http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=269323
Apeli për të shpëtuar një vajzë
Megjithëse prej javësh shumë qytetarë janë mobilizuar për t’i shpëtuar jetën një vajze që vuan nga leuçemia, ndihmat s’po mjaftojnë.
Janë mbledhur rreth 90 mijë euro në fondin humantitar që ka për qëllim shërimin e nxënëses Argjira Shala nga Prishtina.Familjarët e saj thonë se kurimi jashtë vendi do i kushtojë jo më pak se 250 mijë euro. Ndërkohë familja e saj tashmë ka nxjerrë në shitje edhe shtëpinë.
Argjira aktualisht është duke u kuruar në një spital në Turqi, ndërkaq që të ketë sukses ajo duhet të zhvendoset në një spital gjerman, i cili për pranimin e saj kërkon 250.000 euro.
Mbledhja e të hollave dëri më tani si në shumë raste të tjera është bërë në baza vullnetare të qytetarëve. Fillimisht kishte nisur nga shokët dhe shoqet e shkollës. Mobilizimi për të më vonë mblodhi edhe një numër të madh të këngëtarëve kosovarë të cilët zhvilluan një koncert të premten në ndihmë të saj megjithatë shuma e mbledhur nuk kaloi 3 mijë euro.
Në rastin e Argjira Shales, Ministria e shëndetësise ka ofruar vetëm 30 mijë euro, por me kusht që fillimisht të bëhen pagesat me para të vetë familjes dhe më pas të sillen faturat për t’i tërhequr paratë.
Në Kosovë është bërë e zakonshme të shohësh rrugeve dhe shesheve nisma për mbledhje fondesh për fëmijë kosovarë që kërkojnë ndihmë për shërim jashtë vendi në pamundësi të shërimit në Kosovë. Fatkeqësisht disa prej tyre kanë vdekur, ndërkohë shumë të tjerë presin ndihmën e shtetit apo qytetarëve.
Top Channel