Do, 17. Jan 2013, 15:23
Jam i nderuar që, në emër të Kryesisë së Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës, t’iu përshëndes dhe t’iu falënderoj për organizimin e kësaj tryeze kushtuar dëbimit masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës. Ne, pra, jemi mbledhur sot që të përkujtojmë këtë kaptinë të dhimbshme, 130-vjetorin e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës, me ç’rast Serbia, përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Spastrimi i dhunshëm i hapësirës etnike shqiptare në mënyrë masive ndodhi pas Kongresit të Berlinit, më 1878, dhe vazhdoi deri me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, kur pjesa më e madhe e popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit dhe rajoni i Toplicës ishte dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore. Në pronat e ligjshme të shqiptarëve të dëbuar u vendosën serbët dhe malazezët besnikë ndaj regjimit serb, ndërkohë që popullata e dëbuar shqiptare u vendos kryesisht në territorin e Kosovës së sotme dhe në një pjesë në territorin e Maqedonisë. Shumë nga të dëbuarit përfunduan përtej Bosforit, në shkretëtirat e Anadollit e me gjerë në Turqi. Në një shkrim të plasuar në internet me titull “Spastrimet etnike serbe ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit” nga një bashkëpunëtor i Akademisë Diplomatike të Londrës konstatohet se vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë (dokumentet osmane e vërtetojnë praninë e banorëve shqiptarë në qytetin e Nishit) u plaçkitën dhe u dogjën 300 shtëpi. Në lidhje me këtë kaptinë tragjike të shqiptarëve flasin madje edhe vetë burimet dhe autorët serbë: “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e Gërdelicës, deri te Vranja e Kumanova”, konstaton Stefan L. Popoviq, në librin e tij “Putovanje po novoj Srbiji”, i botuar në Beograd në vitin 1950. Ndërkaq, shkrimtari serb Jovan Haxhivasilev, duke shtjelluar politikën shfarosëse serbe ndaj etnikumit shqiptar, shkruan (citojmë) “Dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional dhe të krijohet mundësia që aksioni i mëtejmë të drejtohet kah Kosova”. Në disa shkrime të botuara në shtypin perëndimor të kohës, gjithashtu, theksohet se pushtuesit serbë në Sanxhakun e Nishit dhe në rajonin e Toplicës kanë zbatuar strategjinë e tokës së djegur me përkrahjen morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë Cariste e të Evropës. Madje, vetë princi i Serbisë, Milan Obrenoviq, kishte urdhëruar ushtarakët serbë, duke u thënë se merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb, do t’i ketë ai i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë”. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqiptarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878. Këto burime, gjithashtu, thonë se, asokohe, nuk ishte vërejtur disponim i fuqive të mëdha për të parandaluar këtë gjenocid serb mbi shqiptarët e shqiptarësinë e Sanxhakut të Nishit. Pohimet e sipërshënuara i theksuam qëllimisht, ngase, sipas spekulimeve të albanofobëve serbë Jovan Cvijiq, Dushan Popoviq, Luba Stojanoviq, Vlladimir Stojanoviq, Anastasije Urosheviq e shumë të tjerë, familjet shqiptare si kolonizuese kanë depërtuar deri në Toplicë, Leskoc, Vranjë e gjetiu pas “Dyndjes së madhe serbe” të vitit 1690. Sipas burime arkivore, por edhe sipas një burimi serb, deri në mesin e shek. XIX, vetëm në rrethinë të Leskocit dhe të Prokuples ishin më se 300 fshatra shqiptare, kurse deri në vitin 1877 vetëm në rrethinë të Pustarekës dhe të Jabllanicës ishin 1539 shtëpi shqiptare. Me depërtimin e ushtrisë serbe, andej fshatit Bucë, pothuajse nuk kishte mbetur asnjë familje shqiptare. Kështu, nga Pustareka e Jabllanica pothuajse të gjitha familjet shqiptare u nisën këmbë drejt Gollakut. Se çfarë terrori është bërë mbi shqiptarët, dëshmon e dhëna se, pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia në krye me Mita Rakiqin kishte dërguar ekipe për ta popullzuar atë pjesë me kolonistë para se të mbahej Kongresi i Berlinit. Ekipet për formimin e komunave dhe regjistruesit, ndër të tjera, shkruanin: “Këtu të gjitha fshatrat kanë qenë shqiptare, tani janë të shkreta, të djegura dhe të rrënuara, prandaj edhe nuk mund të formohen komuna”. Të djegura, të shkreta dhe të rrënuara, regjistruesit i kishin shënuar 53 fshatra. Se çka, në të vërtetë, kanë përjetuar shqiptarët gjatë dëbimit, për këtë flet edhe një fragment i udhëpërshkruesit serb, Sreten Popoviq, ku, ndër të tjera, shkruante: “Ato netë shumë familje shqiptare, duke ikur me fëmijët e tyre, nga acari i madh pësuan humbje të mëdha në njerëz. Shumë fëmijë në qerre ose në shpinë të nënës u ngrinë dhe vdiqën. Kishte raste të shumta kur edhe pleqtë vdisnin nga të ftohtit.” Qystendili i Bullgarisë në janar të vitit 1878 ishte përplot shqiptarë, sikur Bllaca e prillit të vitit 1999, ku Serbia edhe kësaj radhe kishte tentuar që nga Kosova të krijojë Sanxhakun e Nishit dhe Toplicën e dytë, duke zbatuar elaboratin e saj për spastrimin etnik edhe të territorit të sotëm të Kosovës. Por, për fatin e mirë të popullit