"Katedralja, seli ipeshkvore" nga Albert RAMAJ
Prizreni kishte mbetur ipeshkvi që kur ishte kryeqytet i Kosovës, kurse tash e sa kohë Prishtina është kryeqytet e në të nuk ka ipeshkvi. Kjo edhe është njëra nga arsyet se pse Prishtina duhet të ketë katedrale
Lexuesit tanë janë duke u ndeshur kohë të gjatë me një paqartësi, përkatësisht ende ndoshta nuk e kanë të qartë se për çka “saktësisht” është fjala. Pra, fjala është për Kishën Katedrale në Prishtinë. Është diskutuar e debatuar ndoshta edhe pa nevojë, disa herë edhe me pretendime që të jepen shpjegime madje edhe banale, sa që njeriu normal as nuk mund t’i kuptojë. Për t’u sqaruar kërkesa për katedrale nevojitet që në radhë të parë të shfletohen e të konsultohen leksikone të ndryshme apo libra që kanë të bëjnë me historinë e krishterimit.
Së pari, duhet të kemi parasysh se termi katedrale nuk nënkupton objekt grandioz. Në fakt, termi katedrale rrjedh nga fjala greke “kathedra”, që në shqipe do të thotë seli.
Termin katedrale (ecclesia cathedralis) në kishë e hasim qysh në Koncilin e Tarragonës (në vitin 516). Në fillim nuk e ka pasur kuptimin që e ka sot kjo fjalë. Pra, kisha katedrale (është e drejtë kështu të thuhet), paraqet seli ipeshkvore, e jo siç po keqkuptohet se katedrale do të thotë kishë (si objekt) e madhe, përkatësisht objekt më i madh se ndonjë kishë e zakonshme. Fundja, termi “Kisha Nënë” (ecclesia mater) edhe sot përdoret për kishën laterane në Romë. Gjatë historisë janë përdorur edhe terma të tjerë për kishën katedrale, sikur Kisha e Madhe (ecclesia maior) apo edhe Domus Dei (Shtëpia e Zotit), por fjala ishte për të njëjtën gjë, pra për seli ipeshkvore. Për kishën katedrale në gjuhën gjermane përdoret edhe sot fjala Domus, pra për katedrale thuhet Dom, p. sh. Kölner Dom (Kisha Katedrale në Köln të Gjermaisë), Stehphansdom në Vjenë. Në anën tjetër, sikur që përdorët te gjermanët fjala dom për katedrale, te populli shqiptar ky term e ka kuptimin e meshtarit (priftit), si dom Ndre Mjeda.
Katedralja e arriti kulmin artistik në kohën e gotikës, kështu që në Francë për stilin gotik në art (1140-1500) përdoret edhe sot termi katedrale. Gjatë historisë kishat katedrale janë ndërtuar gati të gjithat nga mbretërit apo perandorët e vendit dhe në shumicën e rasteve me dëshirë të tyre, që në atë vend ku ishte me seli mbreti apo perandori, të jetë edhe selia ipeshkvore, që në të njëjtën kohë të mund udhëhiqnin shpirtërisht edhe vendin.
