Mi, 21. Mai 2008, 15:05
noch nebenbei...
Për një shqiptarë punësohen dhjetë maqedonas
Për të marrë rrogë një shqiptarë nga buxheti i shtetit duhet që në të njëjtën kohë të marrin rrogë edhe 10-të maqedonas. Punësimi i një shqiptari ka kosto të dhjetëfishtë. Në fillim të muajit maj partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LDSM) dolën me shifra të personave të punësuar nga këto parti, ku sipas të dhënave të të dy partive në një afat të shkurtër kohor ishin punësuar mbi një mijë simpatizantë të këtyre partive. Me një listë për 700 të punësuar doli në fillim të majit LSDM, ku, sipas saj vetëm në datën dy maj ishin punësuar 324 simpatizantë të VMRO-DPMNE-së. Që nga shpërbërja e parlamentit deri më pesë maj, sipas SDSM-së janë punësuar 91 persona në Manastir, 36 në Veles, 3 në Tetovë, 42 në Kriva Pallanka, 29 në Resnjë, 30 në Demir Kapi, 31 në Entin Shtetëror të Statistikave, 53 në Klinikën për Gjinekologji, 300 në ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë”, 21 në MPB, tre në Klinikën për Kardiologji etj. etj. Këto shifra të punësimeve të maqedonasve nuk i demantoi as Qeveria dhe as VMRO-DPMNE-ja, por vetëm se kjo e fundit doli më një listë tjetër të të punësuarve të LDSM-së, të cilët poashtu janë maqedonas. Zëdhënësi i kësaj partie Aleksandër Biçikliski tha se LDSM ka punësuar 180 persona në Koçan dhe shumë persona të tjerë në Gjevgjeli e Strumicë. Në kohën kur flitet me të madhe se po punësohen shqiptarë, në të vërtetë në heshtje dhe pa zhurmë punësohen 10-të fish më shumë maqedonas. Në këtë mënyrë i jepet edhe një goditje e rëndë parimit për përfaqësim adekuat të shqiptarëve, si kusht që buroin nga Marrëveshja e Ohrit. Sipas ekspertëve kjo dukuri është e njohur me kohë. “Ky fenomen është 4-5 vjeçar, ku krahas punësimeve të dinamizuara të shqiptarëve në administratë, gjithmonë kemi edhe një dinamikë të punësimit të jo shqiptarëve dhe prandaj ngecja është shumë e madhe në procesuimin relativ”, sqaron për “Lajm”, profesor Abdulmenaf Bexheti. Ai sjell shembullin e administratës publike, e cila 6-7 vitet e fundit ka arritur në mbi 130 mijë, dhe megjithatë ka ngecje relative të shqiptarëve të punësuar. “Shifrat e të punësuarve rriten shumë posaçërisht në fazën e periudhës elektorale, e pavarësisht se zhurma bëhet për shqiptarët, por të jeni të sigurt se punësimet janë më të dinamizuara te të tjerët, sepse listën e punësimeve duhet ta miratojë një ministër që është jo shqiptar, të mos thënë se është antishqiptar”, sqaron Bexheti. Ministri i financës duhet ta miratojë listën dhe ai e përcakton fatin, dhe për këtë dikush duhet ta lusë atë me muaj të tërë. “Merrni këtë ministri si organ qendrorë, si shtyllë kryesore e një shteti që miraton çdo punësim në administratë dhe do të shihni se aty kemi departamente dhe sektorë që janë të pastër etnik, s’kanë asnjë shqiptar. Në nivel të tanë Ministrisë së Financave nuk ka më shumë se 3-4 për qind shqiptar. Atëherë, si mundet në një organ që ka përqindje kaq të ulët të shqiptarëve të realizojë me punësime të larta të shqiptarëve në nivel të shtetit”, thotë Bexheti. Në një analizë të bërë, profesor Bexheti ka konstatuar se maqedonasit të cilët përbëjnë 64 për qind të popullsisë, në administratën publike përbëjnë 78 për qind të të punësuarve. Në përpjesëtim të njëjtë janë edhe serbët. Më të diskriminuarit janë romët dhe menjëherë pas tyre vijnë shqiptarët. “Ky është realiteti”, thotë Bexheti, duke shtuar se edhe këto punësimet që bëhen tani te shqiptarët janë vetëm me kontrata disa mujore, e më pas gjithçka kthehet si më parë.