http://kohaditore.com/?page=1,5,131698
Prishtinë, 21 janar – Emri i sajuar i saj është Albana, por rrëfimi i saj është i vërtetë. Profesori Max Brym e ka sjellë të përkthyer në shqip librin e tij “Faj pa faj”, një rrëfim kronologjik i një gruaje shqiptare e dhunuar gjatë luftës që dëbohet nga familja e më pas bëhet prostitutë, shkruan sot “Koha Ditore”. E historia e Albanës është e thurur mes ngjarjesh tragjike. Përtej rrëfimeve prej prostituteje luksoze me menaxher grek në kompaninë “Ferronikeli”, shtypjes së vazhdueshme seksuale nga shoqëria e deri tek të qenët dëshmitare e rasteve korruptuese mes klientëve luksozë dhe zyrtarëve shtetërorë, libri “Faj pa faj” i hebreut Brym shpërfaq gjendjen e mjerueshme të grave të dhunuara gjatë luftës, të cilat pas poshtërimit shoqëror që kanë pasuar pas luftës, detyrohen të ushtrojnë prostitucion.
Profesor në Mynih, autori Brym e ka përkthyer veprën e tij të cilën e ka botuar së pari në gjermanisht me titullin “Schuld ohne schuld”. Por në shqip libri është botuar vetëm si skript dhe Brym thotë të jetë i hapur ndaj secilës shtëpi botuese që ta marrë përsipër bërjen libër të veprës së tij.
“Unë e kam ofruar të përkthyer dhe mund të botohet si libër”, ka thënë Brym, në promovimin e librit, të mbajtur të shtunën në “Dit’e’Nat”.
Publiku ka qenë i përbërë kryesisht nga aktiviste të së drejtave të grave në Kosovë, por diskutimi pas fjalës së Brymit ka devijuar edhe në debate të llojit se “sa për qind e kosovarëve kanë luftuar e sa jo”. Sipas të dhënave të organizatave kosovare dhe atyre ndërkombëtare afro 20 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Për autorin Max Brym, njëherësh bashkëpunëtor i Universitetit të Prishtinës, fati i Albana Z. nga Kosova është shkruar në formën e një romani të shkurtër.
“Kjo histori kosovare nuk është një trillim i thjeshtë”, ka shkruar ai në parathënien e librit. Brym thotë se i njeh të gjitha personazhet e librit, i cili ka pasur mjaft sukses në shtetet gjermanofolëse ku ka shqiptarë.
“Shumica e femrave shqiptare në Gjermani e kanë pëlqyer librin, ndërsa meshkujt jo aq. 50 me 50. Madje ka pasur edhe të atillë që kanë thënë se ky libër është kundër nderit të gruas shqiptare”, ka thënë Brym. Personazhin e librit Brym thotë ta ketë takuar krejt rastësisht. Procesi i bindjes së gruas që tash është rreth të 40-ve ka qenë i vështirë.
“Ka qenë një proces trevjeçar”, ka thënë ai. Brym do të fillonte të merrte rrëfimet e gruas edhe në prani të burrit të saj, që ka pak më shumë se 20 vjet.
“Faj pa faj” është i ndarë në tregime të shkurtra që tregojnë ngjarje të rëndësishme për jetën e saj. Aty rrëfehet tmerri i dhunimit të Albanës nga ushtarët serbë, dëbimi i saj nga familja, pasi ajo mbetet shtatzënë, dhe jeta si prostitutë. Aty ka personazhe të tjera si familjarët e Albanës dhe klientët e saj. Historia përfundon kur Albana i jep fund jetës si prostitutë dhe vendos që këtë t’ia rrëfejë burrit të saj, i cili ia falë të gjitha.
“Tash ata kanë një banesë të tyren dhe jetojnë së bashku”, ka thënë Brym. Autori ende mban kontakte me personazhin e librit të tij. Thotë se njeh edhe shumë gra të tjera që kanë pasur ose ende e kanë fatin e njëjtë sikur të Albanës.
Por mbi krejt këto histori personale, për Brym, personazhi kryesor i “Faj pa faj”, bëhet shkaktar i tregimit të një historie të shkurtër ekonomiko-politike dhe një shumësi faktesh të këtyre proceseve në Kosovë nga aktorë vendës e të huaj, duke mos lënë anash edhe përvojat e hidhura të një gruaje që do ta ushtrojë pavarësinë e saj në shoqërinë kosovare që Brym e quan konservatore.
--------------------------------------------------------------------
Wer kümmerte sich um die knapp 20tausend vergewaltigten Frauen wärhend des Kriegs und vorallem nach dem Krieg und bis heute?
Liebe grüsse Strellci i vertet