Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun
SHEJH ABDULKADËR ARNAUTI KOLOS I KULTURËS DHE DIJES ISLAME
Ummeti Islam u nda edhe nga një njeri shumë i shquar dhe i dalluar. Iku nga gjiri i Ummetit, në mëshirën dhe Xhennetin e All-llahut të Madhërishëm, Insha’All-llah.
Bota islame në përgjithësi u nda edhe nga një dijetar i madh i kësaj feje të lartë, kurse botës shqiptare i mbetet të krenohet edhe për këtë margaritar të çmueshëm që i fali historisë.
Më 26 nëntor të këtij viti, në mëngjesin e asaj dite të bekuar dhe të lavdëruar të xhumasë, ndërroi jetë dijetari i nderuar dhe shumë i respektuar nga muslimanët anembanë botës, shejh Abdulkader Arnauti. U varros të njëjtën ditë pas namazit te xhumasë.
All-llahu e mëshiroftë, ia zgjëroftë varrin, e bëftë dijen e tij që la pas vetes sadaka të pandërprerë për të në jetën e varrit, ia ndriçoftë varrin dhe ia lehtësoftë llogarinë në të. Amin.
All-llahu nuk e largon dijen nga njerëzimi duke e marrë atë prej njerëzve, por e largon atë duke marrë prej mesit të tyre dijetarët. Me largimin e shejh Abdulkadër Arnautit nga mesi ynë u këput edhe një lule nga kopshti i dijes islame.
Muhadithi i shquar Abdulkadër Arnauti, ky dijetar i njohur shqiptar me emrin Kadri Sokoli, u lind në fshatin Vrellë në afërsi të Istogut (Kosovë) në vitin e largët 1927. Familja e tij para shumë dekadave u shpërngul në Damask, Shamin e atëhershëm. Atë kohë Kadriu, më vonë i njohur në botën islame me emrin Abdulkadër Arnauti, ishte fëmijë i vogël vetëm trevjeçar.
Ky djalë i trojeve shqiptare, i prirë nga i ati dhe anëtarët tjerë të familjes, duke ndarë fatin edhe me shumë familje tjera shqiptare, u bë objekt i shpërnguljeve të imponuara nga politika antishqiptare serbe, duke marrë kështu udhët e mërgimit dhe duke u stabilizuar në Siri.
Në Damask shejh Abdulkadër Arnauti vijon shkollën fillore. Në këtë shkollë, e njohur me emrin “Medresetu Is’af El Hajri”, mësimet e para i merr para mësuesit të tij Subhi El Attar tek i cili mësoi Kur’an, texhvid dhe mësimet e para të fik’hut. Pas mbarimit të shkollës fillore fillon punën si orëndreqës në dyqanin e një profesori të Az-harit, Shejh Se’id El Ahmer, në afërsi të xhamisë Emevijje. Pronari i dyqanit pas pak kohe vërejti aftësitë e Abdul Kadrit, andaj e mori atë dhe e çoi të mëson në Xhaminë Emevite në hallkat e Shejh Salih Farfurit, gjegjësisht te nxënësi i tij Abdur Rezzak El Halebij.
Abdylkadër Arnauti vazhdoi veprimtarinë intensive fetare duke u bërë një nga dijetarët më të njohur të fushës së hadithit për Sirinë. Ai ligjëronte në disa medrese e institucione tjera të larta islame, duke filluar nga shkolla e mesme teologjike “Isaf Tullab El Ulum El Islamie” në Damask të Sirisë. Ligjëronte lëndën e hadithit edhe në medrese tjera, duke kryer njëkohësisht edhe rolin e ligjëruesit në xhaminë “Mesxhidul Muhammedijje”.
Veprimtaria e tij pedagogjike e studimore harmonizohet, duke rritur ngarkesën sa në një fushë e sa në një tjetër, sa si ligjërues në medrese e sa në xhami, sa si lektor, sa si redaktor e korrektor i shtëpisë botuesë në Damask, në mbi 90 komplete veprash, si:
1. Zadul mesit - 9 vëllime.
2. Rreudatul taibin - 12 vëllime.
3. Zadul mead - 6 vëllime.
4. El Kafi - 3 vëllime.
5. El Furkan bejne evlijaur - rahman ve evlijahush-shejtan.
6. El Furkan bejnel hakki vei batil.
Si dhe shumë vepra tjera.
Ky personalitet i shquar me ndjenja të pastërta atdhetare, megjithëse në kushte të vështira shëndetësore (paralizë e pjesërishme), mbante kontakte të vazhdueshme me studentët shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, duke mos kursyer asgjë për t’ju ndihmuar duke u dhënë atyre mësime individuale apo në grupe. Në porositë dhe këshillat që jepte shejh Abdulkadër Arnauti, gjithmonë theks të veçantë i jepte lidhjes së pashmangshme që duhet pasur një besimtarë musliman mes fjalëve dhe veprave, gjegjësisht të ketë një harmoni të padiskutueshme ndërmjet tyre, deri në një shkrirje natyrore, sepse fjalët pa vepra janë gjë e kotë dhe e pavlerë.
Edhe pse qysh si fëmijë ishte larguar nga vendlindja dhe trojet shqiptare, ai asnjëherë nuk harroi trungun e vet dhe lidhjen e gjakut, duke shprehur gjithmonë interesimin e tij për vëllezërit e tij të gjuhës dhe besimit, si dhe duke porositur pareshtur shqiptarët që ta ruajnë moralin dhe nderin e tyre, idealin atdhetar e fetar.
Në këto ditë të ndarjes nga vëllau ynë i nderuar dhe dijetari i dalluar, shejh Abdulkadër Arnauti, i drejtohemi me lutje Zotit të qiejve e të Tokës, Krijuesit të vetëm të jetës dhe vdekjes:
“O All-llah, Ti je Mëshirues, Mëshira Jote ia kalon Hidhërimit Tënd! Mëshiroje shpirtin e këtij robi Tënd besnik dhe bëje atë shoqërues të Pejgamberëve dhe njërëzve të mirë në Xhennetin Tënd. Amin”.