Benutzeravatar
Shpendi1984
Senior Member
Senior Member
Beiträge: 1162
Registriert: Sa, 04. Mär 2006, 17:26

Identiteti Evropian I Shqiptarëve!

Sa, 01. Apr 2006, 21:30

Identiteti evropian i shqiptarëve

Ismail Kadare

Sprovë

1

Në shkurt të vitit 2006, kryekomisioneri i Këshillit të Evropës, Baroso, fluturoi me avion për në Tiranë, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shqipërisë së vogël me kontinentin e madh evropian.
Disa vite më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme.
Ky ishte urdhri numër një i kohës. Programi i pandryshueshëm komunist. Thënë ndryshe: verdikti kundër Shqipërisë.
Në dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu.
Që nga ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore për shqiptarët.
Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat ndërhyrëse.
Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi. Midis marrëzisë, populli shqiptar e bëri së paku një gjë të mençur. Në vendin ku mosprekja e kufirit prej çizmes së ushtarit të huaj, ishte kthyer në mit, asnjë armë, qoftë edhe për zakon, nuk u shkreh kundër ushtrisë euroatlantike. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren.
Vetvetishëm midis kaosit, pa retorikë integruese, pa u shtyrë prej askujt, shqiptarët treguan qartë se ndiheshin evropianë. Ata nënshkruan kështu një akt monumental: rigjetjen e Evropës së humbur.
Dy vite më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e Shqipërisë së jashtme, Kosovës.
U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur.


2

Nëse marrëdhëniet e Evropës me më trillanin e tre gadishujve të saj jugorë, Ballkanin, mund të thuhej se ishin kundërthënëse, ato me shtetin e vogël shqiptar, e kapërcenin çdo përfytyrim.
Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë.
Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike.
Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën.
Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin.
Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian?
Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.
S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. Thelbi i shkrimit të tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”.
I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!
Por keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar.
Muzika ngjan si e njohur.
Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa.
Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë.
Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.
Në këtë përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë.
Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.
Ne e dimë ç’ndodhi. Evropa dhe SHBA-ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor.

3

Përpara se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar “E duam Shqipërinë si Evropa?” Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa, por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?” Shkurt mos jemi ata që s’jemi?
E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese.
Letrat e Shqipërisë janë të qarta.
Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë.
Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”.
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara.
Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta.


4

Ishte e natyrshme që krahas kësaj historie filoevropiane, e kundërta e saj do të rrugëtonte paralelisht me të: kundërevropianizmi. Ai ishte i pashmangshëm sidomos gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Programi kryesor i perandorisë, misioni i saj i shpallur ishte pushtimi dhe shkatërrimi i Evropës mbarë. Merrej me mend se sa e egër do të ishte kjo perandori me trojet e porsapushtuara të kontinentit armik.
Dhe egërsia nuk vonoi. Pas nënshtrimit fizik nisi ai shpirtëror. U lanë në këmbë kishat, por u ndaluan shkollat dhe gjuha e shkruar. Me sa duket qysh atëherë u kuptua se kishat, duke qenë dyllojëshe, katolike dhe ortodokse, ishin më pak të rrezikshme se gjuha, e cila ishte një. Shumë shpejt një besim i ri, do t’u shtohej të parëve, feja myslimane me xhamitë e saj. Por gjuha do të ishte prapë një, ashtu siç ishte identiteti i popullit.
Ky i fundit, qysh atëherë, natyrshëm e zuri vendin e vet mbi tre besimet kryesore të shqiptarëve. Qëllonte që brenda një familjeje të gjëllinin përbri besimi katolik dhe mysliman, të ndarë midis vëllezërve. Nisur nga kjo, s’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një. Kishim pasur një atdhe për të tre besimet dhe kjo s’do të ndryshonte, dhe kjo s’mund të ndryshonte kurrë.
Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.
Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine.
Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme.
E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme!
Por kjo punë ishte më e ndërlikuar. E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë.
Mjafton njëfarë përqendrimi në këto tekste e këto melodi, mjaftojnë dëshmitë e shkruara të kohës, për të kuptuar se cili është thelbi i kësaj nënkulture, të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor. “Çunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme.
Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.
Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
Por nuk ndodhi ashtu.
Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur.
Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht.



27/03/2006 http://www.shekulli.com.al/index.php?pa ... wsID=92925
KATEGORIA: Analiza

-Qka mendoni ju per identitetin e shqiptareve?

