Do, 04. Apr 2013, 17:25
Fryn moj erë (Poezi nga Fan Noli)
-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë ?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim ?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Nga ata male, moj erë trime,
ç'lajme të reja po na ke siell ?
Pse je e vrerët dhe e helmuar ?
qiellë me zi përse na e mbiell ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t'zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Syri m'u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Atje tek losnja në fush' të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj'çup' të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m'u sos.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par'a çupën,
për kë të bënte më par'vajtim ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Moj er'e rreptë, erë malsore,
shpirti m'u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m'u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Qëndro të lutem, të kam për t'dhënë
dhe un'i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott'e mi.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t'qëndrosh,
dhe lott'e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t'i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er'e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr'e saj.
Anës Lumenjve (Poezi nga Fan Noli)
Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam' e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç'e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall', as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç'u mpaka,
Se ç'u çora, se ç'u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes' e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Jepni për Nënën (Poezi nga Fan Noli)
Ç'thot' ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!"
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.
Qan e lutet Nën' e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç'e pat me Skënderbenë,
Bijt' e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s'i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Cilët jan' ata tiranë
Që të pren' e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t'u nxi, t'u mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn' e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan', o Shkab' e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok' i mbytni,
Mbushni gjyle që t'i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s'ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S'kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n'Amerikë.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon' e vyer,
Që me drit' e nder të thuresh
Dhe me bijt' e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s'i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin' e vëndit t'onë,
Sot, se nesër është vonë
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri