Fjala e Albin Kurtit në konferencën e sotme për media
Më 14 janar Qeveria Republikës së Kosovës ia hapi rrugën Serbisë ekonomikisht.
Më 20 janar kjo Qeveri ia hapi rrugën Serbisë edhe politikisht.
Më 14 janar Qeveria Thaçi ia hapi rrugën ekonomike Serbisë duke shkelur dhunshëm mbi popullin dhe qytetarët e Kosovës. Për këtë gjë kanë reaguar organizata të ndryshme, të cilat në mënyrë të dokumentuar kanë dëshmuar për dhunën e cila u ushtrua mbi protestuesit paqësor dhe të padhunshëm. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Amnesty International, Avokati i Popullit dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, gjerë e gjatë kanë raportuar dhe kanë dokumentuar për ndërhyrjen e dhunshme, të padrejtë e të panevojshme të policisë më 14 janar.
Më 20 janar Qeveria Thaçi ia hapi rrugën politike Serbisë duke shkelë mbi vullnetin e të zgjedhurve të popullit.
Hapja e rrugës ndaj Serbisë nuk mund të realizohet ndryshe pos si mbyllje e rrugës për Shqipërinë.
Më 14 janar e kemi parë varësinë konkrete të kësaj Qeverie nga ekonomia e Serbisë: për të kaluar kamionët e Veselinoviçit, Qeveria nuk ka zgjedh mjete kundër popullit të vet.
Qeveria vazhdimisht po bën krahasime mes demonstratës sonë dhe veriut.
Ky krahasim nuk po ndodh ashtu që Qeveria të veprojë kundër strukturave kriminale të Serbisë.
Ky krahasim po ndodh pikërisht që ne të goditemi në emër të strukturave kriminale, e ato të vazhdojnë të mbesin.
Thaçi nuk e ka me strukturat e Beogradit. Ai e ka me qytetarët dhe popullin paqësor të Kosovës.
Strukturat kriminale të Serbisë, Thaçi ka thënë se i ka partnerë të dialogut, kurse praktikisht i ka edhe bashkëpunëtorë të krimit ekonomik.
Nuk është çështja vetëm e reciprocitetit këto ditë por e anashkalimeve të planifikuara të Kuvendit nga ana e Qeverisë në këtë vitin 2012 në të cilin hymë tash. Qeveria mendon ta shesë Distribucionin e KEK-ut, PTK-në dhe Trepçën dhe me dialogun politik ta pranojnë autonominë për veriun, dhe për këtë qëllim dëshironi ta eliminoni Kuvendin e Kosovës si pengesë. Me mënyrat e kësaj Qeverie po dështon shteti i Kosovës, po dështon si republikë dhe si ekonomi.
Ne jemi subjekti që kemi kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme, mirëpo, me protestën tonë të nesërme, synojmë që t’ia marrë pushtetin Serbisë në Kosovë dhe t’ia japë këtë pushtet, shtetit të Kosovës që duam ta forcojmë.
Kërkojmë nga Policia e Kosovës, e posaçërisht nga njësitë speciale të saj, që të mos na pengojnë në pengimin e Serbisë.
Ne po na zhduket Republika përderisa s’kemi reciprocitet me Serbinë. Protesta paqësore e demokratizon Republikën. Duke mos e kuptuar dhe duke mos u mësuar me protestat paqësore kontribuohet në mundësitë për diktatura.
Protesta paqësore është liri e qytetarëve, liri për grumbullimin e tyre për ta shprehur pakënaqësinë dhe për ta ndryshuar gjendjen për të cilën janë të pakënaqur. Por duket që qëndrimet, akuzat, sharjet, fyerjet, sikleti dhe paniku në përgjithësi i kësaj qeverie të drejtuar nga kryeministri aktual pikërisht kur bëhet fjalë për Serbinë nuk janë të rastësishme.
Wikileaks ka njoftuar që kryeministri Thaçi është takuar dy herë me kryetarin e Serbisë Boris Tadiç, madje një herë kur ka qenë në opozitë, pra si kryetar i PDK-së. Kryeministri Thaçi nuk e ka demantuar asnjëherë këtë informatë. Ai doemos duhet të përgjigjet në këto pyetje:
Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?
Ku dhe kur saktësisht është takuar këto dy herë me kryetarin e Serbisë Tadiç?
Kush tjetër ka marrë pjesë në ato takime, për çka kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiçi Thaçit?
Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej takimeve?
Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe, nëse po, kush e ka atë?
Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij PDK për këto takime?