Benutzeravatar
besi25
Danke für die vielen Übersetzungen!
Danke für die vielen Übersetzungen!
Beiträge: 1253
Registriert: Mi, 08. Jun 2005, 16:59

So, 02. Apr 2006, 11:04

Tung Shpendi,
E kam lexuar këtë artikull para pak ditëve në Gazetën "Koha Ditore".
Me pak fjalë,jam plotësisht i pajtimit me shkrimin e të madhit Kadare.

Përshëndetje,Besi25
Oslo 19/12/79
Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqipëtar.Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona
Në gjithë botën. Lutem shumë për fukarate e mij- dhe për mua , dhe motrat e mija. Une lutem per juve.Gonxhe Bojaxhiu-Mutter Theresa

ada
Member
Beiträge: 40
Registriert: Mi, 08. Mär 2006, 15:09

Re: Identiteti Evropian I Shqiptarëve!

So, 02. Apr 2006, 17:24

[quote="Shpendi1984"]Identiteti evropian i shqiptarëve

Me pelqen puna qe ke bere duke publikuar nje shkrim kaq te vyer te Kadarese. Dhe jam teper e lumtur qe ende mundemi te kundeshtojme ata qe duan te hedhin balte mbi nje komb sa te lashte aq edhe te rralle si puna e pellazgo-iliro-arbero-shqiptareve.Dhe megjithse ke wikipedia para pak kohesh lexova nje shkrim qe tregonte se si gjithmon serbet akoma luftojne te na fshijne identitetin tone mijeravjecar,duke nxjerre "prova" qe "edhe mund te mos kemi prejardhje ilire por jemi dhe ne popull i ardhur ne Ballkan", sepse kuptohet qe duan te na sllaverojne. Dhe do me pelqente qe nje pjese te ketij shkrimi ku flet per identitetin tone,dhe nje pjese te shkrimit "Shqiptaret neper shekuj", e gjithashtu nga provat e Frank Bardhit, te mundnim ti perekthenim dhe ti publikojme ke Wikipadia. Eshte pak pune e lodhshme por qe duhet bere,nuk e di nese je dakort!
Pafshim, :wink:
Disa shtete mburren me bukurine e vendit te tyre,disa me lashtesine e kulturen e kombit te tyre,te tjere me mikpritesine e popullit te tyre.Kenedy ka thene qe nje shtet i m ire i ka te trija!E kush mund ti kete tjeter vecse Shqiperia...

Benutzeravatar
Shpendi1984
Senior Member
Senior Member
Beiträge: 1162
Registriert: Sa, 04. Mär 2006, 17:26

Re: Identiteti Evropian I Shqiptarëve!

Mo, 03. Apr 2006, 22:51

ada hat geschrieben:
Shpendi1984 hat geschrieben:Identiteti evropian i shqiptarëve

Me pelqen puna qe ke bere duke publikuar nje shkrim kaq te vyer te Kadarese. Dhe jam teper e lumtur qe ende mundemi te kundeshtojme ata qe duan te hedhin balte mbi nje komb sa te lashte aq edhe te rralle si puna e pellazgo-iliro-arbero-shqiptareve.Dhe megjithse ke wikipedia para pak kohesh lexova nje shkrim qe tregonte se si gjithmon serbet akoma luftojne te na fshijne identitetin tone mijeravjecar,duke nxjerre "prova" qe "edhe mund te mos kemi prejardhje ilire por jemi dhe ne popull i ardhur ne Ballkan", sepse kuptohet qe duan te na sllaverojne. Dhe do me pelqente qe nje pjese te ketij shkrimi ku flet per identitetin tone,dhe nje pjese te shkrimit "Shqiptaret neper shekuj", e gjithashtu nga provat e Frank Bardhit, te mundnim ti perekthenim dhe ti publikojme ke Wikipadia. Eshte pak pune e lodhshme por qe duhet bere,nuk e di nese je dakort!
Pafshim, :wink:
Do te mundohemi ta bej perkthimin ne gjuhen gjermane dhe do ta bej postimin ne wikipedia! Ky esht ne fakt ni dokument teper i rendsishem per identitetin shqiptar!

Benutzeravatar
sirius
Member
Beiträge: 5
Registriert: Mi, 19. Okt 2005, 23:34

Sa, 08. Apr 2006, 0:08

Bild

Flerti i Kadares për “indetitetin evropian të shqiptarëve” (!)

BAROMETRI DIPLOMATIK
PROF.DR.MEHDI HYSENI


· Nuk është në krizë “identiteti fetar”, as “identiteti evropian”, por identiteti kombëtar, shtetëror dhe territorial i shqiptarëve në Ballkan.

