që me proceset e integrimit dhe me rënien e barrierave kufitare do të mund t’i shndërrojmë burimet e problemeve në përparësi, në pasuri të një shumëllojshmërie kulturore. Për këtë qëllim është shumë e rëndësishme dhe të njihemi sa më mirë, të dimë më shumë për njëri-tjetrin, ndërsa minoritetet duhet të kthehen në një urë për bashkëpunim dhe afrim mes njerëzve. Në këtë kuptim është e nevojshme të njihemi dhe me arsyet, që kanë çuar deri në procese migrimi dhe ndryshime demografike, që ta kemi më të qartë se si grupe të mëdha apo të vogla njerëzish janë larguar nga vendet e lindjes ose nga territori i sotëm i atdheut të tyre. Si, për shembull, ka ndodhur kështu, që fise të tëra bullgare del, se kanë shkuar në tokat shqiptare, kurse në Bullgarinë Lindore edhe sot takohemi me vendbanime, që kanë popullsi me prejardhje shqiptare? Pse emrat e fshatrave shqiptarë apo të lumenjve kanë prejardhje të qartë bullgare, ndërsa pranë kryeqytetit bullgar gjatë shekujve XII-XIV, qytetit Veliko Tërnovo, kemi edhe sot emërtimin Arbanasi? Shkaqet janë të ndryshme, le të radhisim disa prej tyre. Ndodhja e bullgarëve në tokat shqiptare për shembull, lidhet me zhvendosjen e sllavëve në Ballkan gjatë shekujve të V-VII dhe formimin më të vonshëm të kombësisë bullgare, si dhe me faktin, që shteti mesjetar bullgar ka përfshirë periodikisht në kufijtë e saj një pjesë të konsiderueshme të këtyre territoreve. Rëndësi të madhe ka dhe fakti, se bullgarë dhe shqiptare kanë jetuar bashkë për periudha të gjata kohore në Perandorinë Bizantine, gjë e cila i lehtësonte proceset e migrimit. Gjatë shekullit të XIV-të sulmi i turqve osmanë në Ballkan shkakton ndryshime serioze demografike, kurse me kalimin e kohës luan rol të madh dhe fakti, se për qindvjeçarë me radhë kemi një shtet të përbashkët – Perandorinë Osmane.
Në disa emisione do të mundohemi t’ju tregojmë për popullsinë shqiptare në pjesën veriore të Bullgarisë së sotme, mes malit Ballkan dhe Danubit, në shekujt e kaluar.
Duke u nisur nga perëndimi në lindje, në fillim duhet të flasim për rajonin e qytetit Çiprovci, jo larg nga kufiri i sotëm mes Bullgarisë dhe Serbisë. Që nga Mesjeta aty është zhvilluar nxjerrja e mineraleve dhe kjo traditë ruhet në shekujt e pushtimit osman. Ka të dhëna të mjaftueshme, se gjatë shekujve XIV-XV në Çiprovci dhe në fshatrat përreth, sidomos në Kopilovci, shfaqet popullsi shqiptare, e cila ushtron këtë zanat – nxjerrje dhe përpunim metalesh. Vendosja në këtë rajon veriperëndimor bullgar i takon një procesi të vazhdueshëm migrimi. Dihet, që nga shekulli i XIV fillon lëvizja e shqiptarëve – katolikë nga Dukagjini dhe Dibra drejt Kosovës dhe shndërrimi i tyre nga blegtorë në përpunues metalesh dhe mineralesh. Ka të dhëna, se migrimi i këtyre minatorëve vazhdon dhe drejt fshatit Kratovë në Maqedoninë e sotme /ku mes shekujve të XV dhe të XVII ka një koloni jo të madhe shqiptarësh katolikë/, por dhe drejt Bullgarisë veriperëndimore. Më vonë vetë pushteti osman mundohet të rindërtojë dhe të përpunojë deri në fund zbulimet rreth Çiprovcit dhe ka mundësi të ketë zhvendosur atje një pjesë të kësaj popullsie shqiptare. Në një dokument shkruhet: “Fshati ynë ndodhet në një vend guror, në të vërtetë nuk ka tokë të punueshme dhe vetëm për shkak të minierave popullsia është vendosur këtu. Shërbëtorët e vjetër në vendbanimin tonë janë pak, pjesa më e madhe ka ardhur nga diku tjetër”.
Nga fundi i shekullit të XV dhe sidomos gjatë shekullit të XVI dhe XVII tashmë kemi prova të qarta, se në këto toka traditat e vjetra janë rivendosur dhe nxjerrja e mineraleve dhe përpunimi i metaleve po japin të ardhura akoma e më të mëdha. Të padiskutueshme janë të dhënat, se këtu është një nga vendet e pakta në tokat bullgare, ku popullsi beson në fenë katolike dhe pikërisht në Kopilovci gjatë vitit 1612 është shenjtëruar një kishë e re katolike. Përsëri aty është ndërtuar manastiri i vogël françeskan “Shën Pjetër dhe Shën Pavel”.
