
Papa Kristo Negovani
Në historinë e një populli ka disa data, vite dhe dekada e shekuj, të cilat shënojnë përvjetorët e personaliteteve, institucioneve dhe ngjarjeve të caktuara kombëtare, por në historinë e popullit historik shqiptar, janë disa personalitete, institucione dhe ngjarje emrat e të cilëve nuk identifikohen me përvjetorë. Përkundrazi, ato janë simbole, emrat e të cilëve janë referenca të përherëshme kombëtare, pavarësisht kohës kur kujtohen ato dhe pavarësisht momentit kur duam t’i identifikojmë. Papa Krizto Ngovani është njëri prej atyre simboleve emri dhe veprta e të cilit i bashkon të gjitha vlerat kombëtare si një, madje si dje, si sot, si nesër.Papa Kristo Negovani (Harallambi) (1875-1905), lindi në Negovan të Kolonjës, në anën lindore të Gramozit, sot në Greqi.
Arsimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Athinë. Fillimisht shërbeu si prift e mësues në gjuhën greke, ndërsa në vitin 1894 mërgoi në Brailë të Rumanisë, ku krahas punës si zdrukthëtarë u aktivizua në shoqëritë shqiptare “Drita”, “Dituria” e “Djalërua shqiptare”.Më 1987 u kthye në vendlindje me një qëllim të madh. Të angazhohej në lëvrimin e gjuhës shqipe, në hapjen e shkollave shqipe dhe madje ligjërimin e saj edhe në kishë dhe të punonte drejtpërdrejtë në misionin e madh që kryente Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe pasardhësit e saj. Kthimin e tij në vendlindje Papa Kristo Negovani tashmë nuk e shihte si heqje dorë nga puna mes bashkatdhetarësh patriotë në Rumani, por e shihte si një mision për të dërguar në atdhe vlert dhe virtytet e Rilindjes Kombëtare, që pas shtypjes nga hierarkia shtetërore osmane po rrezikoheshin të shkileshin edhe nga pretendimet shoviniste të fqinjëve grekë e serbë. Sigurisht kjo është arsyeja pse në vendlindje nuk do të sjell gjilpëra, gozhda e qekanë (mjetet e punës së marangozit), po libra, lapsa e fletore (mjetet e punës së mësuesit) dhe sigurisht kjo është arsyeja pse në shtëpi nuk do të hap duqanin e punës po mësonjëtoren e shkollës shqipe. Kjo është arsyeja pse Papa Kristo Negovani, në vendlindjen e tij, nga Rumania solli disa nga veprat e rilindësve shqiptarë për shkollat shqipe, të cilat tashmë i kishin botuar. Krahas shkollës Papa Kristo Negovani në vendlindjen e tij dhe në rrethinë do të përhapë ato ide kombëtare që e shquanin identitetin kombëtar përtej identitetit fetar; identitetin gjuhësor përtej identitetit teologjik, virtytin e marrësit (shqiptarët) përtej kultitit të dhënësit (priftërinjtë kryesisht grekë, apo që ligjëronin liturgjinë vetëm në gjuhën greke); adhrimin e “atdheut të përkohshëm” (Shqipërisë) që po përlindej pas shumë shekujsh, përtej adhurimit të atdheut të përhershëm (Botës së përtejme), të cilën e predikonin bashkëkohësit e tij barinj, e të tjera e të tjera.Kjo është arsyeja pse, sipas kronistëve të kohës Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905 organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe, duke e pasur të pranishëm edhe peshkopin e Kosturit, Kravangjelis. I ndezur nga dogmatizmit fetar i kohës dhe lëvizjes shoviniste greke, Peshkopi i Kosturit nxiti disa banditë, të cilët vetëm dy ditë më vonë, 12 shkurt 1905 e masakruan në mes të fshatit bashkë me të vëllanë dhe tre bashkëfshatarë të tjerë. Mirëpo Papa Kristo Negovani, tashmë nuk ishte as vetëm marangozi i djeshëm, as vetëm prifti i fshatit që bekonte adhurimin për zotin, as vetëm mësuesi i gjuhës shqipe që po ringjallej nga hiri i saj, as vetëm patrioti i zonës që shpërndante fjalët e rilindësve në vend të fjalëve të të dërguarve të zotit. Negovani ishte më shumë se kaq, ishte patrioti i kthyer në simbol të Atdheut, Kombit dhe Gjuhës së tij. Një shenjë historike që mbante gjallë lëvizjen kombëtare të kohës, një personalitet vrasja e të cilit preku përvajshëm gjithë kombin shqiptarë, e veçanërisht djalërinë kryengritës shqiptare, e cila në këto kohë të vështira, në kapërcyllë të shekullit XX, i kishte marrë fatet e Atdheut në duartë e saja.Vrasja e tij zëgjoi zemërimin e krijuesve, prej të cilëve edhe sot kujtohen vargjet antologjike: “Fëmia, e tu jân prozët e vjershat në giuh kombetare”; zemërimin e bardit popullor prej të cilit janë ruajtur vargjet emblematike:Papa Kriston e vranë / dhe s’ra për të një kambanë...”