· Meqë, Ismail Kadare e ka mirë me Evropën, ai duhet të ndikojë pozitivisht që atë ta bindë, se ka ardhur koha që shqiptarët (me identitet evropian) të çlirohen nga sundimi 100-vjeçar kolonial serbo-sllav, e të pavarësohen dhe të ribashkohen në kuadrin e kufijve natyrorë indigjenë të Shqipërisë Etnike, ashtu sikurse u ribashkua Gjermania më 1989, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, si rrjedhim i kapitullimit të sundimit neokolonial evro-ndërkombëtar komunist të ish-Bashkimit Sovjetik.



Kjo “temë” e vjetër sa vetë shqiptarët dhe Evropa, nuk është e diskutueshme, as aktuale, sepse Evropa qysh nga koha Perandorisë Romake, është në dijeni për identitetin evropian të shqiptarëve. Gjithashtu, edhe shqiptarët e kanë të qartë se i përkasin idenitetit të Evropës. Në këtë kuptim, nuk ekzison asnjë mosmarrëveshje përbrenda shqiptare, as me Evropën e vjetër, as me Evropën e re. Prandaj, as Ismail Kadare nuk ka pse të ndalet në këtë “temë” për t’i rikujtuar shqiptarët se janë me prejardhje të identitetit evropian. Ia veln të theksojmë se, edhe para se të lindet Ismail Kadare, e dijnë shqiptarët se janë stërnipër të ilirëve të lashtë. Kështu që, sot, fare nuk është aktuale, as në “rend dite” të shkencës, të politikës, as të diplomacisë shqiptare e as të asaj evro-ndërkombëtare “identiteti evropian i shqiptarëve” sipas agjendës së Ismail Kadares, sepse sforcimi i “identiteti evropian të shqiptarëve” nga ana e tij, ka vetëm karakter politik dhe propagandistik, që është në funksion të përfitimit personal, e jo në dobi të interesit të përgjithshëm shqiptar, në asnjë mënyrë.

Historikisht, shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë problem me Evropën lidhur me çështjen e “identitetit evropian” të tyre, por kanë pasur dhe, ende, edhe sot, kanë mosmarrëveshje serioze në sfondin politik dhe juridik ndërkombëtar me Evropën. Edhe pse i përkasin identitetit evropian, Evropa e dikushme dhe e sotshme shqiptarët i ka trajtuar dhe, i trajton (sipas standardeve të dyfishta) ndryshe nga popujt e tjerë në Ballkan. Evropa, vetëm shqiptarëve nuk ua ka njohur, as nuk ua njeh as sot, në fillimshekullin XXI, të drejtën historike dhe të vetëvendosjes mbi territorin e Shqipërisë Etnike, por që nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Amabasadorëve të Londrës (1913), i ka copëtuar në dysh (50%), duke ia aneksuar Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Prandaj, kjo është mosmarrëveshja e dikurshme dhe ekzistuese e shqiptarëve me Evropën, e jo urrejtja dhe antidashuria e Shqipërisë Socialiste të Enver Hoxhës (1945-1990) ndaj Evropës, siç flerton Ismail Kadare nga ekuidistanca e sotme historiko-politike, duke i bërë elozhe të panevojshme dhe të tepruara Evropës së sotme integruese në favor të “identitetit evropian të shqiptarëve”. Pra, shqiptarët janë me identitet evropian që nga Iliria dhe ilirët e moçëm, por qe më se 100 vjet janë të sakrifikuar nga Evropa dikurshme imeprialiste dhe, Evropa e sotshme demokratike. Kjo është tema boshtore me të cilën duhet të merret edhe Ismail Kadare, edhe e gjithë shkenca, e gjithë politika dhe e gjithë diplomacia shqiptare, e jo të bëjmë gara të pafund, duke dalë në terren të gabueshëm, se kush prej nesh është më “papë se papa”, e kush më “sulltan se sulltani”. Temat e këtilla jo vetëm se janë të tejkaluara për shqiptarët, por madje, edhe për popujt e tjerë të Afrikës, të Azisë etj,, sepse tanimë nuk merren me çështje të “identitetit evropian” të Ismail Kadares, por me ndërtimin e identitetit të tyre ekonomik, kulturor, politik, kombëtar dhe shtetëror, si popuj dhe si shtete të pavarura nga identiteti kolonial dhe neokolonial i Evropës së dikurshme.

