So, 06. Mär 2011, 5:33
Shqiptarë vetë i ndërtojnë rrugët
Komunat shqiptare vazhdojnë t’i ndërtojnë rrugët e tyre me vetëfinancim, ndërsa në komunat maqedonase rrugët i ndërton shteti. Fenomeni i vetë-kontributit të qytetarëve për ndërtimin e rrugëve është i pranishëm gati në të gjitha komunat shqiptare si në Dibër, Tetovë, Gostivar, Saraj etj dhe në asnjë komunë maqedonase.
Vetëm në Komunën e Gostivarit gjatë vitit 2011 janë investuar rreth 75 mijë euro nga vetë-kontributi i qytetarëve. Mjetet përgjithësisht janë investuar në infrastrukturën rrugore, ndërsa nga burimet qeveritare në këtë komunë janë investuar 50 të mijë euro. Eksperti i çështjeve ekonomike Abdylmenaf Bexheti thotë se kjo ndodh për shkak të padrejtësisë në ndarjen e buxhetit, si dhe për shkak të mos shfrytëzimit të huave nga ana e komunave. "Është detyrim i drejtpërdrejtë që gjenerohen të ardhura edhe nga buxheti, por gjenerohen të ardhura dhe detyrime edhe nga pagesat e regjistrimit të automjeteve. Kështu që në të dyja variantet shfrytëzuesit e këtyre projekteve duhet të mos jenë të ekspozuar në një variant të tretë siç janë shqiptarët, me vetë-kontribut, sepse në dy mënyra ata bëjnë pagesë, edhe përmes tatimeve, por edhe gjatë regjistrimit të automjeteve ata paguajnë taksë për shfrytëzim edhe të rrugëve lokale", thotë Bexheti. Sipas tij faj ka edhe pushteti qendror, edhe pushteti lokal. "Janë kryetarët e komunave ata që duhet ta parandalojnë këtë formë të plaçkitjes së qytetarëve", thotë Bexheti, duke shtuar se një nga alternativat që kryetarët mund të shfrytëzojnë është edhe huamarrja. Bexheti thotë se ndërtimi i rrugëve është detyrim i sektorit publik. Ndërsa profesori universitar Petrit Pollozhani vlerëson se ky fenomen është një vazhdimësi e diskriminimit ekonomik. "Tradita e ko-financimit, ose bashkëfinancimit është një vazhdimësi e diskriminimit ekonomik. Vendet shqiptare gjithë infrastrukturën në pjesën më të madhe e kanë ndërtuar me të ardhurat e veta, ndërsa në pjesën ku jetojnë shumica maqedonase ato financohen nga buxheti i shtetit", thotë Petrit Pollozhani.
Sipas Ligjit komunave u lejohet huazimi në një shumë sa komplet një buxhet administrativ i komunës. Si garanci në këtë huazim është ministria e financave. Asnjë Komunë shqiptare deri më tani nuk ka marrë hua, ndërsa Komuna e Strumicës me huazim po e ndërton Gazsjellësin, ku dhe do ta ketë 45 për qind më lirë gazin. (lajm)/04 Mar 2011/V.I.