Nuk duhet harruar se ku gjendej selia ipeshkvore, aty shumë gjëra kulturore janë zhvilluar gjatë historisë së njerëzimit. Edhe sot mburren me ato zhvillime shumë popuj të botës. Po ashtu edhe te populli shqiptar është zhvilluar kultura pikërisht në qendrat ipeshkvore, si në Shkodër, në Shkup, në Tivar, në Durrës etj. Të përmendim rastin e arqipeshkvit të Shkupit, imzot Lazër Mjeda (vëllai i poetit Ndre Mjeda), që ishte arqipeshkvi i
fundit i Arqipeshkvisë së Shkupit, e cila më vonë ishte transformuar në ipeshkvi. Sipas disa dokumenteve që gjenden në Arkivin Ushtarak të Beogradit, në to flitet për imzot Lazër Mjedën se i kishte arritur një letër nga dom Mikel Tarabulluzi nga Stublla, letër kjo që e mban datën 15 janar 1920. Ajo është e shkruar në gjuhën italiane. Nga letra pushteti dyshonte se këta të dy (Mjeda e Tarabulluzi) veprojnë kundër shtetit jugosllav, sepse ata dëshironin që të mos mbyllen shkollat në gjuhën shqipe, që gjendeshin në kuadër të kishave (famullive) nëpër Kosovë dhe në Shkup. Kjo letër zihet nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Në bazë të saj, dom Mikel Tarabulluzi burgoset për shkaqe të angazhimit për shkollën në gjuhën shqipe. Megjithatë, siç duket qeveria serbe kishte telashe më të mëdha me arqipeshkvin e Shkupit, imzot Lazër Mjedën, sesa me dom Mikel Tarabulluzin. Mirëpo, pushteti serb ishte i vetëdijshëm se po të ushtronte ndonjë aktivitet ndaj imzot Lazër Mjedës, do të kishte probleme ndërkombëtare, sepse Lazër Mjeda ishte ipeshkëv. Nga prefekti i atëhershëm i Prizrenit (1921) na lejohet të kuptojmë se Lazër Mjeda bënte “atak” mbi popullatën serbe me letrat që ia dërgonte botës mbarë, lindi ideja për kërkesë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme që “Dom Tarabulluzi të pensionohet në mënyrë që gradualisht të krijohen mundësitë për ta larguar nga arqipeshkvia jo vetëm dom Mikel Tarabulluzin, por edhe arqipeshkvin imzot Lazër Mjedën. Qeveria serbe pretendonte që Selinë ipeshkvore ta shpërngulte nga Prizreni dhe ta vendoste në Shkup. Qarqet e caktuara, me rekomandim të Beogradit, e bënë aktpadinë kundër imzot Lazër Mjedës, të cilin edhe e dënuan, kurse për t’u ikur telasheve, Vatikani e emëroi Mjedën (në vitin 1922) metropol të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Largimi i tij nga Arqipeshkvia e Shkupit u bë fshehurazi, për të mos e hetuar e burgosur organet shtetërore. Kështu, ai më 14 shkurt 1922 arrin në Arqipeshkvinë metropolitane në Shkodër. Pas largimit të Mjedës nga Arqipeshkvia, Beogradi krijohet arqipeshkvi, kurse Shkupi bëhet ipeshkvi.
Arqipeshvkia është titull më i lartë kishtar se ipeshkvia. Pas Mjedës, që kishte reziduar në Prizren, ipeshkvi ardhshëm imzot Ivan Gnjidovec, slloven, do të rezidojë në Shkup.
Prizreni më parë ishte katedrale pasi ipeshkvi ishte aty, por prej kalimit të ipeshkvit Ivan Gnjidovec në Shkup, Prizreni nuk ishte më kishë katedrale, por sipas ligjit kishtar, nëse më parë një seli ipeshkvore ishte aktive dhe më vonë nuk rezidon asnjë ipeshkëv në te, ajo kishë do të quhet konkatedrale, që edhe sot e mban këtë emërtim kisha e Prizrenit.
Duhet cekur se ipeshkvi për shqiptarë në Kosovë, imzot Nikë Prela, ishte ipeshkëv “sedi datus”, që do të thotë se nuk kishte seli të veten, pra selia ishte në Shkup ku ipeshkëv ishte imzot Joakim Herbut, që do të thotë se në Shkup ishte katedralja, kurse imzot Prela ishte pa katedrale. Këtë nuk ia kishte lejuar qeveria e atëhershme jugosllave, sepse Prela ishte me prejardhje shkodrane dhe ishte në sy të pushtetit të kohës. Prela ishte ipeshkëv ndihmës në Ipeshkvinë Shkup-Prizren. Në një “Promemorie” të vitit 1990, imzot Prela thotë kështu: “Unë jam i vetmi ipeshkëv në Jugosllavi pa rezidencë time, por jetoj si mysafir i famullisë së Ferizajt”.