Natyrisht, as shkenca, as politika e as diplomacia e mirëfillt shqiptare në Ballkan, nuk kanë arsye që të harxhojnë kohën e çmuar, duke polemizuar dhe pohuar në mënyrë retorike dhe flertuese (sabah e aksham) se identiteti ynë është me përmbajtje evropiane. Fenomenologjia e identitetit evropian të shqiptarëve në Ballkan, është e kontestueshme vetëm nga amalgama serbo-malazeze,maqedone, bullgare dhe greke sllave, si dhe nga aleatët e tyre tradicionalë, siç është Rusia, e jo nga shqiptarët, as nga Shqipëria .

Duhet të përkujtojmë miqtë dhe armiqtë e dikurshëm dhe të sotshëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike se, asnjëra Shqipëri, e personifikuar me rendet shoqërore të derisotme (mbretërore, socialiste) në asnjë mënyrë nuk e ka mohuar, as nuk e ka heshtur gjenealogjinë e identitetit evropian të shqiptarëve. Përkundrazi, shkenca shqiptare, posaçërisht gjatë periudhës 50-vjeçare të shtetit socialist (1945-1990) ka dhënë frytet më të suksesshme në ndriçimin e identit kombëtar shqiptar me bazament të identitetit evropian, duke filluar nga gjuha (e cila rastësisht nuk quhet gjuhë indo-evropiane), kultura, historia, qytetërimi etj. Pra, çështja e identitetit evropian të shqiptarëve nuk ka qenë e kontestuar, as mohuar as nga politika e Ahmet Zogut, e as nga politika e Enver Hoxhës, të cilin Ismail Kadare, duke ndërruar tezat “sipas motit” të leverdishëm tregtar-ekonomik si “substitut” i lirisë, i demokracisë dhe i integrimeve evropiane, e fajëson pa të drejtë Enver Hoxhën, se ai paskësha mohuar identitetin evropian të shqiptarëve ngase në vend të “marrëveshjes”, ai ka zbatuar “mosmarrëveshjen” me Evropën...përdorimi i fjalës marrëveshje me Evropën çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra mosmarrëveshja. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme.”(Ismail Kadare, Identiteti evropian i shqiptarëve, artikull, i publikuar në “Liria Kombëtare”, 27.03.2006).
Ky konkluzion i shprehur në formë flerti politiko-propagandistik për t’i “bindur” evropianët, se shqiptarët janë më “evropianë” se evropianët, nuk ka të bëjë fare me subjektin e temës për çfarë debaton I. Kadare ngase politika e brendshme , as e jashtme e Shqipërisë së Enver Hoxhës as mbi bazën doktrinare, as mbi atë praktike, asnjëherë nuk e ka vënë në shënjestër të mohimit ose të kontestimit prejardhjen e identitetit evropian të shqiptarëve, duke krijuar “mosmarrëveshje” në vend të “marrëveshjes” me Evropën, ashtu siç është shprehur gabimisht I.Kadare. Natyrisht, gjatë periudhës së viteve 1945-1990, Shqipëria ka pasur “mosmarrjveshje” ideologjiko-politike me Evropën, e jo “mosmarrëveshje të përjetshme” të identitetit evropian të shqiptarëve, ashtu siç i ka ngatërruar naivisht dhe me qëllim këto dy koncepte diametralisht të ndryshme për nga përmbajtja e tyre. Mirëpo, për “mosmarrëveshjen” politiko-ideologjike me Evropën gjatë periudhës së theksuar, nuk ka qenë fajtore gjysmë Shqipëria (50%) e pavarur, por vetë Evropa dhe aleatët e saj sllavë, të cilët e kanë copëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët në dysh në favor të interesave të tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Këtë e ka provuar edhe Konferenca e Jaltës (1945), e cila për fat të keq të shqiptarëve, fatin e Shqipërisë, e vulosi nën sferën ndikuese lindore të Rusisë, përkatësisht të Bashkimit Sovjetik. Pas këtij verdikti të kobshëm historik në disfavor të shqiptarëve, Shqipëria e re socialiste ka qenë e izoluar jo me dëshirën, as me vullnetin e saj, por me imponimin dhe me diktatin e detyrueshëm të fuqive të mëdha evropiane dhe botërore. Këtë e di shumë mirë edhe flertuesi Ismail Kadare, por këtë të vërtetë historike e heshtë jo pa qëllim në favorin e armiqve tradicionalë të identitetit kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Një veprim dhe qëndrim i këtillë nuk është i moralshëm, as i drejtë nga ana I. Kadares, sepse nuk përputhet me historinë e realitetit të dikurshëm dhe të sotshëm të Shqipërisë Etnike. Mirëpo, çfarë të bëjmë kur ai në plan të parë e ka vënë “altarin evropian”, kurse identitetin kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, në plan terciar. E drejtë personale e tij kjo, por e gabueshme në kuptimin e interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar.

