So, 23. Jul 2006, 8:31
Një rrugë e Vlorës mori emrin"Rruga e Hebrenjëve"
Data e Publikimit: 18/07/2006
Autori i Lajmit:
Marieta Merkuri - Reportazh nga Vlora
Një rikthim i magjishëm pas 40 vjetësh
Si rrallë ndonjëherë , në rrugicën e shkëputur të lagjes "Muradie" që zyrtarisht merr emrin "Rruga e Hebrenjve " Dr. Ana Kohen i ka mbledhur të gjithë.
Demokratë dhe socialistë, pushtetarë lokalë dhe qëndrorë, miq , të afërm, qytetarë të thjeshtë vlonjatë , intelektualë dhe shokë shkolle.
Ndodhen të gjithë rreth saj, për të gëzuar së bashku me të në këtë ditë të shënuar e cila nis edhe hapin e parë të realizimit të ëndrrave të saj shumë vjeçare.
Provon emocione të veçanta mes njerëzve, mes kujtimeve dhe zëri i dridhet teksa u uron të gjithëve pjesëmarrjen në këtë ditë të bukur.
"Pllakata me 50 emrat e hebrenjve të kësaj rrugice të vogël, flet më shumë se gjithçka tjetër . Në këtë pllakatë janë kujtimet tona dhe kushdo që do të vizitoj këtë rrugicë do të lumturohet , pasi do të prek një kujtim nga jeta e tij, është shprehur Ana para të gjithë të pranishmëve në rrugicën e çifutëve.
Në krah të saj ndodhet Astro, e vetmja izraelite e cila jeton në Krujë , Ministri i Kulturës Bujar Leskaj i cili mbështet inisiativën e saj që kjo rrugicë të shpallet Monument Kulture, Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli , kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i cili do të dorëzojë titullin "Qytetare nderi e Vlorës". Ajo ndjehet e emocionuar por njëkohësisht dhe mjaft e gëzuar .
"Rruga e hebrenjve "i mblodhi të gjithë së bashku dhe kjo ishte ajo që e gëzonte pa masë atë mëngjes të bukur korriku .
Realizimi i një ëndërre
Pak minuta pas orës 21.00 të 11 korrikut , pas një udhëtimi prej 20 minutash në rrugën gjarpëroshe të Rradhimës, në recepsionin e Hotelit "Paradise beach "
që unë kohë më parë në një prej reportazheve e kam quajtur "Strehëza e politikanëve", doktoreshë Ana Kohen dukej e shqetësuar.Qëndronte në këmbë pa lëvizur , mbështetur në tavolinën kryesore të recepsionit të hotelit dhe ne, që hymë papritur, kuptuam se diçka e shqetësonte.
"Nuk kam kryer të gjitha ftesat .Më duhet t’i lajmëroj të gjithë pasi kam shumë mall"…Ishin pikërisht këto fjalët e para të saj, pas prezantimit të ngrohtë mes nesh dhe mesa duket ishin pikërisht "ftesat" shkaku i shqetësimit të saj.
Ndërkohë, në këtë orë jo të vonët vere, lokali ka nisur të gjallërohet dhe në tërë tryezat e saj sipër tapetit ngjyrë bari, të pranishmit pijnë një gotë verë.
"Më pëlqen të vi shpesh në Vlorë , kam mall për të "kështu e ka nisur bisedën e saj të ngrohtë doktoreshë Ana, teksa nis të kujtoj pa humbur kohë me shoqen e saj të ngushtë Celën, e cila ndodhet pranë në këtë tryezë të rrumbullakët , gjithçka në lidhje me këtë qytet, gjithë kujtimet e saj.
Kujtime të shkollës fillore , të shkollës së mesme të cilat ajo i ruan me shumë kujdes në kujtesën e saj."A të kujtohet? A të kujtohet kjo ? Po kjo?
I drejtoheshin shpesh njëra tjetrës ndërsa ne, së bashku me Markun , bashkëshortin e saj i cili kuptonte vetëm ritmin e plastikës së fytyrave të tyre të qeshura , ndiqnim me kënaqësi kujtimet e tyre.