Nuk duhet harruar se zëri i imzot Prelës në ish-Jugosllavi ishte i pari që kundërshtoi publikisht dhunën ndaj shqiptarëve në Kosovë, për çka protestoi e alarmoi faktorin e brendshëm jugosllav, por edhe mbarë botën. Merita e imzot Nikë Prelës ishte shumë e madhe. Duke iu falënderuar Frrok Kristajt, sot kemi një pasqyrë të mirë për jetën dhe veprat e Prelës, që i botoi në një monografi kushtuar kësaj figure emblematike në 10-vjetorin e kalimit në amshim. Pas Prelës erdhi imzot Mark Sopi. Ai, sikur të gjithë klerikët katolikë shqiptarë, dëshmoi haptas atë që populli kosovarë e aspironte – pavarësinë. Para vdekjes na kujtohet shumë mirë dëshmia e tij në Senatin dhe Kongresin e SHBA-së. Njëherësh, ai para kalimit në amshim la amanetin e tij për Kosovën në meshën e Kërshëndellave në Prishtinë në vitin 2005. Pas Sopit, gati një vit udhëheqës i Kishës së Kosovës ishte imzot Zef Gashi, arqipeshkv i Tivarit.
Ndërkaq, tash me ardhjen e ipeshkvit të ri në Kosovë, imzot Dodë Gjergjit, është paraparë që të avancohet aspekti juridik i Kishës së Kosovës. Ipeshkvi i ri aspiron që të ketë selinë e vet në Prishtinë, kurse për ta pasur atë (selinë) në Prishtinë, duhet ta ketë një kishë katedrale, përkatësisht seli ipeshkvore. Ndaj, është normale që ipeshkvi i një vendi të ketë selinë e vet në kryeqendër (kryeqytet). Nga kjo del se Prizreni kishte mbetur ipeshkvi që kur ishte kryeqytet i Kosovës, kurse tash e sa kohë Prishtina është kryeqytet e në te nuk ka ipeshkvi. Kjo edhe është njëra nga arsyet se pse Prishtina duhet të ketë katedrale.
Po ashtu, duhet të kihet parasysh fakti se me krijimin e shtetit të Kosovës, Kosova duhet ta ketë edhe Konferencën Ipeshkvore, e cila përbëhet nga më së paku dy ipeshkvi. Ndaj, nëse shteti i Kosovës dëshiron që nesër të ketë marrëdhënie të mira diplomatike me Vatikanin, por edhe me shtetet perëndimore, atëherë nuk duhet të shqetësohemi se pse në Prishtinë duhet të ketë edhe katedrale.
Të përkujtojmë se Kisha e vjetër Katolike në Prishtinë ka qenë në lokacionin e Shtëpisë së vjetër të mallrave, përkatësisht përballë hotelit “Grand”. Atë e shpërnguli me dhunë pushteti komunist ku bënin pjesë edhe shqiptarët, kurse në tokën e saj për rreth është ndërtuar Fakulteti Juridik, ai Ekonomik e tash së voni edhe kisha ortodokse serbe, për çka askush nuk e ngriti zërin, e për katedralen aty-këtu “çohet” pluhur pikërisht nga shqiptarët!?
