Fr, 11. Jan 2008, 13:54
Dardhës dhe ajrit të saj të pastër, i shtohen pista e skive dhe teleferiku
Qyteti juglindor mësoi së fundmi lajmin se në fshatin turistik të Dardhës, koncerni austriak "Strabag" do fillojë punimet për ndërtimin e ski-pistës dhe të teleferikut.
Nga viti 1937, ishte pritur ky sihariq, që kur Maxhide Zogu, Patronesha dhe Kryetarja e Naltë e Turizmit, shprehte kënaqësinë që Dardha po bënte hapa përpara drejt turizmit.
Lajmi u komunikua nga prefektja e Qarkut Korçë Prof. Dr. Elfrida Zefi. Ajo rrëfen se një rrugë e nisur disa vjet më parë, Korçë-Dardhë, kishte mbetur në mes. Asnjëherë fondet nuk kishin qenë të plota, ndonëse rruga deri në këtë fshat nuk zgjaste më shumë se 20 km, për të mos përmendur aksin lidhës Korçë-Plloçë, e cila do ta bënte më të këndshëm udhëtimin e vizitorëve drejt Korçës e më pas drejt Dardhës.
"Korça kishte mbetur një ishull i izoluar, e largët nga qytetet e tjera të vendit", vazhdon bisedën e saj prefektja Zefi, edhe pse ishte folur me patetizëm se e ardhmja e këtij rajoni i përkiste agroturizmit.
Ndërsa në vijim të bisedës së saj Zefi vë në dukje faktin se Dr. Th. Zhushiti, në 12 qershor 1938, midis të tjerash ka shkruar, se "kilima e Dardhës është e përshtashme për sëmundjet e lëkurës dhe konstipacioni, etj".
Koncerni Austriak "Strabag"
Më tej, në bisedë, prefektja tregon se, "në vitin 2006, pas 70 vjetëve, ishte shfaqur Koncerni austriak 'Strabag' që do të investonte mbi 400.000 euro për ndërtimin e teleferikut dhe të pistës së skive, ngjarje qe u ndoq me kërshëri dhe dyshim nga banorët, për shkak se u vendosën disa kushte që duhet të plotësohen nga qeveria".
Për këtë arsye në një konferencë shtypi ajo kishte deklaruar se nga qeveria shqiptare ishin përmbushur të gjitha detyrimet, me përkujdesen e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Kushtet tashmë janë të plotësuara dhe kërkesa e fundit që iu dorëzua Ministrisë së Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve dhe harta topografike u hartua nga specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Zefit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, dega Korçë përpiloi relacionin e përgjithshëm mbi ndërtimin gjeologjik të zonës Dardhë-Arrëz, dhe në të njëjtën kohë u hartua planvendosja në shkallën 1:10.000, ndërsa për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Korçë-Dardhë, për segmentin e mbetur prej 3.5 km, u çel një fond prej 40 milionë lekë.
Institucioni i Prefektit do të ngrejë një grup pune të përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme, por edhe drejtues të shoqërisë dardhare "Shpresa", ku midis të tjerëve do të jetë Niko Balli, Kryetar i shoqatës "Shpresa" në Korçë ,por edhe Niko Korçari, si një nga intelektualët e këtij fshati.
Punimet që do të fillojnë këto ditë do të përfundojnë në muajin tetor, me qëllim që ski-pista dhe teleferiku të jenë në funksionim gjatë dimirit të këtij viti.
Pista e skive do të ketë një gjatësi prej 1.400 metra, me gjerësi 40 metra dhe me një pjerrësi mesatare 29 për qind.
Rezultatet pas investimit
Më tej prefektja Zefi jep opinionin e saj se si mund të jetë dardha pas këtij investimi madhor.
