Mo, 04. Apr 2005, 12:40
Klodian Tomorri - 04/04/2005
Islandezët, negociata me qeverinë për hec-in e Bratilës
Investimi parashikohet të arrijë në 120 milionë euro dhe të ardhurat vjetore nga ky hec parashikohet të arrijnë në rreth 8 milionë euro. Aktualisht po negociohet dhënia me koncesion për pesë hec-e të tjera
Një grup specialistësh, përfaqësues të kompanisë elektroenergjetike islandeze, Landsvikjuin, po zhvillojnë këto ditë negociata me zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës (MIE) për arritjen e marrëveshjes koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Bratilës. Burime zyrtare nga kjo ministri bëjnë të ditur se punimet për ndërtimin e këtij hidrocentrali, i cili do të shtrihet mbi lumin Devoll, pritet që të fillojnë vitin e ardhshëm, ndërkohë që nuk bëhet i ditur afati i përfundimit. Parashikohet që pas miratimit nga qeveria, dhe më tej nga Kuvendi të marrëveshjes koncesionare, do të nevojiten rreth 12 muaj si kohë e nevojshme për përgatitjet paraprake, përfshirë projektin, shpronësimet etj. Kompania islandeze Landsvikjuin, që prej disa muajsh ka shfaqur interesim për ndërtimin e hec-it të ri të Bratilës mbi lumin Devoll, përmes koncesionit të tipit BOO (ndërtim, shfrytëzim, pronësi). Në fund të muajit janar të këtij viti u zhvillua raundi i parë i negociatave mes kësaj kompanie dhe (MIE), negociata të cilat përcaktuan tremujorin e parë të këtij viti si afatin e fundit të nënshkrimit të marrëveshjes. Megjithëse deri tani nuk është vendosur ende asgjë, pritet që së shpejti palët të arrijnë nënshkrimin e marrëveshjes, për t’i hapur rrugë kështu përgatitjeve për ndërtimin e këtij hec-i.
Përshkrimi i hec-it të Bratilës
Hidrocentral i Bratilës do të ndërtohet në lumin Devoll dhe parashikohet të ketë një fuqi të instaluar prej 70 MW dhe vlera paraprake e ndërtimit afron shumën prej rreth 120 milionë eurosh. Në mes të vitit 2004 kompania islandeze Landsvikjuin, që është operator kombëtar i rrjetit energjitik të Islandës, paraqiti në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës projektin për shfytëzimin e potencialit hidroenergjetik të lumit të Devollit, në pjesën e tij midis fshatit Bratilë dhe fshatit Moshkë, në rrjedhën e sipërme. Studimi parashikon ndërtimin dhe shfrytëzimin e hec-it të Bratilës, me një prodhim mesatar vjetor prej 250 milionë kilovat/orë, një sasi kjo e barabartë me konsumin 2-javor të gjithë Shqipërisë. Duke pasur parasysh faktin që për energjinë e prodhuar nga operatorët privatë Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një çmim, i cili varion nga 3,75-44,6 lekë, parashikohet që të ardhurat vjetore që do të merren nga ky hidrocentral të shkojnë rreth 10 milionë dollarë.
Koncesioni, mënyra më e mirë për ndërtimin e burimeve të reja të energjisë
Aktualisht, pesë është numri i hidrocentraleve dhe minihidrocentraleve (hidrocentrale të vegjël) që janë në proces për dhënien me koncesion të ndërtimit të tyre. Shifra totale, e cila parashikohet të përdoret për ndërtimin e tyre, është afro 460,5 milionë dollarë, ndërsa, përsa i përket kapacitetit të prodhimit, ato do të shtojnë me afro 425 GW në ditë energjinë elektrike në rrjete. Burime nga MIE shprehen se koncesioni është mënyra më e mirë për të mundësuar ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, pasi ndërtimi i tyre me fonde të buxhetit të shtetit është i pamundur dhe ka një kosto të papërballueshme prej tij. Hidrocentrali i Bratilës është objekti i dytë më i rëndësishëm prodhues i energjisë që pritet të jepet me koncesion, pas atij të Skavicës. Përsa u përket objekteve të tjera, ato janë kryesisht objekte gjeneruese lokale, që do të thotë se nuk do të kenë kapacitete të mëdha prodhuese.
[Nga gazeta "Biznesi"]
SEXO, LIBERTAD!!!
ANARQUIA SEXUAL!!!