Qendra e gravitetit do të duhej që t’i tërhiqte pjesët e ndara në drejtim të saj. Ky ligj i fizikës, do të duhej që të shërbente edhe në rastin e shqiptarëve. Shqiptarët u ndanë padrejtësisht në shumë shtete në kongresin e Berlinit më 1878 e më pas edhe në konferencën e Londrës më 1913. Pjesa më e madhe e shqiptarëve mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Tirana do të duhej, pra, që të ishte qendra e shqiptarëve, qendra e organizimit të të gjithë shqiptarëve që ata të jenë një dhe të pandashëm. Sado që të organizohen shqiptarët në Kosovë, Shkup e Tetovë, Çamëri, Preshevë e Bujanoc, Plavë e Ulqin, asnjëherë nuk do të arrihet suksesi i dëshiruar nëse nuk ka organizim dhe burim të organizimit në Tiranë. Politikat zyrtare të shqiptarëve nuk po e bëjnë një gjë të tillë, por të kundërtën e saj. Edhe shoqëria civile deri më sot nuk ka bërë diçka për t’u admiruar në këtë drejtim.
Shqiptarët në Kosovë sundohen nga administrata kolonialiste e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, dhe rrezikohen me humbje të territorit dhe identitetit kombëtar. Territoret e banuara me shqiptarë në Maqedoninë përendimore po zvogëlohen vazhdimisht. Gjithashtu edhe në Luginën e Preshevës dhe në pjesët e banuara me shqiptarë në Mal të Zi, po ndryshon përbërja demografike në dëm të shqiptarëve. Këto si dhe shumë probleme tjera specifike me të cilat ballafaqohen shqiptarët gjithandej nga janë, ishin temë e diskutimit në një tryeze të organizuar në Tiranë. Kjo është shpresëdhënëse sepse u organizua pikërisht në qendrën e të gjithë shqiptarëve, në Tiranë. Organizimin e kësaj tryeze e bëri Klubi Kombëtar nga Tirana së bashku me Lëvizjen VETËVENDOSJE! nga Prishtina. Në Tiranë u mblodhen 18 organizata nga shoqëria civile nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. U mblodhën lëvizje, organizata, shoqata e shoqëri, rrjete studentore, klube etj. të cilat merren me probleme të veçanta që nga mbrojtja e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, mbrojtja e ambientit, arsimi, kultura e antikorrupsioni, e deri te ato që veprojnë për arritjen e lirisë kolektive të shqiptarëve.
Hapjen e tryezës e bënë bashkorganizatorët, Lizandër Saraçi nga Klubi Kombëtar dhe Albin Kurti nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Lizandri i falënderoi të pranishmit për ardhjen në Tiranë, duke thënë se në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët ka shumë organizata joqeveritare, mirëpo bashkëpunimi mes tyre është i një niveli të pakënaqshëm. Bashkëpunimi është i domosdoshëm sepse ne nuk duhet të harrojmë se në radhë të parë jemi shqiptarë, dhe se duhet të na bashkojnë interesat mbarëkombëtare. Albini theksoi se organizata të ndryshme shqiptare zakonisht takohen në konferenca që organizohen nga donatorë të ndryshëm ndërkomëtarë, ku të akomoduar në hotele e restorante të shtrenjta ata kujdesen për të gjitha, bile ata kujdesen edhe se si të mendosh, por kurrnjëherë për interesat tona kombëtare. Ne u bëmë bashkë sepse duam që të jemi bashkë. Ne nuk u bëmë bashkë, që të rrimë bashkë, por që të punojmë bashkë, tha Albini.
Tryeza i kishte tri seanca. Në seancën e parë u bë prezentimi i organizatave ku të gjitha paraqitën aktivitetet të cilat i kishin bërë deri më tani, konceptet e tyre si dhe planet për të ardhmen. Kjo u bë në radhë të parë që të njiheshim me njëra-tjetrën sa më shumë dhe njëkohësisht kjo paraqiste problemet specifike me të cilat ballafaqohen shiptarët në vendet ku ata jetojnë.
Në seancën e dytë u diskutua për fushat dhe mundësitë e bashkëpunimit. Bashkëpunimi është natyrisht i domosdoshëm, prandaj konkludim i përbashkët ishte që të gjenden pikat që na bashkojnë dhe që janë interes i përgjithshëm i shqiptarëve. U dhanë ide të shumta për aktivitetet e mundëshme në të ardhmen. Të gjitha organizatat pjesëmarrëse u zotuan që resurset e tyre do t’i vënë në shërbim të realizimit të projekteve që do të dalin nga tryeza.
