Viktor hat geschrieben:hmmmm
Hier das ganze Interview... Im Shekulli gefunden. Morgen kommt das 2. Interview...
Ekskluzive:-Veli Llakaj, ish-shefi Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për 8 vjet radhazi dhe bashkëpunëtori më i afërt i Mehmet Shehut, në këtë numër flet për planin e çlirimit të Kosovës, të koduar “Shpërthimi”, përgatitur më 1980-ën nga ai dhe Maliq Sadushi, me porosi direkte të Enver Hoxhës e nën përkujdesjen e Mehmet Shehut. Hedh dritë e sjell fakte interesante të një pune konspirative, tepër sekrete të protagonistëve, për një fakt të shumëpërfolur nga media vendëse dhe e huaj.
Hartimi i planit "Shpërthimi" për çlirimin e Kosovës
Veli Llakaj
Plani është hartuar në prill të vitit 1980
Është publikuar nga media e huaj dhe si fakt (pa hollësi) edhe për një plan për çlirimin e Kosovës, a ka ekzistuar ky plan, kush janë hartuesit dhe ç’u bë?
Po ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë, koduar “Shpërthimi”, hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm. Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Është një problem që kërkon dhe do të bëjmë një trajtim veças për lexuesin tuaj. Por theksoj se ky plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një zyrë të veçantë të dokumenteve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm dhe çelësat e kësaj kasaforte mbaheshin direkt nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga askush tjetër. Pra, ky rregull garantonte që asnjë njeri nuk mund të hapte këto dokumente pa qenë prezent ne të dy.
(Shkëputur nga intervista e Veli Llakajt, “Shekulli”, dt. 21 janar 2006)
Si do ta çlironte Shqipëria Kosovën.
Ka ekzistuar një plan tepër sekret i ushtrisë e shtetit shqiptar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, janë marrë të gjitha masat teknike e organizative, deri në detajet më të hollësishme për zbatimin e tij, me planëzim forcash e mjetesh, por për arsye deri tani të panjohura (bëhen publike pas 26 vjetësh nga hartuesit etj), ai nuk u vu në jetë. Kështu, i kthyer në legjendë pas vitit 1990 në median vendëse, por i deklaruar edhe nga media ndërkombëtare e zbulimet e huaja, (por pa hollësi), ky plan luftarak i koduar “Shpërthimi”, aq sa gjykohet e arsyeshme për publikim, sillet në faqet e gazetës sonë nga një prej hartuesve, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1974-1982, Veli Llakaj. Me këmbënguljen e vetë autorit për të qenë sa më i saktë në risjelljen e detajeve të këtij plani 26 vjet pas hartimit, Llakaj sjell edhe konsultën me bashkautorin, ish-zëvendësministrin dhe shokun e tij Maliq Sadushi. Siç pohohet nga Llakaj, ideja e Planit për çlirimin e Kosovës, e kërkuar nga Enver Hoxha, nis me një thirrje urgjente të tij e Mehmetit në zyrën e komandantit të përgjithshëm, shkëmbimin e mendimeve e deri te “garancia” e mbështetjes së Traktatit të Varshavës dhe kushtet në këtë operacion, ndërkohë që Shqipëria e kishte denoncuar dhe kishte dal nga ky pakt i vendeve të Lindjes. Ky plan që dihej nga pak veta (dy hartuesit, Enveri dhe Mehmeti), ruhej në një kasafortë dyfishe në një dhomë të veçantë të Shtabit të Përgjithshëm, me dy çelësa, njërin e mbante Mehmet Shehu dhe tjetrin Veli Llakaj. Për herë të parë, me detaje, që nga urdhri i Enver Hoxhës për hartimin e planit të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, takimet sekrete të Mehmetit e Veliut me nr. 1 të Traktatit të Varshavës, Viktor Kulikov e deri te fati i këtij plani të kyçur në kasaforta, jepen për lexuesin në këtë dosier.
Nga Kujtim Boriçi
Nesër do të lexoni:
-Garancia e Enverit: ”Traktati i Varshavës nuk do të pengojë ndërhyrjen tonë në Kosovë!”
- Si dhe nga e nisin punën hartuesit e planit „Shpërthimi“, Llakaj e Sadushi, nën drejtimin e Mehmet Shehut.
- Kush dhe si u blenë hartat e planit “Shpërthimi” në Austri.