-"Kam ikur e re , shumë e re dhe lashë pas mjaft kujtime të bukura të cilat kurrrë nuk i kam harruar.Ka qenë viti 1966 atëherë , unë studente në vitin e dytë të Fakultetit të Stomatologjisë, ndërsa u larguam përfundimisht me familjen për të qëndruar për një kohë të gjatë në Athinë ku përfundova edhe studimet.
Qëndrimi im në Greqi nuk zgjati më shumë se katër vjet dhe përsëri së bashku me motrën time Alikin dhe prindërit e mi largohemi përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje kam rinisur studimet e mia, ka vazhduar në fjalën e saj Ana, ndërsa shpesh trokisnim gotat e verës në atë mbrëmje të bukur, buzë detit të Rradhimës.
"Në fund të fundit kjo është jeta, me sakrificat dhe kënaqësitë e saj , vazhdon Ana, ndërsa tregon se ishte pikërisht vitit 1989 kur ajo kreu vizitën e parë në Shqipëri. "Ka qenë verë atëherë, viti 1989 dhe e ndjeja veten paksa të dobët kur pas shumë, shumë vitesh, do të shihja përsëri shtëpizën time ku u rrita dhe kalova moshën më të bukur të jetës, rininë. Ishte një emocion i papërballueshëm teksa kaloja në rrugët kur 30 vjet më parë i kisha shkelur me shkujdesjen e një të reje. Ishte një emocion i veçantë dhe i patregueshëm teksa prekja muret e rrugicës sime, shtëpizën time ku gjithë kujtimet e mia ishin aty, në atë vend që asokohe quhej "rrugica e çifutëve". Ai vit ka qenë mjaft i veçantë për mua dhe prej atëherë unë nuk munda më të shkëputem nga Vlora ime , nga njerëzit e mi , nga kujtimet e mia të çmuara.
Pas 40 vjetësh
Sot, pas 40 vjet diçka duhej për të kujtuar atë jetë ku ajo ishte rritur.
Formula ishte një:një shëtitje, takimet me njerëzit e saj për të cilët kishte mall dhe ceremonia e inagurimit të një pllakate në nder dhe respekt të familjeve hebre që kaluan një pjesë të jetës së tyre në këtë rrugicë të vogël të lagjes "Muradie" .
"Kisha kohë që mendoja për këtë projekt por, nuk e dija se kur do të realizoja. Nisma ishte e shkëlqyer dhe menjëherë nisa punën. Në atë rrugicë jetuan 50 hebrenj dhe emrat e tyre janë të vendosur në atë pllakatë e cila është inaguruar më datën 14 korrik. Më duheshin emrat e saktë të pjesëtarëve të asaj rrugice të vogël dhe kjo ishte e vështirë pasi ishim mësuar që të flisnim me përkëdheli njëri- tjetrit dhe për emrat e vërtetë, ishte paksa e vështirë.Më kujtohet se më duhej kohë të merresha me këtë punë ndërsa të gjithë të afërmit e mi pasi morën vesh për këtë nismë të bukur, kontribuan të gjithë në investimin e kësaj pllakate në nder të gjithë familjeve hebre, që kanë jetuar në këtë rrugicë të vogël dhe të shkëputur të lagjes "Muradie"prandaj dhe në fund ë kësaj pllakate është cituar "Nga Familja Kohen "
Projektet e së ardhmes
Kjo rrugicë e vogël që siç e quanim atëherë "rruga e çifutëve" ka histori dhe unë dua që kjo histori të jetojë dhe të mos vdes kurrë , vazhdonte të tregonte për ne Ana, atë mbrëmje të bukur buzë detit ndërsa kujtonte me nostalgji për punën madhështore që bënin familjet çifute aty. Dikush kishte prodhimin e shamive, dikush tjetër rrobaqebësi ndërsa prindërit e mi merreshin me ngjyrosjen. Do të ishte bukur që kjo rrugicë të ruante të njëjtat vlera, si dikur,por unë e shoh të shkatërruar dhe mërzitem për këtë.
