Kosova dhe Shqipëria – Dje bashkë në çlirim, sot bashkë në prodhim
Në datën 11 janar, në Tiranë, përfaqësues të kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! kryen një takim me prodhuesit vendorë, me qëllim bashkëpunimin në fushatat ndërgjegjësuese në mbrojtje të prodhimit vendor “Blej Shqip!” dhe “Duaje tënden!”, si edhe për njoftimin dhe koordinimin në lidhje me aksionin e VETËVENDOSJE! në 14 janar për bllokimin e produkteve të Serbisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues prej një sërë biznesesh prodhuese nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët biseduan me Albin Kurtin, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Aida Dërgutin, nënkryetare, Visar Ymerin, kryetar i Grupit Parlamentar, Gentian Salaj, drejtues i “Blej Shqip”, Fisnik Ismajlin, ideator i “Duaje Tënden” si dhe Boiken Abazin, koordinator në Sekretariatin e Përgjithshëm.
Gjatë bisedës me prodhuesit vendorë Albin Kurti theksoi se LVV beson se zhvillimi i ekonomisë sonë duhet të burojë kryesisht së brendshmi, e se një ekonomi që nuk mbërrin të prodhojë është e destinuar ta varfërojë shoqërinë, ta rrënojë politikën dhe ta kthejë shtetin në një mjet në dorë të burimeve të importit. Kurti sqaroi se aksioni i datës 14 janar “Serbia nuk kalon” është një aksion i iniciuar dhe i përkrahur vazhdimisht nga prodhuesit vendorë në Kosovë, si dhe nga punëtorë e sindikata të shumë sektorëve të ekonomisë. Ky aksion synon të bllokojë importin e mallrave të Serbisë në Kosovë, jo vetëm si pasojë e historisë së afërt të luftës e të krimeve e gjenocidit serb, për të cilat ende nuk është mbajtur përgjegjësi, por edhe si pasojë e hostilitetit dhe agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës që vazhdon të shprehet edhe sot, siç e tregon refuzimi arrogant i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Përmes organizimit të strukturave kriminale, si dhe përmes përmbytjes së tregut të Kosovës me produkte serbe, Serbia po vazhdon të ruajë një pozicion hegjemonik mbi Kosovën, duke ia pamundësuar asaj zhvillimin e mirëqenien. Prodhimi vendor e mundëson zhvillimin, e mundëson krijimin e kapitalit dhe ekonomisë vendase, ndërkohë që Qeveria e Kosovës po e ndihmon Serbinë në dëm të prodhuesit shqiptar, në dëm të punëtorit shqiptar, në dëm të Kosovës. Albin Kurti i kërkoi biznesmenëve të Republikës së Shqipërisë që të bashkohen me ata të Republikës së Kosovës. “Kosova dhe Shqipëria kanë qenë bashkë në luftë. Tani duhet të jemi bashkë në prodhim. Rruga e Kombit, pa fabrikat e kombit na redukton në konsumatorë të prodhimeve të fabrikave të huaja” – tha Kurti.
Bllokimi i Serbisë është favorizim i prodhimit vendas. Nga ana tjetër, është interes edhe i Shqipërisë edhe i Kosovës që të ketë investim të firmave të Shqipërisë në Kosovë. Gjatë luftës, Serbia e ka shkatërruar rëndë kapacitetin prodhues të Kosovës (dëme në traktorë, banesa, gjedh, etj.). Serbia ka dashur ta shndërrojë Kosovën në tokë të djegur, e meqë nuk ia doli, po përpiqet ta shndërrojë ekonominë e saj në konsumatore e kliente të prodhimit të saj. Okupimi politik e institucional i mëhershëm, është zëvendësuar me okupim ekonomik, i cili përkthehet në okupim politik e institucional.
Gjatë kohës së shkurtër kur u zbatua reciprociteti mes Kosovës dhe Serbisë, koha kur u vra polici Enver Zymberaj, u mbyllën kufijtë. Në Serbi filluan problemet e brendshme për shkak të rënies së përfitimit ekonomik. Ato ditë mund të quhen 50 ditët e arta për prodhuesin vendor të Kosovës. U rrit prodhimi, numri i punëtorëve nëpër fabrika, pagat e tyre, shitja dhe fitimi. Sipas kryetarit të Odës Ekonomike serbe, nëse kufijtë bllokohen për 6 muaj, Serbia e humbet tregun ekonomik në Kosovë.
Me bllokimin e mallrave të Serbisë, do të krijohet një vakuum tregtar në Kosovë i cili do të mund të zëvendësohet nga prodhuesit vendas, të Kosovës dhe Shqipërisë. Javët në vijim janë një shans i mirë për hov politik dhe ekonomik mbarëshqiptar. Bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik i brendshëm është parakusht për bashkim kombëtar.
Një panoramë të gjerë të situatës tregtare të deritanishme mes Serbisë dhe Kosovës e ka paraqitur për prodhuesit shqiptarë Visar Ymeri i cili ka pohuar se Serbia nuk mund të konsiderohet si një shtet normal për shkak të qëndrimit të saj armiqësor ndaj Kosovës, e prandaj nuk duhet të kemi marrëdhënie me të, aq më pak marrëdhënie tregtare. Ymeri dha disa statistika që ilustrojnë situatën: Që prej 1999 e deri në 2008 Kosova ka importuar 5 miliard euro mallra nga Serbia, ndërkohë që ka eksportuar vetëm 90 milion euro. Ky raport i shpërpjesëtuar rrëfen që thjesht ka ndryshuar forma e pranisë së Serbisë në Kosovë, jo më me ushtri, por me ekonomi. VETËVENDOSJE! është e interesuar të ndryshojë raportin. Të zëvendësohen mallrat e Serbisë me produkte vendore. Të ndërtohet fillimisht baza e prodhimit, e më të mendohet edhe për eksportin, duke i forcuar përparësitë krahasuese të një ekonomie të integruar Shqipëri-Kosovë.
Përfaqësuesi i kompanisë Delux ka treguar në takim për pengesat e hasura deri më tani për kompaninë e tij. Ai ka treguar që ka shumë burokraci doganore në transportimin e mallrave prej Shqipërisë në Kosovë, ndërkohë që konsumatori i Kosovës nuk ka besim në cilësinë e produkteve të Shqipërisë, edhe kur këto janë të standartizuara, pasi që nuk ka ndërgjegjësim.
Përfaqësuesi i firmës Sidney është shprehur që çështja e besimit të konsumatorit të Kosovës në produktet e Shqipërisë nuk është vetëm problem i kulturës, por edhe i cilësisë, edhe vetë kompanitë shqiptare duhet të bëjnë më shumë për të rritur besimin tek konsumatori vendor para se të pretendojmë të mundësojmë prodhimet tona jashtë tregut shqiptar. Gjithashtu u vu në dukje përparësia që ka sjellë ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës që ka mundësuar uljen e kostos së prodhimit në 40 përqind.
12 Janar 2012
Lëvizja VETËVENDOSJE!
12 Janar 2012
Tubimi ne Prishtine
http://a1.sphotos.ak.fbcdn.net/hphotos- ... 3409_n.jpg
Tubimi ne Besiane
http://a2.sphotos.ak.fbcdn.net/hphotos- ... 8375_n.jpg