tonë, për dallim nga vitet 1877-1878, këtë herë, këtë katrahurë që përjetonte populli shqiptar i Kosovës, po e përcillte bota e qytetëruar, kurse shtetet më të fuqishme e më demokratike, në krye me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, si dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, u vunë në krah të drejtësisë dhe e ndihmuan këtë popull që të kthehej në trojet e veta etnike. Shkrimtari i njohur serb, Jovan Haxhi Vasiljeviq, në librin “Albanska liga” (Beograd, 1909) thekson: “Shqiptarët kanë mbetur në Serbi (lexo në Sanxhakun e Nishit) deri në gusht të vitit 1878, përderisa qeveria serbe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit i shpërnguli përtej kufirit të Serbisë në Kosovë”. Që ironia të jetë më e madhe, pas vitit 1912 këto të dhëna historiografia serbe i falsifikoi, duke propaguar nëpër Evropë se gjoja shqiptarët që jetonin në trojet e tyre etnike në Sanxhakun e Nishit ishin shpërngulur nga Shqipëria, gjë që nuk i përgjigjet aspak të vërtetës. Në realitet, askund, në asnjë arkiv apo bibliotekë botërore, nuk gjendet ndonjë dokument apo e dhënë mbi ndonjë shpërngulje nga Shqipëria në Kosovë apo në trojet etnike në Sanxhak të Nishit dhe në rajonin e Toplicës. Pse të mos theksohet se kësaj kaptine të dhimbshme i kontribuan edhe vendimet e Kongresit të Berlinit, në të cilin nuk u morën parasysh kërkesat e delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit të kthehen sa më parë në trojet e tyre etnike. Ndonëse Kongresi i Berlinit në kuadër të vendimeve të veta kishte krijuar Komisionin ndërkombëtar për t’i kthyer edhe shqiptarët e dëbuar në Sanxhakun e Nishit, mjerisht kjo nuk ndodhi kurrë. Këtë vlerësim e mbështesim në vendimet e Kongresit të Berlinit, përkatësisht në paragrafin 39 në të cilin thuhet (citojmë): “Ata që kanë prona në territoret e aneksuara nga Serbia dhe të cilët duan të jetojnë jashtë Principatës mund ta bëjnë një gjë të tillë dhe njëkohësisht të mbajnë pronat e tyre, ose t’i mbyllin nëse janë dyqane, apo t’ia japin për administrim një pale të tretë” (mbarim citati). Mbështetur edhe në këtë fakt, ne e kemi themeluar Shoqatën e Muhaxhirëve të Kosovës, e cila po vepron në sensibilizimin e opinionit vendor e ndërkombëtar, që shqiptarëve muhaxhirë të dëbuar nga trojet e tyre etnike nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës t’u njihet e drejta e pronës, e cila në bazë të konventave ndërkombëtare është diçka e shenjtë. Me këtë qëllim, kohë më parë, Shoqata e Muhaxhirëve të Kosovës ka botuar librin me titull: “E drejta mbi vatrat dhe pasuritë reale dhe autoktone nuk vjetrohet” të doajenit dhe historianit të shquar, prof. dr. Sabit Uka, kryetar nderi i kësaj shoqate, i cili sa ishte në këtë jetë, me përkushtim është marrë me ndriçimin e fatit të muhaxhirëve të Kosovës, të cilët fati i ka katandisur në pjesë të ndryshme të botës. Këto ditë po punojmë intensivisht që kjo vepër të botohet edhe në gjuhën angleze dhe, të njëjtën, së bashku me programin e Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës, me qëllim të ndërkombëtarizimit, do t’ia dërgojmë misioneve diplomatike në Kosovë dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes. E gjithë kjo bëhet me qëllim që muhaxhirëve shqiptarë të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit t’u njihet e drejta e pronës dhe që, njëkohësisht, ata, përmes faktografisë shkencore dhe historike, të njihen jo vetëm me spastrimin etnik që Serbia ka ushtruar mbi 700 vendbanimet shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni Toplicës, por edhe me politikën e saj të vazhdueshme destruktive dhe gjenocidiste mbi shqiptarët. Ndërkohë, më lejoni t’ju noftoj se Shoqata e Muhaxhirëve të Kosovës po punon në përgatitjen e dokumenteve për realizimin e obligimeve nga protokolli i vendimeve të Kongresit të Berlinit, paragrafi 39, për aktivizimin e këtij paragrafi mbi njohjen e të drejtës së pronës për të gjithë muhaxhirët shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Sanxhaku i Nishit. Kjo nismë e Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës do të duhej, ndërkaq, të pasohej edhe me disa nisma të tjera, të tilla si: ngritja e një Memoriali Përkujtimor kushtuar shqiptarëve të dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore në Sanxhakun e Nishit dhe në rajonin e Toplicës dhe, njëkohësisht, përjetësimi i kësaj kaptine tragjike në librat dhe në tekstet shkollore të nxënësve tanë. Të nderuar zonja dhe zotërinj. Në fund të kësaj fjale rasti, më lejoni që edhe njëherë t’Ju falënderoj për organizimin e kësaj tryeze, përmes të cilës ne së bashku rikujtojmë me dhembje, respekt e pietet një nga ngjarjet më të prekshme dhe më tragjike të historisë sonë kombëtare.
Fjala e autorit, kryetar i Shoqatës së Muhaxherëve të Kosovës e mbajtur në Tribunën, “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-78”.
----------------------------------------------------
Athu a e kan keta Pseudo Politikanet e sodem ket para sysh?
Peshendetje Strellci i vertet
I pasun esht ai i cili din se per qka ka jetu. Pytja osht: per qka jeton ti?