Fragment i marrë nga vjersha " O Moj Shqypni" shkruajtur në formën e vet origjinale në vitin 1880!
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush të ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pas qenë nji zonjë e randë,
burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t'mira e begati,
me vajza t'bukura e me djem t'ri,
gja e vend shumë, ara e bashtina,
me armë të bardha, me pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira;
ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
zogu i shqiptarit gjithmonë i zoti
ka qenë për luftë e n'luftë ka dekun
e dhunë mbrapa kurr s'i ka mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
i ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
ndër lufta t'rrepta gjithkund ka ra,
me faqe t'bardhë gjithmonë asht da.
.....................................................
Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
e mos shikoni kisha e xhamia:
feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap' edhe rrezë,
asht toka jonë, prind't na e kanë lanë,
kush mos na e prekë, se desim t'tanë!
Një sqarim i vogël për fjalët: "bashtina" = kopshte dhe "t'tanë" = të tërë
Lexim të këndshëm
egnatia