Ekzistojnë gjithashtu një radhë informacionesh, që provojnë se këtu ka pasur popullsi shqiptare dhe sidomos në fshatin Kopilovci. Në regjistrat e financave osmane takohen emra tipik shqiptarë si Gjon apo Leka, kurse gjatë vitit 1626 i pari ishte kryepeshkopi i Tivarit, Pietro Mazareki, i cili u shpreh, se një pjesë e katolikëve bullgarë janë shqiptarë. Gjatë vitit 1640 bullgari – katolik nga Çiprovci Petër Bogdan Bakshiç i shkruan Vatikanit, se një pjesë e madhe e popullsisë së Kopilovcit ka prejardhje shqiptare – katolike, sepse kanë ardhur shumë kohë më parë nga Shqipëria dhe bile deri tani e ruajnë këtë gjuhë, por po fillojnë të luten dhe në gjuhën sllave. Përsëri ai me vonë disa herë jep informacion për asimilimin gradual gjuhësor dhe kulturor të popullsisë shqiptare, më shumë me anë të martesave të përziera.
Për më shumë se një shekull në tokat bullgare nuk ka prova serioze për t’iu kundërvënë pushtetit osman. Kushte për kryengritjen e parë më serioze krijohen në fund të shekullit të XVII, gjatë luftës mes Turqisë dhe Ligës së shenjtë, ku përfshihej Austria, Venecia, Polonia, Vatikani dhe Rusia. Hyrja e ushtrisë austriake në tokat serbe lëviz gurët dhe gjatë vitit 1688 në rajonin e Çiprovcit shpërthen kryengritja anti osmane. Jo mirë e organizuar, e zhvilluar stuhishëm dhe me karakter lokal, ajo u shtyp shpejt dhe pa mëshirë. Në urdhrin e kadisë në qytetin e afërt Berkovica nga viti 1699 lexojmë, se rajaja e Çiprovcit, si rrjedhojë e mosbindjes dhe e kryengritjes, është shkatërruar. Në një dokument tjetër për këto ngjarje nga fillimi i shekullit të XVIII fjalë për fjalë shkruhet: “Bullgarët dhe shqiptarët në vendbanimet e njohura Çiprovci, Kopilovci, Zhelezna dhe Klisura dhe në qytete të tjera të afërta morën armët... Bullgarët dhe shqiptarët u shtypën nga ushtria e fortë turke, shumë u shpartalluan, te tjerë u morën peng.” Pikërisht atëherë rreth 2/3 e popullsisë emigroi në veri të Danubit dhe u vendos në shumë vendbanime të pjesës perëndimore të Rumanisë së sotme, atëherë të ndodhur nën pushtetin austriak. Procesi i filluar i asimilimit të popullsisë shqiptare nga Çiprovci thellohet në kushtet e emigrimit, megjithëse akoma për një kohë të konsiderueshme ruhet kujtimi për prejardhjen e tyre. Informacione për këtë gjejmë për shembull në një dokument zyrtar të perandorit austriak Karl VI. Bëhet fjalë për faktin, se popullsia katolike e emigruar pas kryengritjes pritet mirë nga pushteti dhe fiton disa privilegje. Në këtë dokument të perandorit austriak përcaktohet, se fshati Bradiçen në Vllahinë Perëndimore është shqiptar. Me sa duket pikërisht atje janë vendosur emigrantët nga Kopilovci, kolonia më e madhe shqiptare në atë kohë në Bullgari. Të dhëna për popullsi të përzier me prejardhje bullgaro-shqiptare gjatë kësaj periudhe, në fillim të shekullit të XVIII, ka dhe në qytetin e Transilvanisë Alvinc. Mirëpo gradualisht ky kujtim zbehet dhe në dokumentet e gjetura më vonë mbiemrat janë krejtësisht bullgarë.
Kështu në të vërtetë mbaron dhe ekzistenca e popullsisë shqiptare në këtë rajon të Bullgarisë Veriperëndimore gjatë shekujve XV-XVII. Pas kryengritjes dhe shtypjes mizore të saj, rajoni i Çiprovcit ka mbetur i shkretë për një kohë të gjatë, e më pas i mbushur me popullsi bullgare. Klisura nuk arrin të rimëkëmbet, por Çiprovci, Kopilovci dhe Zhelezna ekzistojnë edhe sot. Aty ruhet kujtimi për kryengritjen e vitit 1688 dhe kurrë nuk duhet të harrojmë, se në të krah për krah kundër pushtimit të huaj luftuan bullgarë dhe shqiptarë.
Autor: Bobi Bobev
Përgatiti në shqip: Eris Karagjozi
Qeshu rini, qeshu! Bota asht e jote!