Duhet ta përkujtojmë I. Kadaren se krejtësisht ka dalë prej temës, që e trajton ai, me qëllim që ta shpërfytyrojë të vërtetën mbi Shqipërinë socialiste, sepse kuptohet (edhe pas 17 vjetësh të ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror në Shqipëri, në vend të reformave demokratike, sundon anarkia dhe mjerimi i pafund i popullit mbi 50% të papunë, të varfër buzë greminës, mbi 1 milion të shpërngulur për të gjetur bukë dhe strehë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe të botës), koha po kërkon viktima të reja për “altarin e Evropës” të Ismail Kadares, jo për zgjidhjen e problemit kolonial të shqiptarëve dhe të rikthimit të identitetit të tyre kombëtar dhe shtetëror në kuadrin e Shqipërisë së ribashkuar etnike. Ja, kjo është “marrëveshja historike” e regjimeve demokratike-socialiste të Shqipërisë (1990-2006) me Evropën. Ja, ky është “identiteti evropian” i sotshëm i shqiptarëve, i cili nuk ka asnjë lidhje të gjenezës historike të shqiptarëve, por ka karakter politik, ekonomik dhe strategjik, të shfrytëzimit të shqiptarëve, pavarësisht se në esencë janë me prejardhje të identitetit evropian.

Sa më shumë të shtohen zhurmat e propagandas ditore për identitetin evorpian të shqiptarëve aq më shumë do të shtohet dyshimi tek evropianët dhe tek Evropa se shqiptarët janë vetëm një recidiv me bazë të identitetit evropian, që i përket së kaluarës historike të Evropës. Prandaj, nuk kemi nevojë të shterohemi në këtë temë, duke u orvatur që në forma të ndryshme politiko-propagandistike revanshiste përbrendashqiptare, ta bindim vetëveten dhe, ta rikujtojmë Evropën se cili është identeti ynë, sepse ajo e di më së miri gjenealogjinë e shqiptarëve, të cilët i përkasën bazës së saj të lashtë të identitetit evroperëndimor. Pra, në këtë vështrim, nuk ekzison asnjë arsye, që zhvillojmë “gjimnastika” politiko-propagandistike në sfondin kombëtar dhe fetar se cili shqiptar është “ më papë se papa”, e cili “ më sulltan se sulltani” (!?) – Kjo “devizë” është sa komike, aq edhe absurde si për Evropën, ashtu edhe për të tërë botën e civilizuar mbase indentiteti kombëtar dhe shtetëror i shqiptarëve nuk ka filluar me shembjen e komunizmit të Evropës Lindore (1989), as me përmbysjen e sistemit të Shqipërisë Socialiste më 1990, por disa shekuj më parë qysh nga periudha historike e ilirisë.

S’ka dyshim se historia e shekujve të kaluar ka provuar origjinën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike. Prandaj, shqiptarët dhe Shqipëria Etnike janë të vjetër sa edhe Evropa e lashtë dhe e sotme. Në këtë kontekst, Evropa, as shqiptarët nuk kanë asnjë mosmarrëveshje, sepse vetë historiografia, shkenca dhe shkencëtarët (historianë, antropologë, gjeografë, gjeologë, gjuhëtarë, etnologë, paleoantropologet..., etj.) e Evropës (bile, më shumë, edhe se sa vetë shkenca e derisotme shqiptare) kanë dëshmuar me shekuj se shqiptarët i përkasin identitetit evropian me bazë ilire, jo kursesi me “bazë helene” siç ka dëshmuar alabanologu Milan Shufflai në studimin e tij “ Serbët dhe shqiptarët”, Tiranë, 2002. Vepra e M. Shufflait për origjinën e shqiptarëve kursesi nuk mund të quhet “vepër monumentale”, ashtu siç e quan Ismail Kadare, sepse pikërisht në këtë vepër, M. Shufflai shqiptarët i pasqyron hiq më pak se “një simbiozë helenike-serbe”. Kjo është e meta kryesore e “veprës monumentale” të M.Shuflait, të cilën, mjerisht shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare ende nuk e paska ndeshur në brendinë e saj (!)

