Vajza me trëndafila dhe margaritare
Na ishte seç na ishte, na ishte një djalë i vetëm mbreti. Kur i mbushi të njëzetat, një natë na i del në gjumë, në ëndërr: Një vajzë, që kur qeshte i çelnin trëndafila në faqe, kur qante, derdhte lot margaritarësh dhe ku shkelte jashtë, mbinte bar i njomë. I thotë s'ëmës: Nënë, në mbretërinë matanë detit është një vajzë, unë e dua për nuse.
- Ku e di ti?- çuditet e jëma.
- E di, - i thotë i biri, - se m'u bë në ëndërr.
- Prandaj më je dobësuar? - e qorton ajo. - Lëri ëndrrat, biro, se të gjen nëna nuse ty.
- Nuk dua tjetër veç asaj, - ngul këmbë djali. - Të dërgojmë dadon ta shikojë.
Dhe që atë ditë e nisën shkesë dadon plakë. Arriti kjo matanë detit, drejt e te shtëpia e vajzës. Trokiti në derë:
- Pranoni miq?
- Urdhëroni brenda, - e ftuan me mirësjellje prindërit e vajzës.
- Dadoja plakë hyri brenda dhe ndejti plot një javë, siç e kishin porositur familja e mbretit për t'u bindur, nëse ishte vërtetë vajza që kish parë djali i mbretit në ëndërr. E bëri për të qeshur, vajzës i çelën trëndafila në faqe, dolën shëtitje në kopësht dhe pas gjurmëve të vajzës mbinte bar i njomë. Prit me ditë të vinte rasti që vajza të qante, por ai çast s'po vinte. U mendua thellë dadoja plakë. Vajza kishte një mace ledhatare, qumësht të bardhë, që ledhatohej nga të gjithë në shtëpi. Dadoja e ndolli tinëz macen dhe i hodhi një cope mishi, ku kishte futur një gjilpërë. Macen e mbyti kolla dhe pas disa orësh ngordhi. Atëherë vajza e hidhëruar pa masë qau. Nga sytë i rrodhën lotë me grimca margaritarësh. Dadoja u bind dhe iu tregoi prindërve të saj, se përse kishte ardhur; kishte ardhur për të kërkuar bijën e tyre për birin e mbretit.
- Qoftë e mbaruar, - u gëzuan të zotët e shtëpisë.
Pasi e prenë ditën e dasmës, dadoja plakë u kthye nga kishte ardhur.
- Hë? - e pyet nëna e djalit. - Si ishte vajza?
- Tamam si në në ëndrrën e tët biri, - iu përgjigj ajo. - Tamam nuse për djalë të vetëm mbreti.
Kaloi muaji. Niset dadoja plakë të marrë nusen, por këtë herë me gjithë të bijën e saj. Kur po ktheheshin me vaporr, nuses i jep te hajë peshk të kripur. Për vete dhe bijën e saj, peshk të pakripur. Nusja u tha për një pikë ujë.
- Më jep pak ujë, - tha, - një gotë ujë se plasa.
- A, po ne një gotë ujë kemi që të tria, i tha dadoja plakë. - Duro se edhe gjysma e udhës na ka mbetur.
- Të lutem,- iu përgjërua nusja, - nuk duroj dot.
- Epo mirë, - i tha dadoja plakë, - një gotë ujë, një sy.
- Po si ta nxjerr syrin? - u habit e reja.
- Mos u bëj merak se ta nxjerr unë, - i tha dadoja plakë, i futi gishtat në zgavër të syrit dhe ia nxorri si një vezë pëllumbi. Pastaj i dha të pinte ujë.
Pas një kohe e mori etja nusen e re për ujë.
- Të lutem dhe pak ujë, se vdiqa!
- Ja të të nxjerr dhe syrin tjetër, - tha dadoja, ia nxorri dhe i dha të pinte përsëri.
Si zbritën në breg të detit, dadoja e goditi nusen befas, e cila ra në një hendek, vellon e saj ia hodhi së bijës mbi supe dhe e mësoi se si të sillej me dhëndërrin. Afër shtëpisë së dhëndërrit iu dolën dasmorët para: "Erdhi nusja! Erdhi nusja!" Vjehrra e puthi në të dy faqet, por nuk i pëlqeu. Djali e mori përkrahu dhe u mbyll në odë me të. Dha e mori me shaka, e bëri për të qeshur, por vajza nusëronte serioze.
- Tani qesh pak se jemi vetëm, - tha djali duke e giciluar. Ajo nuk duroi dhe qeshi.
Djali u çudit:
- Pse s'të mbinë trëndafila në faqe?
- Tani që u martova, më mbijnë vetëm një herë në vit, - ia ktheu ajo.
...