Në fakt, dikur edhe Prizreni ishte pjesë e Konferencës Ipeshkvore të Jugosllavisë, mirëpo që në kohën e përcaktimit të shqiptarëve për status të pavarësisë, ipeshkvi i Kosovës është vëzhgues në Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë. Pas luftës në Kosovë, Vatikani bëri një hap diplomatik për çka me dekret (të 24 majit 2000) e shpalli Prizrenin Ordinariat Apostolik. Nga kjo del se Prizreni nuk ka asgjë më me Konferencën Ipeshkvore të Jugosllavisë, përkatësisht se Prizreni drejtpërdrejt i përgjigjet Vatikanit dhe se me të konsultohet për gjërat kishtare dhe pastorale, pra Ordinariatin Apostolik e pavarësoi nga të gjithë. Deri te kjo erdhi pasi që Kosova ishte nën protektorat të Kombeve të Bashkuara. Ky veprim ishte një hap diplomatik nga Vatikani për shkak të gjendjes politike në të cilën ndodhet Kosova. Ky titull është edhe sot e kësaj dite për Ipeshkvinë e Kosovës. Pra, obligim i ipeshkvit të ri, imzot Dodë Gjergjit, do të jetë që ta kthejë Ordinariatin Ipeshkvor në Ipeshkvi.
Do përmendur se disa qarqe e medie të Kosovës nga “zemërgjerësia” që patën ndaj shqiptarëve të besimit katolikë, u deklaruan se katedralja nuk do t’i pengonte sikur të ndërtohej diku jashtë qytetit, që është ngatërruar me kuvende apo manastire të rregulltarëve. Megjithatë, nuk duhet harruar se kudo nëpër botën e civilizuar katedralet janë në qendra të qyteteve, e kur kihet parasysh se Prishtina dikur e kishte pas edhe kishën katolike në qendër, atëherë vetvetiu del se edhe katedralja duhet të ngrihet pikërisht në qendër të Prishtinës.
Në anën tjetër, katedralet nëpër botë janë pjesë e kulturës së një populli apo vendi. Bile, në shumë qendra perëndimore katedralet janë pikat kryesore të kulturës. Ndoshta edhe për ne një gjë e tillë do t’i referohej kulturës sonë kombëtare, me të cilën aspirojmë ta njohtojmë opinionin e gjerë ndërkombëtar e të dëshmojmë se Prizreni kishte mbetur ipeshkvi që kur ishte kryeqytet i Kosovës, kurse tash e sa kohë Prishtina është kryeqytet e në të nuk ka ipeshkvi. Kjo edhe është njëra nga arsyet se pse Prishtina duhet të ketë katedrale. Po ashtu, kjo duhet të jetë ndër arsyet kryesore që katedralen ta pranojmë si pjesë të kulturës sonë. Me këtë edhe Kosovës, e në veçanti Prishtinës, do t’i kthehej shpirti dhe djepi i besimit dhe i artit.
Shpeshherë kemi hasur në shkrime historike ku thuhet se këtë apo atë kishë e kanë shkatërruar turqit, për shkak se ishte shqiptare, kurse disa qarqe edhe në këtë kohë pengojnë ngritjen e qendrës së ipeshkvisë si institucion fetar e shtetëror, përkatësisht pengojnë që ipeshkvi shqiptar ta ketë qendrën në shtëpinë e vet.
Fundja, nuk është mirë që Ipeshkvia e Kosovës të shikohet si armike në shtëpinë e vet. Nga kjo del se Ipeshkvia po kthehet në shtëpinë e vet shekullore, ndaj edhe nuk përkon me dinjitetin shqiptar të traditës që të mos lejohet katedralja në shtëpi ku e kishte shekuj me radhë e në bazë të cilës dimë të krenohemi dhe na njeh bota.
Në anën tjetër, shumë shpesh jemi nervozuar kur ka ndodhur që diplomatët e huaj të kenë vizituar Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës apo Kishën e Graçanicës, e jo edhe Ipeshkvinë e Prizrenit, apo se ne jemi mburrur që Manastirin e Deçanit e kishte ndërtuar një arkitekt shqiptar, kurse atë që është shqiptare nuk e pranojmë, e në kë rast kishën katedrale (!).
Së fundi, kisha katedrale në Prishtinë do të mbajë emrin e një shqiptareje, pra emrin e së Lumes Nënës Terezë, nëpërmjet të cilës na njohu bota bashkëkohore.
----------
Ein etwas langer, aber durchaus interessanter Leitartikel zur katholischen Kathredale in Prishtina.