Një takim i papritur
Një pasdite më merr në telefon Mehmet Shehu dhe më thotë se nesër në ora 09.00 duhet të jesh në zyrën e shokut Enver. Sigurisht, nuk do të ishte një takim sidokudo, por me siguri një takim pune, që do të kërkonte edhe sqarimet përkatëse për probleme të ushtrisë e mbrojtjes, siç bënte zakonisht në takimet tona mujore. I përgjigjem si gjithmonë “si urdhëron”, por për çfarë duhet të përgatitem, pra për t’i raportuar komandantit të përgjithshëm. Mehmeti nuk më thotë ndonjë gjë, por veçse shton se është një takim i thjeshtë për shkëmbim mendimesh; në atë takim do të jem edhe unë. Pavarësisht nga kjo thënie lehtësuese që më bëri Mehmeti, unë u përgatita për disa pyetje që mendoja se do të më bënte dhe përgjigjet që do t’i jepja, jo pak, por parashikova rreth 20-25 pyetje po dhe kaq përgjigje.
Të nesërme në orën e caktuar, sigurisht jo fikse, por disa minuta më parë, po prisja te parazyra e Enverit. Në orën fikse mbërriti Mehmet Shehu, si zakonisht, me një çantë dore të cilën nuk e lëshonte kurrë. Hymë brenda e Enveri na priti me shumë kënaqësi e përzemërsi, duke na porositur si zakonisht nga një kafe dhe nga një kokërr molle. I përdora ato që na serviri, por gjithmonë isha si në gjemba se ku do të dilte dhe si do t’i përgjigjesha. Fillimisht ai na krijojë një ambient shumë të ngrohtë, jo Mehmetit se ai ishte i përditshëm dhe për gjithçka, por për mua që takohesha rrallë me të.
Takimi në zyrën e Enverit
Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, ( se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si jua zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. ”Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri.
Në përgjigjet që i dhashë, që sigurisht deri këtu ishin shumë të thjeshta, ndërhyra e shtova se ju nuk vini në fund, shoku Enver, por për neve jeni gjithmonë i pari dhe hallet më të ndërlikuara po ju do të na i zgjidhni etj.
Mbasi e krijojë këtë ambient tepër të ngrohtë, më pyeti: ”Ju, si shtatmadhor, a i ndiqni situatat e komplikuara në Jugosllavi e veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e më gjerë?” Në këtë rast unë mendoj se kam qenë disi i privilegjuar nga shokët e tjerë, me përjashtim të shokut Llambi Gegprifti, pasi edhe unë merrja buletinin e lajmeve speciale, por këto nuk i monopolizoja thjesht si person, por ua jepja dhe zëvendësministrave t’i lexonin e veçanërisht Drejtorisë së Zbulimit, shokut Eqerem Osmani që edhe ai të ishte po aq sa unë i informuar për këto probleme së bashku me shokët e tij të zbulimit.
I shpjegova me hollësi se ne i ndjekim me shumë vëmendje dhe jemi në dijeni të plotë të çfarëdo situate, të demonstratave masive të popullsisë së këtyre treva dhe në mënyrë të veçantë të studentëve të Universiteti të Prishtinës. Gjithashtu, me keqardhje - i shtova më tej- po përjetojmë dhe reprezaljet që po bëjnë revizionistët jugosllavë mbi popullsinë shqiptare të pambrojtur. Duket se i pëlqyen këto njohje, por nuk bëri asnjë ndërhyrje apo prononcim për sa dëgjoi.
Pyetje tjetër interesante ishte sepse ai kërkoi me imtësi të dinte, sikurse edhe mund ta dinte shumë mirë edhe nga burime të tjera të zbulimit të jashtëm, që duhet thënë se ata ishin aq të mirinformuar, e më shumë nga ne. Shpjegova me detaje përqendrimin e të gjitha forcave të ushtrisë Jugosllave në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, duke dhënë dhe vend dislokimet e tyre në çdo komunë, efektivat, armatimin e lehtë e të rëndë, etj., të dhëna këto që duhej t’i dinte përmendësh çdo kuadër ushtarak i çdo rangu. Shtova se kudo në këto dislokime nuk kemi asnjë të dhënë se a ka oficer madhor komandues shqiptar në krye të këtyre njësi, me përjashtim të Kërçovës në Maqedoni që komandanti i divizionit, gjeneral Ibrahimi, është shqiptar dhe me prirje të theksuara, me aq sa dinim, pro shqiptare.
Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: ”Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?” Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak.
Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri me një herë ndërhyri.”Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”. “Sepse, -vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, -këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan-Prishtinë-Ferizaj-Mitrovicë-Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, në Gjakovë-Pejë-Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd-Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec.” Kurse në drejtim të Maqedonisë, -vazhdova unë më tej- që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.
Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
02/02/2006
http://www.shekulli.com.al/index.php?pa ... wsID=90183