ja edhe disa artikuj gazetash:
Gazidede, leja e Arkanit per naften e luftes
Gazidede, trafik me Arkanin dhe djalin e Miloshevicit
Zbardhet e vërteta e takimit të vitit 1995 mes shefit të SHISH dhe kryekriminelit të Jugosllavisë Zheljko Raznjatovic, (Arkani) i cili ishte një nga miqtë më të ngushtë të djalit të vetëm të Miloshevicit, Markos. Në qendër të takimit, bashkëpunimi për trafiqet mes krahut të djathtë të Berishës dhe kapove te mafias serbe . dhe Marko Miloshevic
Tirane- Zheljko Raznjatovic i njohur me pseudonimin "Arkani", ka ardhur në Shqipëri më shumë se një herë. Ardhja e tij është mundësuar nëpërmjet agjentëve të hershëm të UDB-së, duke shfrytëzuar njohjet e thella në mes tyre në aktet kriminale. Mesohet se qëllimet e këtyre takimeve kanë qenë trafiku i karburanteve dhe armëve drejt Serbisë dhe Malit të Zi, gjatë kohës së luftërave në ish Jugosllavi. Personat që kanë mundësuar këto takime me superkriminelin Harkani, kanë qenë miq dhe njerëz të afërm të Bashkim Gazidedes. Një takim i tillë është zhvilluar në Durrës në vitin 1995. Për këto takime, kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk duhet të bëjë të paditurin sepse ka pasur deponime me shkrim gjatë kohës kur Bashkim Gazidede ka qenë kryetar i SHISH. Dhe nuk ka asnjë mundësi që Berisha të mos ketë pasur dijeni për të gjitha këto lëvizje dhe veprime të ish shefit të SHISH, Bashkim Gazidede, për më tepër që ky i fundit e kishte shndërruar institucionin e tij në një institucion të varur totalisht nga Sali Berisha. Për këtë takim të shumëpërfolur, egzistojnë edhe gjurmë të tjera faktesh në SHISH. Nëqoftëse Gazidede i ka fshehur gjurmët e këtij takimi, atëherë Sali Berisha, si ish President i vendit dhe ish kryetar i një partie në pushtet, duhet të na sqarojë se si ka mundësi që gjatë vitit 1995 në drejtim të Malit të Zi, shkuan jo një e dy litra por 150 mijë ton karburante, ndërkohë që në vitin 1996 kjo shifër jo vetëm u përgjysmua por u dyfishua dhe nuk bëhet fjalë për ujë të gazuar por për naftë dhe benzol. Dhe këtë nuk e bënte vetëm Gazidede, pa dijeninë e ish shefit të tij. Qëllimi i Arkanit ishte shumë i qartë. Vendosja e monopolit mbi transportin e naftës nga Greqia nëpër Shqipëri drejt Malit të Zi e Bosnjes, ku Harakani njihet si zot i plotfuqishëm në këtë zonë përsa i përket kontrollit mbi këtë biznes që e bën atë më të suksesshmin. Këtë kontroll ai e ka mbuluar më së miri së bashku me të birin e Sllobodan Miloshevicit, Markon, duke bërë në këtë mënyrë që fluksi i karburantit të ketë shifra të tmerrshme. Ky është një nga skandalet më të mëdha të SHISH në kohën e PD-së. Mësohet se problemet kanë qenë trafiku i karburanteve dhe ai i armëve drejt Serbisë dhe Malit të Zi, gjatë kohës së luftërave në ish Jugosllavi. Dihet që në vitin 1995 kish shpërthyer lufta në Bosnje, kohë kur firma ekonomike e PD-së, "Shqiponja", është akuzuar si organizatorja kryesore e trafikut të karburanteve drejt Serbisë. Ndërsa organizmat Ndërkombëtare e akuzuan Berishën për thyerje të embargos. Pra, ndërmjetës i këtyre takimeve të dyshimta dhe tepër të rrezikshme për Shqipërinë, ka qenë një nga kriminelët më të mëdhenj të shqiptarëve në Maqedoni me origjinë nga Dibra i njohur me fisin e Gazidedes. Kështu i tradhëtoi Berisha shqiptarët. Ai është autori kryesor që shndërroi Shqipërinë një pikë kalimi për trafiqet e karburanteve. Vjedhjet e radhës shqiptarëve të kosovës i erdhën nga toka shqiptare. Nëqoftëse Berisha pak ditë më parë tha: Unë jam munduar që t’i cojë mesazhe Miloshevicit nga larg", këto mesazhe, tashmë janë të qarta se ishin për tradhëtinë e shqiptarëve. Dy vjet më parë gazeta "Zëri i Popullit" ka publikuar egzistencën e dokumentave që vërtetonin kontrabandën e naftës e karburanteve në të cilën janë përfshirë edhe emra të tjerë personash të cilët do t’i publikojmë pas pak ditësh./A.N
