Ura e telit që lidh dy botë…
Esmeralda Sadikaj
“Në një natë të ftohtë dimri para 8 vitesh m’u sëmur mbesa 13 ditëshe. Nëse nuk do të ekzistonte ura, ajo nuk do të ishte më me ne. Sot, mbesa vazhdon klasën e dytë,” – na thotë agronomi Xhelil Barҫi, banor i fshatit Babrru. Është shpërngulur nga Kombësi i Burrelit para 10 vitesh. I ndodhur para një vështirësie të tillë që shtëpinë e kishte ndërtuar pranë lumit të Tiranës dhe mënyrë për t’u lidhur me anën tjetër të zonës nuk kishte, vendosi të ndërtojë një urë.
Aftësia për ta realizuar diҫka të tillë nuk i mungonte. Ka mbaruar shkollën e mesme për agronomi dhe ka punuar për vite me radhë në sektorë të ndryshëm, madje ka qenë edhe përgjegjës sektori. Është babai i pesë fëmijëve, përkatësisht i tre djemve dhe dy vajzave. Aktualisht është në pension. Veҫse profesionalizmit, ka edhe një shpirt të madh. Ishte i vetëdijshëm se duke ndërtuar urën nuk do t’i shërbente veҫ vetes, familjes por edhe komunitetit të tij.
“Kali i huaj ha pak e mban shumë”, shprehet Xhelili duke kujtuar ditët e para të shpërnguljes në Babrru, ku askush nuk e njihte e ndihej i vetmuar. Por gjithҫka ndryshoi pas veprimit të tij humanitar. Ngaqë komunikimi me anën tjetër të lumit mungonte dhe nuk kishin lidhje edhe me Tiranën i lindi ideja ta ndërtonte këtë urë prej teli. “Fillova të mbledh materialet e ndërtimit: hekura, dërrasa, kavo, fadromë, tulla, rërë, ҫimento, etj dhe pak nga pak ja dola në krye me forcat e mia.” na tregon 60-vjeҫari. Ndërtimi i saj përfundoi pas plot 6 muajsh. Shprehet se ka kaluar mbi urë për herë të parë me një kënaqësi të madhe. Ndihej i lumtur që i kishte kontribuar shoqërisë ku ai jetonte. Ky akt humanitar ngjalli mirënjohje tek Xhelili nga komuniteti ku ai jeton, kryetari i komunës dhe kryeplaku i saj kohe. Nëna 90 vjeҫare që ende jeton i kishte thënë: “T’lumshin durt! Ke bë sevap!”. Me buzëqeshje plaku thinjosh e me mustaqe na tregon se ҫdo gjë e bën në mënyrë humanitare. Me qindra bekime i vijnë nga njerëz të ndryshëm që kalojnë ҫdo ditë aty. Ura është art më vete. Lidh dy vende, dy njerëz, dy kultura, dy kombe, dy mendësi dhe bën që të marrin e japin nga njëra-tjetra. Kështu bota bëhet më e larmishme, ka më shumë ngjyra ashtu sikurse shpirti i këtij agronomi. “Kjo urë është një pikë referimi në rast fatkeqësie, është një pikë referimi në rast gëzimi, është një zgjidhje që nuk mendohet gjatë nga njerëzit e kësaj ane. S’ka si të jetë ndryshe, kur edhe pse në një rrugicë të pandriҫuar, gjendet gjithnjë prej njerëzve. Ata e dinë që këtu qëndron shtegu më i shpejt për në kryeqytet. ” na thotë një banor i zonës.
Xhelili vlerëson besimin, mirënjohjen, mbajtjen e besës, ndershmërinë, mirëkuptimin dhe mikpritjen. Mbi të gjitha veҫon idenë e të përfunduarit të gjërave duke na thënë se asnjëherë nuk duhet lënë gjëja përgjysmë se të ‘ҫet bela’. Edhe ekzistenca e urës sot e kësaj dite është rrjedhojë e kësaj veҫorie të tij. Nuk e pranon indiferentizmin dhe lënien pas dore të shqetësimeve apo brengave të shoqërisë. Duke u larguar na jep një mesazh kuptimplotë: “Njerëzit duhet të kenë harmoni, dashuri reciproke, të mos kenë konflikte, hasmëri. Njeriu po bëri mirë e gjen veten në krye! Duajeni njeriun!”
Emri Xhelil Barҫa
Mosha: 60 vjeҫ
Vendlindja: Burrel
Jeta: Lindi në Kombës të Burrelit. Mbaroi studimet në shkollën e mesme për agronomi. Ka punuar për vite me radhë në sektorë të ndryshëm, madje ka qenë edhe përgjegjës sektori. Është babai i pesë fëmijëve, përkatësisht i tre djemve dhe dy vajzave. Aktualisht është në pension.
Box: Me qindra bekime i vijnë nga njerëz të ndryshëm që kalojnë ҫdo ditë aty. Ura është art më vete. Lidh dy vende, dy njerëz, dy kultura, dy kombe, dy mendësi dhe bën që të marrin e japin nga njëra-tjetra. Kështu bota bëhet më e larmishme, ka më shumë ngjyra ashtu sikurse shpirti i këtij agronomi.
Lexuar tek gazeta shekulli http://www.shekulli.com.al/shekulli/201 ... h-dy-bote/