Provova emocione të veçanta kur hyra në shtëpinë time ku kalova 20 vjet të jetës sime. Kërkoja të gjeja dhomën time, por ajo ishte e prishur e gjitha dhe ...sa shumë jam mërzitur atë mbrëmje . Çdo dhomë tjetër mund të prishej, do e pranoja, por ajo , vetëm ajo, jo. Sa shumë kujtime ruaja në të. E pra , vazhdon Ana mendueshëm, është kjo dhomë tashmë e shkatërruar të cilën dua ta restauroj. Në të dua të bëj një muze të vogël historik, në të cilën dua të mbledh gjithë historinë e 50 hebrenjve që kanë jetuar në këtë vend për shumë kohë.Dhe kjo do të bëhet shumë shpejt sepse dua që të gjithë vizitorët hebrenj që kanë jetuar në këtë rrugicë të vinë dhe të mos shohin një rrugë të shkatërruar por diçka të bukur, ku kujtimet dhe nostalgjia e tyre të përkëdhelen ëmbëlsh me kohën .
Edhe pse e lodhur nga një ditë e ngarkuar me mjaft takime Ana nuk reshte së treguari ndërsa priste me padurim ditën e inagurimit të pllakatës e cila në fund të saj kishte emrin "Familja Kohen".
"Do të jem shumë e lumtur atë ditë, vazhdon Ana edhe pse ora ka kaluar 12.00, jo vetëm për faktin që Kryetari i Bashkisë së Vlorës do të më dorëzojë titullin"qytetare nderi e Vlorës "por do të takojë mjaft miq të mi të cilët kam një kohë shumë të gjatë pa i parë , miq të cilët jetojnë apo jo. Kam shume emra në mendje dhe kam dëshirë t’i shoh të gjithë .
Anullën , Astron, Spiron, Jorgon, Kristaqin, Katerinën, Kastriotin e shumë e shumë të tjerë .
Data 14 korrik do të jetë një ditë e paharruar në jetën time,dita e lumturisë, ka përfunduar bisedën e saj shumë orëshe Ana, atë mbrëmje të bukur buzë detit të Rradhimës ndërsa u larguam të gjithë së bashku për t’u takuar mëngjesin e 14 korrikut , ditën e dorëzimit të titullit "Qytetare nderi" të Vlorës, dita ku gjithçka do të fliste vet.
Ceremonia"Qytetare Nderi e Vlorës"
Fjala e Dr. Ana Kohen mbajtur në mjediset e Teatrit "Petro Marko" të Vlorës me rastin e dorëzimit të dekoratës "Qytetare nderi e Vlorës"
Jam shumë e emocionuar dhe njëherësh e gëzuar për nderin që më bëni duke më dhënë dekoratën "Qytetare nderi e qytetit të Vlorës"
Unëkam pasur fatin e mirë që në këtë qytet me bukuri të rralla të natyrës dhe me njerëz bujarë e mikpritës , të kaloj një pjesë të jetës sime së bashku me familjen.
Në Vlorë ne gjetëm mbështetje dhe shoqëri të paharruar, duke kapërcyer në këtë mënyrë vështirësitë social ekonomike të atyre kohëve. Historiografia ka dëshmuar më së miri se hebrenjtë nuk mbetën kalimtarë të rastit nëpër gadishullin e Ballkanit , por banorë në disa treva të tij, ku ata zunë vend qysh në shekujt XIV-XV të Mesjetës.
Me këtë rast , duke ju referuar historisë, dëshiroj të vë në dukje ndihmën e guximshme që na dhanë familjet vlonjate dhe të fshatrave përreth në Kohen e Luftës së Dytë Botërore, kur ne kërcënoheshim nga nazizmi.
Miqësinë e sinqertë që na u ofrua , na bëri të mos e ndjenim veten të huaj.
Përjetimet e rralla të këtyre ngjarjeve historike kanë ardhur deri në ditët tona përmes shumë studimeve e shkrimeve dhe janë lënda e një drame të madhe.
Pjesë ë saj , unë jam sot këtu për të dëshmuar ndër të tjera se, zanafilla e këtij devocioni e përkushtim është ndjenja e humanizmit që i bën popujt ta mirëkuptojnë njëri-tjetrin.