Ne po bllokonim Serbinë, ata e bllokuan Shqipërinë - Nga Erzen Vraniqi
Njëra nga karakteristikat themelore të protestës së 14 janarit është shpërfaqja më në fund e qëndrimit dhe konceptit politik të Qeverisë, karshi interesit dhe kërkesave të popullit. Nuk ka dilemë se krijimi i psikozës së luftës në opinionin e gjerë për një javë rresht para protestës, ishte shenjë e dukshme e nervozës së pushtetit, të cilët po detyroheshin që patjetër të merrnin pozicion të qartë politik, sa i përket respektimit të vendimit të Kuvendit të Kosovës. Deri atëherë edhe disi maskoheshin qëllimet dhe interesat e tyre. Data e 14 janarit përfundimisht hoqi maskat.
Tani më as laiku më i madh nuk mund të dyshojë se çfarë mbronin protestuesit atë ditë dhe cfarë mbronte Qeveria.Deri sa protesta po bëhej në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë, intervenimi i Qeverisë ishte në mbështetje të marrëvëshjeve me të, në dëm të shtetësisë.
Nervoza e Qeverisë u demonstrua qartë me dhunën e shfrenuar që mekanizmi represiv e ushtroi mbi protestuesit paqësorë, të cilët kishin guxuar të sfidonin kërcënimin e tyre, vetëm pse kërkonin zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë më Serbinë, me të cilin mbrohej interesi i vendit. Qeveria këtë e kuptoi si rrezikim të pushtetit të tyre, i cili nuk bazohet në vullnetin politik të popullit, por në realizimin e interesave vetjake, politike e materiale, me anë të servilizmit të verbër ndaj faktorit ndërkombëtar dhe interesit të tyre gjeo-strategjik për regjionin.
Njësitë speciale të policisë, atë ditë kishin detyrën e ekspeditave ndëshkuese. Ata nuk po e menaxhonin protestën, por po i ndëshkonin pjesëmarrësit e saj. Deri sa ne po bllokonim Serbinë dhe mallërat e saj, ata e bllokuan Shqiperinë, duke i ndaluar dhe rrahur aktivistët që ishin nisur për të marrë pjesë në protestë. Nuk i kursyen as kalimtarët e rastit, duke i rrahur dhe arrestuar rrugëve e nëpër oborret e shtëpive të tyre, pa pasë në konsideratë se a ishin pleq, femijë, apo invalidë lufte që kishin sakfifikuar për këtë vend. Ata e rrahën me shqelma nënkryetarin e Kuvendit, tërhoqën zvarrë Kryetarin e Grupit Parlamentar dhe e sulmuan me shufra e me sprej kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Arrestuan deputetët e popullit, të cilët po përfaqësonin popullin, bashkë me popullin. Kësisoj synohej që të frikësohej populli dhe të thyhej morali i tij.
Mirëpo zbatimi i vendimit të Kuvendit për reciprocitet të plotë me Serbinë është çështje ekzistenciale për ne, sepse me të mbrohen interesat ekonomike dhe politike të vendit. Zbatimi i tij është ushtrim i sovranitetit shtetëror të Kosovës, që duhet shtuar pavarësisë formale të saj. Sovranitetin ekonomik e politik na e rrezikon Serbia me politikën e saj, që ka për qëllim destabilizimin dhe bllokimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, andaj ajo duhet të bllokohet. Qeveria e vendit a ka obligim kushtetues respektimin e vendimeve të Kuvendit dhe ushtrimin e sovranitetit të vendit, mirëpo ajo po vazhdon ta injorojë organin më të lartë të Republikës dhe po vihet kundër vullnetit të popullit.
Në këtë situatë nuk na mbetet tjetër përveç se të protestojmë në vazhdimësi. Andaj më 22 janar ne do ta bllokojmë Serbinë përsëri. Nuk mund të bëjmë kompromis me interesat jetike të vendit e as të mbesim peng të politikave antikombëtare të kësaj Qeverie, e cila në vend se të shtrijë sovranitetin në veri të vendit, ndërsen policinë kundër nesh. Mirëpo ne nuk i frikësohemi dhunës. Dhunë ka ushtruar edhe Serbia, por rezistenca e popullit veç sa është rritur.Vullneti politik i popullit është gjithmonë më i fortë se çfarëdo dhune që mund të ushtrohet nga një aparat I korruptuar shtetëror. Jemi të vetëdijshëm që në këtë rrugëtim, po i shkelim interesat e disa individëve, të cilët janë pasuruar duke bërë tregëti me Serbinë në dëm të vendit dhe kurriz të popullit, por për ne interesi i vendit është sublim.
Nuk ka shpëtim, veç vonim!
Me 22 janar Serbia nuk kalon!
Erzen Vraniqi
Sekretariati për Media dhe Komunikim
Lëvizja VETËVENDOSJE!