Di, 02. Aug 2005, 21:35
Schau dir diesen Artikel an:
Daniel Xhafa sot do të veshë fanellën bardheblu për të qenë sezonin e ardhshëm përkrah 22 herë kampionëve të vendit. Pasdite pritet të jetë në stërvitje, nën urdhërat e Starovës. I ka dhënë fund karrirës së shkëlqyer me Teutën dhe nuk ka nënshkruar kontratë me ekipin e Ksamaksit në Zvicër.
I shënjestruar që para se të ndërtohej Tirana e "champions"-it, tani Daniel Xhafa do të rreshtohet me bardheblutë dhe do të jetë pjesë e këtij ekipi. Sulmuesi vlonjat, mjaft i dalluar gjatë edicionit të fundit, ishte gjithashtu një ndër golashënuesit më të mirë të vendit. Ish-lojtari i Flamurtarit, Dinamos, dhe së fundmi i Teutës, dje ka takuar me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, dhe i ka kërkuar leje për të lëvizuar nga ekipi i Teutës, për të kaluar në radhët e Tiranës, me të cilën kishte një paramarrëveshje. Më pas, ai ka kërkuar dokumentacionin për të nisur zyrtarisht karrierën 1-vjeçare me bardheblutë. Presidenti i Teutës, Hasanbelliu, e ka përgëzuar Xhafën për atë çka ka dhënë me Teutën, duke i uruar sukses në karrierën e mëtejshme.
Pas përfaqësimit dhe eliminimit të Teutës në Kupën UEFA, Daniel Xhafa ishte në dilemë për të zgjedhur, mes një ekipi të huaj dhe Tiranës. Oferta e sponsorëve të ekipit bardheblu ka qenë mjaft tunduese. Dhe Danieli nuk është menduar gjatë pasi është kthyer nga Zvicra. Mësohet se ai ka takuar donatorët e Tiranës për të bërë gjithçka zyrtare. Trajneri bardheblu, Sulejman Starova, është informuar me këtë lëvizje aq të përfolur rreth merkatos së verës, duke thënë se e priste lojtarin qysh dje në stërvitje. "Jam informuar dhe madje e prisja Xhafën në stërvitje që dje. Megjithatë ky sulmues tani e ka zyrtarizuar kalimin te Tirana dhe besoj se do të jetë në seancën e pasdites, përkrah pjesës tjetër të skuadrës,"- saktëson trajneri bardheblu, Starova.
Kështu, Tirana, dy ditë para ndeshjes së kthimit me CSKA-në realizon një blerje tjetër të bujshme. Starova do ta ketë këtë lojtar vetëm për ndeshjet kombëtare, pasi për këtë edicion Daniel Xhafa nuk mund të luajë asnjë ndeshje evropiane me bardheblutë, për shkak se është aktivizuar me Teutën e Durrësit.