Në seancën e tretë u diskutua se si të realizohen disa nga idetë që u paraqitën në seancën e dytë. Mendim i përgjithshëm ishte që pasi ky është fillimi i bashkëpunimit të mos fillohet me shumë projekte, por të fillohet me disa që janë më të realizueshme. U vendos që takimi i ardhshëm të mbahet pas 6 muajve. Gjatë kësaj kohe ne duhet të dëshmohemi me punë në realizimin e projekteve të vendosura nga tryeza. Të gjitha organizatat pjesëmarrëse do të jenë pjesë e një web grupi, përmes së cilës do të bashkërendohen aktivitetet dhe do të diskutohen idetë. Dy aktivitete të cilat do të realizohen nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare janë:
* - Festimi i 28 Nëntorit në të gjitha qendrat e shqiptarëve. Kjo të bëhet përmes koncerteve simultane në të gjitha këto qendra. Atë ditë të mbahen gjithashtu edhe panaire të prodhimeve shqiptare dhe artizanateve.
* - Organizimi i një turni ligjëratash në të gjitha universitetet ku mësohet shqip. Përfaqësues të organizatave pjesëmarrëse do të ligjërojnë në këto universitete në atë mënyrë që përfaqësuesit nga Shqipëria të ligjërojnë në Prishtinë e Tetovë, ata nga Kosova në Tiranë e Tetovë, kurse ata nga Maqedonia në Prishtinë e Tiranë, e kështu me radhë. Kjo do të ndihmojë që studentët të njihen më shumë me historinë si dhe me të arriturat e problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët që jetojnë në vende të tjera.
Për realizimin e këtyre dy aktiviteteve u përcaktuan dhe u ndanë detyrat. U caktuan edhe koordinatorët të cilët do të kujdesen që këto detyra të kryhen dhe projektet të realizohen sa më mirë.
Tryeza u mbyll me konkludimin se ky ishte një fillim i mirë. Po fillon një mendësi e re. Po kuptohej nga të gjithë se bashkëpunimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Vetëm të bashkuar mund të bëjmë shumë.
Organizatat pjesëmarrëse në tryezë
Shoqata Çamëria, Tiranë
Organizatë e cila mbron të drejtat themelore të njeriut dhe në veçanti të kombit shqiptarë dhe komunitetit çam. Objektivat kryesore të saj janë:
* - Njohja ndërkombëtare e gjenocidit të shtetit grek dhe spastrimit etnik ndaj komunitetit çam.
* - Rikthimi i komunitetit çam në trojet e veta.
* - Njohja e të drejtës së pronësisë të çamëve të dëbuar.
* - Hapja e shkollave shqipe dhe përdorimi i gjuhës shqipe në shtetit grek.
* - Njohja e pakicës shqiptare nga shteti grek.
“Në Dobi të Gruas Shqiptare”, Tiranë
Ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 1993. Objektivi kryesor i saj është të japë shërbime dhe mbështetje sociale për gratë dhe fëmijët, duke pasur si prioritet progresin e tyre.
OJQ “ORA”, Ulqin
Është themeluar në vitin 2005. Qëllimet e organizatës janë: ruajtja e trashëgimisë kulturore-historike shqiptare, zhvillimi socio-ekonomik i komunitetit, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i vlerave kulturore dhe shpirtërore, zhvillimi i turizmit, përmirësimi i kushteve dhe cilësisë së arsimit, veprimtaria botuese etj.
Rrjeti i Studentëve Shqiptarë Jashtë Vendit ( ASAN )
Qëllimi kryesor i organizatës është organizimi i studentëve shqiptarë nga Shqipëria për Shqipërinë. Qëllimi është që të shfrytëzohet truri ynë që është jashtë vendit. Objektivi i tyre është promovimi i shqiptarëve në botë.