Për ta bindur I. Kadaren dhe bashkëmendimtarët e tij se vepra e M. Shufflait nuk është monumentale në kuptimin e prerë dhe objektiv të ndriçimit të historisë së prejardhjes së identitetit të shqiptarërve dhe të Shqipërisë në Gadishullin Ballkanik, po japim këto argumente: “ në kohën e Perandorisë Romake vjen deri te pakësimi i ngadalshëm, por i vijueshëm i popullsisë ilirie, gati donte të gatuante tokën e vërshimit sllav; na paraqet popullsinë shqiptare shumë të përzierë me elemente të huaj, si në Shqipërinë Veriore si në atë Jugore. {Ndër shekjuut XIV-XV} gjithkund popullsia ishte e përzier me qytetarë të vjetër romakë e me qytetarë të rinj sllavë e shqiptarët. Sipas Shufflait fiset shqiptare të sotshme nuk rrjedhin nga ilirët, pse thotë se pushtimi romak shkatërroi fiset e para ilire... e në kohët e turbullta e të errta të dyndjes së popujve u bënë ndërmjet Matit e Vjosës formimet e reja e të fuqishme të fiseve, të cilat duke marrë parasysh formimet e para ilire, qenë formime të dyta. Fillimi i shumë fiseve të sotme shqiptare daton qysh prej shekujve XIV dhe XV, prandaj fiset e tashme janë formime e shtresa të treta!!!”(Citat i cituar në “Të Drejtat e Shqipërisë Etnike”, Tiranë, 2001, f.71).

Dua të ritheksoj se, (pavarësisht nga qëllimet dhe tendencat e politikës ditore të Ismail Kadares dhe bashkëmendimtarëve e bashkëmbështetësve të tij në planin kombëtar dhe ndërkombëtar) nuk është në rrezik, as i nëpërkëmbur në asnjë mënyrë “identiteti fetar”, as “identiteti evropian i shqiptarëve”, por identiteti kombëtar shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike, i cili, me gjithë prejardhjen e tij evropiane, edhe sot në fillimshekullin XXI(viti 2006) po rrezikohet nga vetë Evropa e Bashkuar, e cila me draftet e saj proserbe, përkatësisht prosllave, po iu kanoset shqiptarëve se nuk mund të ketë rikthim, as ribashkim të tyre brenda kufijve historikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike(!)

Pra, logjikisht, realisht dhe moralisht kjo është tema parësore me të cilën duhet të preokupohet përjetësisht Ismail Kadare dhe të gjithë shqiptarët akademikët e tjerë shqiptarë, të cilët ia duan të mirën kombit dhe atdheut të vet shqiptar. Si Kadarea, ashtu edhe evropianët e tjerë shqiptarë, duhet ta kenë të qartë (pavarësisht nga gjeneza evropiane) se interesi dhe dashuria e shqiptarëve për Evropën, do ta arrijnë shkallën e duhur kulminante, vetëm atëherë, pasi Evropa, t’ua ketë njohur të drejtat e tyre legjitime historike si një komb dhe shtet i vetëm në Ballkan, ashtu siç i ka njohur kombet dhe shtetet e tjera në Ballkan (Serbia, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria etj.). Ndryshe, po qe se shqiptarët dhe gjysmë Shqipëria etnike mbetet koloni serbosllave (prapë me bekimin e Bashkimit Evropian, duke mos lejuar ndryshimin e kufijve kolonialë në Ballkan) edhe në shekullin XXI, atëherë, “identiteti evropian i shqiptarëve”, i trajtuar sipas autorit Ismail Kadare, nuk ka kurrfarë rëndësie, as peshe aktuale për qenien kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkan./ 03 04 2006/F.F.

Benutzeravatar
sirius
Member
Beiträge: 5
Registriert: Mi, 19. Okt 2005, 23:34

Sa, 22. Apr 2006, 23:59

Zgjohu bre, Kadare


(Reagim rreth sprovës, shkrimit-vështrimit: “Identiteti evropian i shqiptarëve” të Ismail Kadares, botuar në “Koha Ditore” me 28-30 mars 2006)



MEXHID YVEJSI, GJAKOVË



“Respektoj vetëm ata që më rezistojnë mua, por nuk mund t’i toleroj ata.”


