“Përcillja popullit të Kosovës bekimin dhe angazhimin tim”, porositi Papa kryeparlamentarin Berisha
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili, me bashkëpunëtorë, po qëndron për një vizitë zyrtare në Vatikan, u takua sot në Selinë e Shenjtë me Atin e Shenjtë Papa Benedikti XVI. Kryeparlamentari Berisha së pari mori pjesë në një audiencë më të gjerë të Papa Benediktit XVI, ndërsa pas kësaj pati një takim zyrtar sy më sy me Atin e Shenjtë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, fillimisht e informoi Atin e Shenjtë se vjen para Shenjtërisë së Tij nga një popull i vogël, por më i vjetri në Ballkan, i cili njerëzimit dhe Selisë së Shenjtë i dha Papa Klementin XI, ose si quhet edhe Papa Albani, ilir, i cili që në shekullin II e kishte bekuar popullin gjerman; ia dha Shën Jeronimin, përkthyesin e parë të Biblës; ia dha Shën Niketë Dardanin, njohësin më të mirë të traditës artistike dhe diturore, i cili hartoi një numër të madh veprash filozofike, teologjike dhe ishte muzikanti më i madh i të gjitha kohërave; ndërkaq, në shekullin II, po ky popull i vogël, ia dha martirët e parë kishës katolike – Shën Florin dhe Shën Laurin, dardanë, të cilët foltoren pagane që e kishin ndërtuar vetë, ia kushtuan Krishtit; ia dha patrikun ekumenik Atanagora; pastaj, në shekullin XIV, Evropës dhe botës së krishterë në tërësi ia dha Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, i cili për plot 24 vjet, duke luftuar kundër Perandorisë Osmane, e mbrojti Evropën nga sulmet e Perandorisë Osmane dhe për këtë Selia e Shenjtë e quajti atëbotë Atlet i Krishtit; kurse, së voni, në shekullin XX, ky popull ia dha njerëzimit edhe Nënën e Madhe, Nënën Tereze.
Pas kësaj, kryeparlamentari Berisha e informoi Atin e Shenjtë, Papa Benedikti XVI, edhe për aktualitetin politik nëpër të cilin po kalon sot Kosova, e informoi për ecurinë e negociatave në Vjenë, lidhur me përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për statusin final të Kosovës, proces ky që po zhvillohet nën kryesimin e presidentit Marti Ahtisaari.
Pala kosovare gjatë tërë këtij procesi ishte konstruktive dhe e përkushtuar që t’i kontribuojë zgjidhjes sa më të pranueshme për të dy palët.
Berisha e informoi Atin e Shenjtë edhe për punën e Ekipit të Unitetit të Kosovës, por edhe për garancitë dhe të drejtat që i janë ofruar e që po i ofrohen komuniteteve që jetojnë në Kosovë, veçanërisht komunitetit serb.
Kryeparlamentari Berisha i tha Papa Benediktit XVI se, vendi prej nga vjen, Kosova tani po kalon nëpër momentet më vendimtare në historinë e saj, kur duhet të përcaktohet fati i të ardhmes së saj, që nënkupton zgjidhjen e statusit të Kosovës, ndërsa vullneti i popullit shumicë në Kosovë, pra vullneti i shqiptarëve, është Kosova shtet i pavarur dhe sovran, me të gjitha garancitë për të gjithë ata që jetojnë në të, pa dallim të përkatësisë kombëtare, fetare, racore, gjinore e të tjera, një shtet që do të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e integruar në të gjithë mekanizmat euroatlantikë.
“E luta Shenjtërinë e Tij, Papa Benediktin XVI, ta bekojë Kosovën dhe popullin shqiptar dhe me autoritetin që ka Selia e Shenjtë në gjithë botën, të ndikojë që ky proces, pra procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës, të përshpejtohet dhe të jetë në pajtim me vullnetin e shumicës dhe me garancitë për komunitetet”, tha Kolë Berisha pas takimit me Atin e Shenjtë në Vatikan.
Një pjesë të takimit, kryeparlamentari Berisha e shfrytëzoi për ta informuar Atin e Shenjtë edhe për punën e institucioneve të Kosovës, e në veçanti për punën e Kuvendit të Kosovës në aprovimin e ligjeve që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare si standarde.
Kryeparlamentari Berisha, pas takimit me Atin e Shenjtë, tha se Shenjtëria e Tij mirëpriti informacionet që mori për Kosovën dhe për popullin e saj, ndonëse nga biseda që pati me të u fitua përshtypja se Ati i Shenjtë ishte i informuar mirë për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën dhe premtoi se do të angazhohet për një zgjidhje të drejtë për t’iu kthyer të ardhmes dhe për krijimin e një klime të tillë ku të gjithë do të jetojnë të qetë, në paqe e në harmoni të plotë.
“Të lutem, përcillja popullit të Kosovës bekimin tim dhe siguroje atë që unë do të angazhohem që ky popull të jetojë në paqe, të ruajë traditën dhe entitetin e vet”, e porositi Ati i Shenjtë, papa Benedikti XVI, kryeparlamentarin Berisha.
Në fund të këtij takimi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, e ftoi Atin e Shenjtë që ta vizitojë Kosovën, thuhet në kumtesën për media të lëshuar nga Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës.
------
www.rtklive.com
Übersetzung: Der Parlamentspräsident Kosovas Kolë Berisha war zu Besuch bei Papst Benedikt XVI.