Shifrat e zhdoganimeve denoncojnë kontrabandën e karburanteve në ‘95
Tirane - Kontrabandën e karburanteve në drejtim të Malit të Zi me lejen e qeverisjes së Partisë Demokratike e denoncojnë shifrat e zhdoganimeve zyrtare të këtyre produkteve në vitin 1995. Kështu, sipas shifrave zyrtare, në vitin 1995, në kulmin e embargos të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për krimet që po realizonte pushteti i Millosheviçit në Jugosllavi, janë zhdoganuar rreth 150 mijë tonë karburante. Ndërkohë që në vitin që mbahet më i miri për qeverisjen e PD, viti 1996, janë zhdoganuar rreth 81 mijë ton karburante. Ndërsa në vitet 1992, 1993, 1994 shifrat e zhdoganimeve janë gati tre herë më të ulëta se në vitin 1995. Ky favorizim i kontrabandës që bëri regjimi i Berishës në një kohë që vëllezërit kosovarë masakroheshin për ditë, ishte shërbimi më i mirë që mund t’i bëhej një diktatori si Millosheviçi në atë kohë. Ndërsa në vitin 1997 janë zhdoganuar rreth 68 mijë ton karburante. Në vitin 1998 janë zhdoganuar rreth 88 mijë ton karburante, në vitin 1999 janë zhdoganuar 172 mijë ton karburante, në vitin 2000 janë zhdoganuar 230 mijë ton karburante dhe në vitin 2001 janë zhdoganuar 275 mijë ton karburante. /G.B.
Pas deklaratës së Luan Ramës zbulohen misteret e bisedimeve mes ish-shefit të SHIK dhe serbit
Si u takuan Arkani me Gazideden
Kush ishte personi ndërmjetës dhe çfarë diskutuan
Ministri i Rendit Publik Luan Rama në emisionin Shqip në televizionin Top Chanel deklaroi se, " me përgjegjësi qytetare dhe zyrtare, ju bëj të ditur se ish kryetari i Shërbimit të fshehtë shqiptar zoti Bashkim Gazidede është takuar me Zelko Raznjatovic(.) i akuzuar si një nga kriminelët më të mëdhenj serbë gjatë luftrave në ish Jugosllavi ". Madje, Ministri i Rendit Rama deklaroi se ai disponon fakte dhe dëshmi nga njerëzit që kanë organizuar këtë takim në mes Arkanit dhe Gazidedes.
Bëhet fjalë për vitin 1995, viti i fundit të luftës në Bosnje dhe fundit të embargos ndërkombëtare kundër ish-Jugosllavisë. Ndërkohë që ish nënkryetari i shërbimit sekret zoti Bujar Rama ka deklaruar se shërbimi sekret shqiptar në atë kohë nuk ka pasur marëdhënie zyrtare me Arkanin. Më tej ish nënkryetari i SHISH heq përgjegjësinë nga institucioni, por jo nga ish shefi i tij, për të cilin thotë se nëse është takuar ai është takuar në formë private. Konfuziteti i ish numrit 2 të shërbimeve të fshehta shqiptare bëhet më i madh, kur ai thotë për Gazetën se, " Arkani mund të ketë hyrë në Shkodër me emër tjetër ", duke harruar se Ministri i Rendit në Top Chanel nuk përmendi vendin ku ka hyrë Arkani apo ku është takuar me Gazideden.Në deklaratën e Ministrit Luan Rama bie në sy fakti se ai flet në ligjëratë të drejtë, duke cituar faktin se ka folur personalisht me personat që kanë organizuar takimin e mistershëm në mes Arkanit të dhe Gazidedes.