Dita e sotme më sjell ndër mendje pjesë nga jeta ime, e cila ëshët e mbushur me kujtime.Unë jetova në këtë qytet , u rrita dhe u shkollova mes shokëve dhe shoqeve, krijova shoqëri dhe miqësi të paharruara dhe sot i jam mirënjohëse këtij vendi për gjithë sa më dha.
Kujtimet e dhimbshme të Luftës , familja ime dhe shumë izraelitë që jetuan pranë jush, i mbuluan me ngjarjet e shënuara që kaluan dhe lidhjet miqësore që krijuan mes prindërve dhe të afërmeve tuaj.
Këto ne i ruajtëm si vlera edhe mbas largimit nga Shqipëria me 1966-ën Me të drejtën për t’u quajtur shqiptaro-izraelitë , në emër të banorëve të rrugës ku ne jetuam për aq kohën sa qëndruam në Shqipëri, unë ju transmetoj mirënjohjen e këtyre familjeve izraelite për nderin që po ju bëni.Kjo rrugë është pjesë e jetës sonë dhe e historisë së përbashkët mes nesh.Ajo ka zënë vend ne historikun e qytetit të Vlorës dhe në kujtesën e banorëve të saj .
Duke ju falenderuar për nderin që po më bëhet , mbes kurdoherë pranë këtij qyteti tërheqës dhe njerëzve të tij të mrekullueshëm.
Edhe ministrat Leskaj e Cikuli në ceremoni
Ceremonia e dorëzimit të titullit "Qytetare nderi e Vlorës " është zhvilluar në ambjentet e Teatrit "Petro Marko" të këtij qyteti. Kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni Ministri i Kulturës ,Rinisë dhe Sporteve Bujar Leskaj, Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli, Kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Shpëtim Gjika, përfaqësues të pushtetit lokal dhe gjithë institucioneve qëndrorë , miq ,dashamirës , intelektualë, qytetarë vlonjatë si dhe përfaqësues të komunitetit hebre.
Në sallën e mbushur plot e përplot, në skenën e veshur me ngjyrën e kuqe ku mbi të është vendosur fotografia e Dr. Ana Kohen dhe në sfond himni izraelit dhe ai shqiptar, ka nisur ceremonia e dorëzimit të titullit të nderit për drejtuesen e Komunitetit Shqiptaro Izraelit në Nju York , Dr Ana Kohen.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Shpëtim Gjika është shprehur në ceremoninë e organizuar në sallën "Petro Marko" se "Me kontributin e saj të çmuar dhe të spikatur , Dr. Ana Kohen ka vlerësuar dhe zhvilluar marrëdhëniet me popullin e Vlorës dhe mes dy komuniteteve njëkohësisht.Ai është shprehur se ky kontribut i çmuar dhe me mjaft vlera do të vazhdojë edhe në të ardhmen "
Ndërsa Ministri i shëndetësisë Maksim Cikuli është shprehur në këtë ceremoni për lidhjet e ngushta mes këtyre dy komuniteteve që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe duke uruar Dr. Anen urime për këtë titull nderi të qytetit të saj të lindjes.
"Dita e sotme më sjell ndër mendje kujtime nga jeta ime dhe ishte Vlora ajo ku ne gjetëm mbështetje dhe shoqëri të paharruar e duke e ndjer veten mes njerëzve tanë " është shprehur mes emocionesh znj. Kohen.
"Unë do të mbetem një vlonjate e vërtetë dhe do të punoj që Vlora të shndërrohet në një qytet të vërtetë europian ka qenë mesazhi i Dr. Ana Kohen drejtuar gjithë miqve dhe dashamirësve të saj në këtë ceremoni madhështore.
Nën tingujt e himnit shqiptar, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Vlorës z. Bilal Shkurtaj ka dorëzuar Dr.
Ana Kohen dekoratën "Qytetare Nderi e Vlorës "ndërsa më pas gjithçka ka vijuar në një koktei ku nuk do të reshtin fotografitë, përqafimet si dhe kujtimet e atyre viteve mes shokësh të gjimnazit dhe miqsh familjarë.(Botoi Illyria 18 korrik 2006)
-
"Never regret. If it's good, it's wonderful. If it's bad, it's experience"
-