Albanisch-orthodoxe Kinder zu Besuch in Kosova
Kampi i dytë në Kosovë nga Kisha jonë në prag të vitit të ri arsimor
Bashkëpunimi i krijuar midis të rinjve orthodhoksë shqiptarë dhe të rinjve kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë 1999-ës ka ndjekur një traditë të veçantë përgjatë këtyre viteve. Përmes kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar një bashkëpunim i ngushtë në shkëmbimin e eksperiencave dhe thellimin e miqësisë, e cila nisi gjatë kohës së luftës dhe vijon të rritet çdo vit.
Një grup prej 15 të rinjsh nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizoi, në fund të muajit gusht, kampin e fundit për këtë vit “Gëzimi” në fshatin Carallukë të komunës së Malishevës. Pas tre kampeve me rreth 1200 fëmijë të shkollave 9-vjeçare “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, “Naim Frashëri” në Banja dhe në degën e saj me të njëjtin emër në Begaj, të organizuara në muajin qershor, të cilat u pasqyruan edhe në disa media kosovare si gazeta Lajm, Zëri, radio Dukagjini, Kosovaonline, ky kamp ezauroi aktivitet e vitit 2006 që organizon Kisha Orthodhokse e Shqipërisë në Kosovë.
Ky kamp zgjati katër ditë dhe organizohej me lejen e Drejtorisë Arsimore të kësaj komune. Në të morën pjesë rreth 300 fëmijë, të cilët patën mundësi të argëtoheshin dhe të kalonin një kohë të këndshme nëpërmjet lojërave të ndryshme, këngëve, valleve, diskutimeve në grupe dhe punës së dorës. Fëmijët nga mosha 6-9 vjeç patën si punë dore ngjyrosje të disa makinave prej druri. Ndërsa fëmijët nga mosha 10-14 vjeç pikturuan mbi shalle logon e kampit “Gëzimi”.
Në ditën e dytë të kampit u zhvilluan Lojrat Olimpike dhe grupet konkuruan midis tyre duke treguar se kush prej tyre ishte më i shpejti dhe më i vendosuri për ta çuar garën deri në fund. Kampi u mbyll me një festival, i cili u përgatit nga vetë fëmijët pjesëmarrës.
Ata shpalosën aftësitë e tyre në fushat e krijimit, recitimit, këngës dhe valles duke argëtuar të gjithë të pranishmit. Në të ishin të ftuar mësuesit e shkollës dhe prindërit e fëmijëve. Grupi nga Shqipëria këndoi në këtë festival këngën “Gëzimi”, e cila lidhej dhe me temën e këtij kampi si dhe një potpuri këngësh popullore nga treva të ndryshme të vendit.. Në fund të këtij festivali drejtori i shkollës Z. Mifail Krasniqi, në fjalën përshëndetëse falënderoi grupin e të rinjve orthodhoksë nga Shqipëria për organizimin e këtij kampi. “Në këtë kamp shumë prej fëmijëve tanë u ngazëllyen. Përshëndes dhe falenderoj në mënyrë të veçantë Z. Nathan Hoppe që për 5 vjet ka dhënë kontributin e tij në këtë shkollë dhe në disa shkolla të tjera në Malishevë, i cili për arsye familjare nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë kamp dhe i kërkoj stafit të kampit që në emër të të gjithë mësuesve të shkollës t’i përcjellim atij ngushëllimet për humbjen e bashkëshortes. Këto aktivitet janë të mirëpritura gjithmonë në shkollën tonë”- nënvizoi z. Krasniqi. Gjithashtu gjatë ceremonisë mbyllëse foli edhe profesori i Universitetit të Prishtinës Prof. Dr. Ramiz Hoti i cili e konsideroi këtë kamp një ogur të mirë për fillimin e vitit të ri arsimor në Kosovë.
Zelli dhe dëshira e 15 vullnetarëve dhe puna e tyre me gjithë zemër për vëllezërit e tyre kosovarë ishte për t’u admiruar. Ata ndihmuan personelin e shkollës, pastruan ambientet e kësaj shkolle, në mënyrë që fëmijët në ditën e parë të shkollës të hynin në ambiente të pastra.
Në mbrëmjen e fundit, stafi i kampit kishte organizuar një darkë me mësuesit e kësaj shkolle për t’u shprehur atyre falënderimet për bashkëpunimin dhe mbështetjen dhe kujdesin që kishin treguar gjatë kampit. Kjo shenjë bashkëpunimi prej 5 vjetësh e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë duke organizuar kampe të tilla në shkolla të ndryshme të kësaj komune, ka thelluar edhe më tej lidhjet mes fëmijëve dhe arsimtarëve kosovarë me të rinjtë shqiptarë. Tek të rinjtë orthodhoksë nga Shqipëria gjithmonë ka ekzistuar shpresa se miqësia midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë do të rritet më shumë nëpërmjet aktiviteteve të tilla dhe sot ata ndihen shumë të gëzuar të shikojnë se si kjo miqësi është rritur dhe forcuar më shumë. “Gjithçka ka filluar gjatë kohës së luftës kur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndihmuar mbi 33.000 kosovarë duke u siguruar atyre një ndihmë prej rreth 12 milion dollarë. Ajo vazhdoi të ofrojë ndihmën e saj edhe kur shumë kosovarë u kthyen në Kosovë duke i ndihmuar ata në nevojat më imediate. Kështu lindi një miqësi të cilën e vazhduam me këto kampe”– u shpreh Gabriela Bezhani, koordinatore e Zyrës së Fëmijëve të Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Të gëzuar, në koherencë edhe me temën e kampit ata e mbyllëm këtë aktivitet me shpresën e organizimit të aktivitete të tjera.
www.orthodox-albania.org