!; - reagimin gjithpopullor dhe propozimin më të veçantë në historinë kombëtare, me të cilën ata kërkonin që ditëlindja e tij të bëhej festë kombëtare; dhe më në fund, reagimin e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare të kohës, sikur ishte ai i luftëtarit Bajo Topulli, sipas të cilëve “gjaku i Papa Kristo Negovanit duhej të merrej me nder e për fitim të gjithë kombit”, prandaj edhe e morën në njëvjetorin e vrasjes së tij, duke e vrarë Dhespotin e Korçës. Të nderuar Zonja dhe ZotrinjëZërave të një shekulli më parë, viteve të fundit i jami bashkuar edhe në Universitetin e Prishtinës.* * * Papa Kristo Negovani është njëri prej atyre personaliteteve historike emri i të cilit është bërë shenjë e të kaluarës sonë krenare dhe referencë individuale e kolektive, e cila më shumë se ngjarje a personalitet historik, është bërë simbol universal i kujtesës sonë shpirtërore e materiale. Me emrin e tij, me gjuhën shqipe që predikonte ne faltore, me bëmat e tij jetësore, në të vërtetë me jetën dhe vdekjen e tij, me veprat e tij letrare, kulturore, iluministe, etnografike dhe teologjike, me emrin e tij dhe madje me shquarsinë e titullit fetar të tij Papa Kristo, si edhe Hoxha Tahsini, apo Gjergj Fisha, para titujve të të cilëve u gjunjëzua edhe drejtshkrimi i gjuhes shqipe, si pak emra të tjerë në historinë tonë, bashkojnë të gjitha virtytet etnohistorike dhe gjuhësore e qytetëruese të popullit shqiptar.Të nderuar Zonja dhe ZotrinjDëshiroj të ju njoftoj se, të nxitur nga një traditë e gjatë letrare dhe artistike në Universitetin e Prishtinës dhe nga dëshira që ajo të ringjallet edhe njëherë, në Fakultetin e Edukimit vendosëm që bashkë me disa kolegë dhe studentë, që të themelojmë një grup letrar, me qëllim të krijimit të hapësirave të reja për aktivitetet e tyre. Le të shpresojmë se me këtë qerthull krijuesish kemi plotësuar disa nga ëndërrat rinore të studentëve krijues.Në këtë grup tashmë janë angazhuar mjaft studentë dhe mësimdhënës, ndërsa pjesë të po këtij qerthulli i konsiderojmë edhe krijuesit jashtë Fakultetit tonë dhe Universitetit, të cilët interesimin tonë e kanë përkrahur jo vetëm me krijimet e tyre që i lexojnë po edhe me veprat autoriale që do të shpërndajnë në mesin tonë.Te nderuar kolegë, besoj se synimet tona largvajtëse në grupin letrar i kemi shprehur edhe me pagëzimin e tij me emrin e rilindësit dhe atdhetarit të shquar të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX Papa Kristo Negovanit. Një emër tjetër zor se do ta nderonte më shumë, një institucion që për synim ka përgatitjen e mësuesit bashkëkohor dhe me vetëdije historike njëkohësisht. Pagëzimi i grupit letrar me emrin e Papa Kristo Negovanit shpresoj të jetë një mesazh i qartë kulturor dhe atdhetar njëkohësisht. Ai ishte kleriku dhe patrioti që me punën e tij rrezatonte besim dhe dije, arsim dhe kulturë, guxim qytetar dhe krenari kombëtare.Le të jetë prandaj ky emër një mesazh që del nga Universiteti ynë, për të gjithë ata që viteve të fundit angazhohen shumë për konceptet krahinore në jetën tonë kulturore, që punojnë shumë për tkurrjen e historisë kombëtare, që kufijtë e gjuhës shqipe i caktojnë deri në fund të krahinës sy stërgjyshit të tyre, që hapësirën etnografike shqiptare ia mbindërtojnë hapësirës së popullit modern shqiptare, që ditën dhe natën rindërtojnë me shumë pasion muret gjuhësore, kulturore dhe madje historike nga njëri dialekt (tosk) te tjetri (gegë) dhe madje te i ashtuquajturi dialekt kosovar dhe nga njëri besim (mysliman), te tjetri (katolik) për t’ia vënë pikën atij ortodoks. Le të bëhet prandaj martiri i gjuhës dhe shkollës shqipe Papa Kristo Negovani refuzimi ynë i madh kundër gjithë atyre që në çfarëdo mënyre përmbysin konceptet kombëtare të shkollës dhe kulturës e historisë kombëtare dhe një thirrje e fuqishme që shkollën nacionale ta ndërtojmë mbi konceptet e rilindasëve si Papa Kristo Negovani, të cilët për gjuhën dhe shkollën shqipe punuan dhe menduan shqiptarisht.Le të jetë Papa Kristo Negovani edhe sot Ylli Polar i ruajtjes së unitetit tonë gjithëkombëtar, në prag të hyrjes së gjithë shqiptarëve në Bashkimin Europian. Prishtinë, 5 shtator 2011
Begzad BALIU