Petrit Hamja
Në fund të shkurtit të këtij viti, në gazetën e përditshme Dita, është botuar dy ditë rresht një letër e hapur e Daut Kadriovskit, trafikantit shqiptar nga Maqedonia. Në atë kohë Daut Kadriovski, sapo ishte ekstraduar në Itali, vend në të cilin ishte i dënuar dhe nga ku kërkohej. Në atë letër shumë të çuditshme Daut Kadriovski përmend emrin e një tjetër shqiptari nga Maqedonia, Petrit Hamja dhe të vëllait të tij Flamurit. Nuk kuptohet qartë se çfarë do të thotë Kadriovski në letrën e hapur të Gazetës Dita në mbrojtje të vetëvetes, por ai akuzon Petrit Hamen dhe vëllain e tij si shkakun kryesor të fatkeqësive të veta. Kadriovski thotë se, Petrit Hamja dhe vëllai i tij Flamuri janë ortakë të Arkanit. Ai i akuzon ata si vrasës dhe trafikantët e vërtetë të drogës, që kanë lidhje me serbët, Arkanin dhe shërbimin e tyre të fshehtë, si dhe njeriu që ka mbajtur lidhjet e tyre me SHIK-un, pa specifikuar këtu kohën për të cilën flitet. Sot Petrit Hamja ish i kërkuar nga Interpoli si trafikant droge dhe ish i dënuar në Jugosllavi, rezulton i zhdukur apo i vdekur pavarësisht se trupi i tij i pajetë nuk është gjendur kurrë. Ky fakt përmendet në letrën e Kadriovskit. Vëllai i tij Flamuri jeton në SHBA. Vëllezërit Hamja janë nga Dibra e Madhe. Gjatë viteve të shkuara Petrit Hamja ka jetuar gjatë në Shqipëri, ashtu si dhe vetë Kadriovski. Në qarqet e trafiqeve të cilave i referohet dhe Daut Kadriovski rezulton se Petrit Hamja thirrej si kushëri i ish kreut të SHIK-ut Bashkim Gazidede, nga ana e nënës së këtij të fundit që është nga e njëjta zonë e Dibrës.
Gazidede dhe Meksi
Ministri Rama në bisedën televizive pyeti se a kishte pasur dijeni ish Presidenti Berisha për përmbajtjen e bisedës në mes të dyve. Të besosh që Gazidede ishte i përzierë në trafiqe, nuk ka argumenta. Madje vetë Fatos Klosi, po në të njëjtin emision televiziv e mbrojti si një figurë të ndershme dhe trasparente si dhe njeri të mirë. Përvec kësaj koha për të cilën flitet përkon me fundin e embargos dhe të trafiqeve njëherësh. Të aludosh se ishte në marëdhënie sekrete me UDB-në është fantazi e shfrenuar, sepse atëherë nuk kishte sepse të takohej me Arkanin,por me UDB. Atëherë pse të takohej, kur Gazidede si një intelektual inteligjent e dinte se ky takim nje ditë do të merrej vesh. Përgjigjen mund ta gjejmë tek një intervistë e ish kryeministrit Aleksandër Meksi në vitin 1997, pasi PS kishte ardhur në pushtet, në televizion me gazetarin Blendi Fevziu. Ish kryeministri deklaroi se pas 1995 ai kishte pasur marëdhënie shumë të këqija me Gazideden, madje për një kohë të gjatë nuk kishin folur fare. Meksi pranoi se Gazidede i përgjonte, atë ish Ministrin e Brendshëm Musaraj dhe ish Ministrin e Jashtëm Shehu, shpesh duke i shantazhuar për shkak, gjoja të lidhjeve me trafikun e karburantit dhe trafiqet e tjera me ish Jugosllavinë. Takimi misterioz mund të ketë pasur qëllim, informimin për persona të caktuar të nivelit të lartë në Shqipëri në lidhje me trafiqet e karburanteve gjatë 4 viteve, me qëllim që këto informacione të përdoreshin në luftën e brendshme politike.
emrat e gazetareve dhe gazetave nuk u bene te ditur per shkaqe sigurie(vetem inicialet e tyre dihen)...