INPO – Iniciativa për Progres, Ferizaj
Është themeluar në vitin 2005.. Qëllimi i organizatës është fuqizimi i ndikimit të publikut në vendimmarrje si dhe rritja e kërkesës për llogaridhënie ndaj zyrtarëve të zgjedhur. Aktivitetet e organizatës kanë prekur kryesisht këto çështje: konflikte interesi, qasje në dokumente zyrtare, kontratat publike, shërbimet e dobëta publike dhe burokracia si dhe situatat e brishta politike.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Preshevë
Është themeluar në vitin 1995, si degë e KMLDNJ–së në Prishtinë. Si organizatë e pavarur është që nga viti 2000. Ka për qëllim promovimin, mbrojtjen dhe edukimin në sferën e të drejtave të njeriut, duke ofruar njëkohësisht ndihmë ligjore falas për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Klubi Kombëtar, Tiranë
Është formuar në vitin 2007, si një nismë për të përmirësuar nivelin e ulët të ndërgjegjësimit për çështjet kombëtare të qytetarëve. Me anë të veprimtarive të tij ai synon rritjen e vetëdijes kombëtare të qytetarëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me shqiptarët kudo që ndodhen, në trojet etnike dhe në diasporë, rreth idealeve dhe interesave kombëtare shqiptare.
Lëvizja Mjaft!, Tiranë
Është themeluar para 5 viteve si rezultat i një fushate katër mujore ndërgjegjësimi ndaj çështjeve kyçe që e pengojnë zhvillimin social, politik dhe ekonomik të vendit. Visioni kryesor i Lëvizjes Mjaft! është krijimi i një Shqipërie të mirëqeverisur, me qytetarë aktivë, komunitete të forta dhe një imazh pozitiv në botë.
Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, Shkup
Është themeluar para dy viteve në Shkup, nga një grup shqiptarësh entuziastë. Zgjohu! lindi si nevojë për të ndërtuar një demokraci të mirfilltë në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, të avancojë vetëdijen kolektive kombëtare për rëndësinë e arsimit, kulturës, shkencës etj. Zgjohu! ka për qëllim themelimin e një mase kritike si zë paralel në një shoqëri jashtëzakonisht të partizuar.
Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës
Është krijuar si rezultat i mospajtimit të ndërtimit të veprave me bazë nafte në gjirin e Vlorës. Organizuan një varg protestash e aksionesh kundër shkatërrimit të mjedisit dhe bukurive natyrore të Vlorës.
Qëndra për Bashkëpunim Ballkanik LOJA, Tetovë
Është themeluar në vitin 2000. Qëllimet e organizatës janë zhvillimi kulturor dhe edukimi i qytetarëve në Maqedoni, veçanërisht rinisë dhe fëmijëve, përkrahja dhe stimulimi i metodave të reja dhe bashkëkohore në kryerjen e aktiviteteve edukative dhe zbavitëse.
Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, Prishtinë
U themelua në shtator të vitit 2005. Misioni i saj është ndërtimi i integritetit publik nëpërmjet luftimit të korrupsionit politik, krimit të organizuar dhe ekspozimit të lidhjeve mes krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim
Është themeluar nga njerëz nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Organizata përpiqet që të bëjë bashkimin kulturor të shqiptarëve para bashkimit territorial, dhe njëkohësisht krijimin e lidhjeve të bashkëpunimit për të kontribuar në nxitjen dhe ngritjen e vetëdijes përtej kufijve politikë.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Prishtinë
Është formuar në vitin 2000. Ky rrjet përfaqësohet nga më shumë se 80 organizata të grave të të gjitha grupeve etnike në Kosovë, i cili avokon për të drejtat e grave në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. Misioni i saj është përkrahja, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave në tërë Kosovën.
Rrjeti Rinor i Kosovës, Prishtinë
Është themeluar në vitin 2001. Arsyeja e themelimit të rrjetit ishte forcimi i rolit rinor në vendimmarrjet shoqërore dhe politike. Ne jemi vendi me më së shumti rini në Evropë, por njëkohësisht vendi me më së paku rini në vendimmarrje. Moto e organizatës është “Të rinjtë e sotëm të jenë liderë të ardhshëm”.
Unë, Gruaja, Pogradec
Është themeluar në vitin 2003 në Pogradec. Kryesisht punon për barazinë gjinore dhe fuqizimin e integrimit të gruas në shoqërinë shqiptare. Fushat kryesore të punës janë: konsulenca, trajnimi, informimi i publikut, përhapja e informacionit, monitorimi i vendimmarrjes, lobim dhe avokim në çështjet gjinore.