So, 26. Okt 2014, 19:02
Shqipëria, premtuese për turizmin
3 milionë turistë, sipas Organizatës Botërore të Turizmit, kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2014, duke shënuar një rritje me rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Por, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, Taleb Rifai, si një vend me bukuri natyrore, historike e kulturore të pazbuluara ende, Shqipëria zotëron të gjithë potencialin për të rritur këtë numër turistësh.
“Shqipëria është padyshim një nga destinacionet turistike më premtuese, jo vetëm në Europë, por në botë. Nuk është ende një vend i pushtuar, por një hapësirë e lirë në hartën botërore të turizmit. Pra e ardhmja e Shqipërisë duhet të jetë e lidhur më mirë me të ardhmen e rritjes së turizmit, për një zhvillimin social, ekonomik dhe mjedisor”, tha Taleb Rifai.
Sezonaliteti në turizëm, që për shumë vende është një problem i tejkaluar prej kohësh, në Shqipëri vazhdon të përqendrojë investimet dhe punësimin në tre muaj, duke krijuar më pas një periudhë vakuumi me largimin e stinës së nxehtë. Për zotin Rifai, Shqipëria zotëron recetën për të ofruar turizëm përgjatë gjithë vitit, përmes kombinimit befasues të maleve dhe detit, trashëgimisë kulturore dhe historike.
“Është një vend me produkte natyrore kaq të diversifikuara, nga malet te deti, pylli, lumenjtë dhe kjo është ekzaktësisht receta më e mirë për të menaxhuar sezonalitetin! Kështu, ju mund të shkoni në një vend, në një sezon, dhe në një vend tjetër, në një sezon tjetër, e të bashkoni 2 eksperiencat. Krahas diversitetit natyror, Shqipëria është e pasur me histori, prej së cilës ju mund të krijoni kaq shumë copëza historish. Pse të mos besojmë se, të qëndrosh në një shezlong, mbuluar me batanije, përgjatë bregut të liqenit të Ohrit apo në bregun e detit, është një eksperiencë e veçantë shpirtërore, për shkak të historisë apo historive që kanë ndodhur aty”, tha Taleb Rifai, Sekretar i Përgjithshëm i UNWTO.
Për shndërrimin e Shqipërisë në destinacion turistik gjithëvjetor, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, nevojitet mbështetja e qeverisë dhe më shumë bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat. / Top Channel
Gjat Dhejtorit besoj se do te vijn prap me shum Turista edhe shkaku i Festivalit te Kenges ne Tirane. Ashtu edhe Festat e fundvitit si dhe kremtimi i 28.Nentorit.