Moisiu: Koha e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë
Tashmë ka ardhur koha dhe nuk ka pengesa që çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të fillojë të diskutohet, në mënyrë që në një të ardhme edhe të realizohet, fillimisht në formën e një konfederate- ka deklaruar ish- presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Mosiu ka këshilluar klasën politike të Tiranës, Prishtinës e Shkupit që pavarësisht fërkimeve dhe problemeve të brendshme mes tyre, të bashkërendohen dhe të punojnë më mirë për të zgjidhur problemet shqiptare në Ballkan.
Reagimeve të ndryshme që kanë ardhur pas deklarimeve se Kosova është krahinë e Shqipërisë, ish- presidenti shqiptar iu përgjigjet duke theksuar se ky është vetëm një realitet dhe e vërtetë historike, transmeton “Bota Sot”.
Ai ka thënë se kur Kosova të arrijë të bëhet pjesë e OKB-së dhe pjesë e NATO-së dhe Bashkimit Evropian, atëherë do të jetë më lehtë për të koordinuar veprimet dhe për të bashkëpunuar.
Në këtë mënyrë, sipas tij, shkohet drejt një bashkimi, fillimisht kulturor, mandej ekonomik, por në të ardhmen mund të bëhen edhe bashkime tjera, në një mënyrë të konfederatës. /Indeksonline/