- Sharl de Gol


Ende pa përfunduar fushata e sëmurë për ”identitentin e ri të kosovarëve”, çohet Ismail Kadare e rifillon fushatën për identitetin evropian të shqiptarëve!
Çka dëshmojnë këto fushata për identitet? Këto fushata dëshmojnë se kemi të meta, sepse ende nuk po e kuptojmë se kush jemi, se cila është e vërteta!
E Vërteta, ashtu si Dielli, mund të mjegullohet, të errësohet, mund të pengohet, por jo të agjësohet…
Që në kohët e lashta njerëzit e ditur këshillonin si terapi shëruese: Njohjen e vetvetes.
Njohja e vetvetes është çelësi për ta njohur Krijuesin, Zotin.
Zoti, sipas B. Pascal-it, është i qartë vetëm në paqartësinë e botës. Ai është një sferë e pafund, qendra e të Cilit është gjithkund dhe perimetri asgjëkundi…
I pranishëm gjithkund je, por asgjëkundi nuk je, z.I. Kadare! Ju bre, Kadare, që nuk e dini ende se kush jemi ne! Ne jemi ata që jemi! Ju që shkruani për identitet, dëshmon se keni një siklet! Kjo po dëshmon se identiteti iu mungon! Ju mungon e ju mundon! Kjo vërehet kur fyen, kur akuzon pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë…!
Kombi shqiptar, edhe pse vonë i zgjuar, është komb i formuar…!
Shqiptarët kur me shumicë u islamizuan- atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan…
Nuk u asimiluan, sepse, në fjalën e Tij, Zoti e ka dhënë dijen e nevojshme
për shpëtim…
Zgjohuni të përgjumur! Zgjohu bre, Kadare, kudo që je!
Duke shkruar për identitet, ju po dëshmoni se prej dhunës ideologjike aq banale, keni kaluar te injoranca profesionale…!
Zoti i ka dhënë dijetarëve, atdhetarëve, mjaft dritë që të mund t’i zbulojnë kurthet kundër shqiptarëve. Dituria dhe burrnija e akademik Rexhep Qoses, rreth identitetit, ia çeli sytë krejt botës…!
Kur e pyetën Fishtën diplomatët evropianë rreth fesë, ai tha: “Jemi popull me dy fe, por s’jemi popull me Shën Bartolome”
Shqiptarët, pra, nuk janë popull, komb, me Shën Bartolome falë tolerancës së Fesë Islame, që i përkasin shumica e shqiptarëve. Të mos e njohësh këtë tolerancë, të mos e njohësh Fenë Islame, kur nuk ke patur mundësi, nuk është turp. Por, turp është të ngulësh këmbë me kryeneqësi në injorancën tënde, edhe pasi e ke patur mundësinë të mësosh.
E keni patur mundësinë të mësoni se Konica tha: “Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptar.”
Kur e pyetën diplomatët e huaj në Washington Faik Konicën, që ishte ambasador
i Mbretërisë Shqiptare (1926-1939) se cila është feja e shqiptarëve, ai tha: “Dielën shkojnë në kishë, të premtën në xhami…”
E keni patur mundësinë të mësoni se Stavro Skendi në “Historinë e Rilindjes
Kombëtare” shkruan:”Shqiptarët myslimanë e përbënin shumicën dhe pa ata nuk
mund të kishte Shqipëri.”
E keni pasur mundësinë të mësoni se: Koncili i Dytë i Vatikanit, me 25 tetor 1965, ka përcaktuar qëndrimin e Kishës Katolike ndaj Myslimanëve, ku thuhet: ”Myslimanët adhurojnë, si ne, një Zot të vetëm, të Mëshirshëm, që do të gjykojë njerëzimin në ditën e fundit.”
E keni patur mundësinë të mësoni se në librin “Të kapërcehet pragu i shpresës”, Papa Gjon Pali i Dytë thotë: “ Fetaria e myslimanëve meriton nderim.”
Meritojnë nderim fetaria e myslimanëve shqiptarë si Myderriz Ymer Prizreni, Myderriz Haxhi Zeka, që ishin fetarë dhe atdhetarë të devotshëm dhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe Lidhjes së Pejës “Besa–Besën” (1899), Myderriz Vehbi Dibra, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, (1912), Hoxha Kadri Prishtina, i Kongresit të Lushnjës, (1920) ku iu vuan themelet Shqipërisë, si edhe qindra e mijëra fetarë dhe atdhetarë të tjerë, deri te Shaban Jashari me familjën e tij, që u flijuan për Kosovë, për Shqipni…