"Kuptohet, thotë ajo, gjithçka do të jetë krejt ndryshe nga çka qenë, do ta shohim ashtu siç e kemi ëndërruar. Dëshiroj t'u them diçka. Dardha nuk ka qenë vetëm ëndërr e banorëve të rajonit Korçë, por shumë me gjerë se kaq. Për çlodhje mendore e trupore, për anemikë dhe limfatikë, për ata që dëshirojnë të bëjnë kurë stomaku, të mëlçisë së zezë, të arthritizmës dhe të reumatizmës, për konvalesencë të plotë ndaj sëmundjeve të kaluara, për ata që dëshirojnë të purifikojnë mushkëritë, gjakun dhe gjithë organet e trupit me ajrin e freskët plot oksigjen të këtij katundi", thotë prefektja, duke vazhduar se dardharët gjithnjë kishin menduar se do të vinte një ditë që ta shihnin siç e kishin ëndërruar, por me sa duket, duhej të kalonin më shumë se 70 vjet.
Duket qartë se pas vitit 2005, ngjarjet rrodhën ndryshe, në të mirë të Dardhës.
Përfaqësuesit më të lartë të Koncernit austriak "Strabag", në datat 19-20 shtator 2006 vizituan Tiranën, ku u zhvilluan bisedime me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, për projekte të tilla të rëndësishme që do t'i shërbenin zhvillimit të turizmit. Pas takimeve të zhvilluara, Koncerni austriak "Strabag" iu përgjigj pozitivisht kërkesës së MTKRS, për të ndërtuar ski-pistën dhe teleferikun, ndërsa nga data 30 tetor deri në 1 nëntor, grupi i ekspertëve austriakë u njoh nga afër me fshatin turistik të Dardhës dhe gjithçka rrodhi në drejtimin e duhur. "Pra dëshiroj të them se që në çastin e parë, ky projekt ka pasur mbështetjen e qeverisë demokratike. Për të gjitha këto arsye tashmë Dardhën e mendoj në rrugën e saj të vërtetë", deklaron Zefi.
Dardharët e meritojnë...
Dardharët që gjithnjë e kanë ditur se çfarë vlerash mbart fshati i tyre, kanë qenë njerëz që emigruan, kanë parë vende dhe vise të tjera, por që Dardha nuk i ka zhgënjyer në asnjë rast.
Në rrëfimin e saj prefektja tregon se ata gjithnjë janë përkujdesur për fshatin e tyre, ashtu siç treguan një kujdes të veçantë shoqëria dardhare "Shpresa", shoqëria "Bashkimi" në Bukuresht, dhe vëllazërinë "Bleta" në Boston të Amerikës. Ata e dinin shumë mirë që djemtë e tyre të emigruar në SHBA dhe gjetkë do të ktheheshin përsëri aty, në rast se në Dardhë do të investohej, sepse dardharët janë të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre.
Mosinvestimi në këtë fshat, ishte një lëngatë e vërtetë për dardharët, sepse në të gjitha kohërat ata kanë pritur vizitorë, në verë dhe në dimër. Kanë shkuar aty nga Greqia, Amerika, Spanja, Kosova dhe vende të tjera të botës.
Ka qenë ish-ambasadori amerikan, Limpreht, ish ambasadori i BE-së Elio Germano, ish-ambasadori grek, Iliopulos dhe mjaft njerëz të tjerë të mirënjohur, por Dardharët gjithnjë konstatonin se Dardha nuk ishte ajo që kishin dëshiruar në të vërtetë.
Gjatë gjithë kohës kanë qenë të interesuar, nëse po përmbusheshin detyrimet nga qeveria apo jo, nëse do të vinin austriakët apo do të tërhiqeshin nga projekti i tyre. Tashmë kjo dilemë ka marrë fund. Në muajin tetor resorti dimëror do të jetë i përfunduar. Nëse Dardhës nuk i kanë munguar asnjëherë vizitorët, me përfundimin e këtij projekti, numri i vizitorëve do të jetë edhe më i madh.
"Mundësitë e zhvillimit të turizmit familjar do të jenë reale. Investimet e vitit 2006, por edhe të vitit në vijim mjaft prej projekteve kanë ndihmuar në zhvillimin e turizmit. Kështu mund të them se është miratuar një fond prej 87.430.000 lekë për rrugët në Korçë", ka përfunduar Zefi.