Shqiptarët e pranuan dhe e trashëguan Krishterimin, sikur që e pranuan dhe e trashëguan Islamin, që të dyja janë nga Lindja…Por, nuk mjafton që të trashëgosh Krishterimin apo Islamin, por është e domosdoshme që me meritë të fitosh. Duhet të meritosh trashëgimin tënde, thoshte Gëte, që të posedosh.
Shumica e shqiptarëve myslimanë e meritojnë këtë dhe janë të kënaqur me
besimin që trashigojnë, që posedojnë. Po ju çka trashëgoni, çka posedoni z.Kadare?
Trashëgoni atë që e mohoni …! Veprat që i posedoni pse po i ritushoni? Ndoshta ato iu mallkojnë, iu akuzojnë, sikur në poemën “Përse mendohen këto male” kur akuzoni dhe dënoni Kryqin e Krishtin, gjysmëhënën e Islamit, turqishten e Kur’anit, fyeni, dënoni e poshtëroni logjiken latine e arabe, mallkoni priftërinjt e hoxhallarët, minaretë e kambanaretë …Në poezinë me titull “Në Kishë” shkruar me 1958, shkruani:”Vërtet s’jam i krishter… dhe tallesh me Ungjillin, Librin Hyjnor…
Në poezitë “Perëndimi” dhe “Interpejshazhi” tallesh, fyen, e akuzon Perëndimin, Evropën, që sot e lavdon,:”Romat, Samarkandët, Vashingtonët, Moskët, fituan shpesh toka, flamurë, vota. Por, shekujt kurrë s’i fituan ata.”
Evropën e mallkon, kurse sot e dashuron, dje u talle me kulturën, zhvillimin e saj, i përqeshe qytetet me kulla, me kambanare, me kryqa, me kapitalistë plot dhjamë dhe mbi ”Shën Mërinë e Parisit” u krenove që vure qeleshe, edhe këtu gjete vend dhe u përqeshe…!
A keni harruar çka keni shkruar? Keni shkruar, që jeni krenuar, se në gjoks mban ”Në metal të distinktivit, fytyrën e dashur të Leninit”!
“Qindra vite kaluan duke i ndjekur krimet e vegjël, por bota nuk e zbuloi dot krimin e madh, po në botë ja u ngrit, me mjekër të gjatë gjer në retë. Parathënësi më i madh me emrin Marks”, nga poezia “Te Kështjella e Hamletit në Danimarkë”
A jeni penduar për gjithë ato çka keni shkruar? A jeni penduar që keni fyer, akuzuar, poshtëruar, dënuar librat hyjnorë-Ungjill e Kur’an, keni sharë priftërinj e hoxhallarë, minare e kambanare, keni dashuruar komunizmin, keni urrejtur kapitalizmin, Evropën, Perëndimin, Romën e Bonin, Parisin e Washingtonin… A jeni penduar që keni dashuruar dhe jeni krenuar me fytyrën e dashur të Leninit, me mjekrrën e Marksit, të cilin e queni “profeti më i madh i njerëzimit dhe zbulues i rrugës së krimit…”!
Nëse jeni penduar, për ato që keni shkruar, atëherë, unë s’kam pse me vazhduar. Prej sotit je dorë të Zotit…! Por, jetën politike, fetare dhe kombëtare nuk duhet shikuar përmes imagjinatës, iluzioneve dhe fantazisë. Vështrimin tonë duhet ta kthejm kah vetja jonë, drejt jetës, drejt së vërtetës.
E vërteta është se sistemi i vlerave që e ka ndërtuar strukturën tradicionale të Perëndimit buron nga filozofia antike greke, kultura romake, trashëgimia pagane e popujve barbarë, feja e krishterë, të cilën Evropa e ka interpretuar në një mënyrë specifike të veten, e ndikuar pjesërisht nga Hebraizmi dhe Islamizmi…Por, Evropa e sotme vjen nga Iluminizmi…
Iluminizmi në vend se të ndriçojë ndodhi shpesh që ai errësoi…!
Sot, tipari më i veçant i qytetërimit perëndimor është sekularizmi. Kuptimi i termit sekularizëm në rrafshin praktik është nxerrja e fesë jashtë jetës.
Kristianizmi, sot, në Evropë, nuk ka funkcion politik, ekonomik, kulturor, shoqëror…Ka mbetur një lidhshmëri sipërfaqësore emocionale dhe një dekor me ngjyrë sociale….
Në projekt-kushtetuten e Bashkësisë Evropiane nuk hyri trashëgimia kristiane. U mundua Papa, u mundua Vatikani, por nuk iu shkonte zani…! Në këtë projekt-kushtetutë, edhe sot, mungon fjala Zot…!
Identiteti evropian i shqiptarëve është një përshtatje e re. Çdo pështatje e re, thoshte, Erih Hofer-i, është krizë e vetëvlerësimit.
Ne kemi kriza të tjera, si të mirëbesimit, mirëkuptimit…, por jo të
vetëvlerësimit…!
Zgjohu bre, Kadare, kudo që je…!

(Autori është studiues i religjioneve.
Në dhjetë vitet e fundit ka botuar dhjetë libra)

Zurück zu „Shqip“