Do, 10. Jan 2008, 13:51
Vazhim i poemës "Bagëti e Bujqësia" e poetit Naim Frashëri
Dashi syskë e me këmborë, qe ke manar, po të vjen pas,
dhe qeni me besë, i larmë, të ndjek me dëshirë e me gaz.
O sa bukurri ka tufa! Sa gaz bie bagëtia!
Vijnë posi bletë e plotë, i bekoftë perëndia!
Nëpër sheshe e bregore janë përhapur shqerrat,
e kecërit nëpër rripat, dhe në gjethet e ferrat;
sa me vrap e gaz bredhin, edhe lozin shok me shok,
aty përhapen me nxit, aty mblidhen prapë tok,
edhe prapë tufë-tufë përhapen duke bredhur,
duke ikur me vrap shumë, duke hedhur,
nxitojnë e s'lodhen kurrë edhe kur i merr uria,
secili futet në tufë, sulet te mëmë e tija;
posa gjen mëmën e dashur dhe me vrap i hyn në gji,
rri më gjunjë dhe zë sisë e qumështin e ëmbël pi;
pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë e ndo dele,
bir e vetëm e merr në gji me gaz e me përkëdhele.
Sa më pëlqen blegërima, zëri i ëmbël i bagëtisë,
qengji dhe keci i bukur, që rri më gjunjë e pi sisë!
Përhapur bagëtia nëpër shesh, nëpër brinja,
në lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja,
bien zilet e këmborët dhe fyelli e xhuraja,
dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja.
Edhe gjithë gjë e gjallë ndien në zemër një dëshirë;
një gaz t'ëmbël e të shumë, o sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëzi i bukur, lopës i vete viçi pas,
dallëndyshja punëtore bën folenë me të madh gaz,
ogiçi ikën përpara, i bie tufë në ballë,
me zemër të çelur shumë, vete si trimi me pallë...
O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
tmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundur përpjetë jini, pa, kur oshëtini,
udhëtarit në zemër frikë të madhe vini,
kini shkëmbinj, gërxhe, lisa, lumenj dhe dëborënë në gji,
përsipër lulez e gjthe dhe brenda argjend e flori.
Zemrën e varfër time aty ndër ju e kam mbuluar,
tek buron nga gjithi juaj ujë i ftohtë e i kulluar;
jam larg jush i dëshiruar dhe s'e duroj dot mallë
po se di si dua unë do t'ju shohë një herë vallë?!
Të paskësha vrapn e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
nxitimin e lumit me valë, që ikën me vërtik si plumbi,
e të vija në gji tuaj, një ujë të ftohtë të pija,
edhe nëpër ato hije një copë herë të rrija...
O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
as e merr dhe zemrën time me vete dhe ma shpjerë
në malet e Shqipërisë, tek kullosi bagëtia,
tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mend, e mia.
Dallëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
dhe të kënda vahun e lumin, që vjen me vrap e me valë.
A mos vjen nga Shqipëria? Apo vjen prej Çamërie,
me këto mijëra fjalë e me gjuhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pa më dukesh kaq trime?
Edhe fjalët që thua ma gëzojnë zemrën time,
q'është thyer, bër mijë copë, posi një pasqyrë
duke këputur nga cmagu, që s'e kanë varur mirë,
apo vjen nga fushë e Korçës, nga vendi i mirë e i gjerë,
prej zemrës së Shqipërisë, që del gjithë botë e ndjerë?
A më vjen prej Malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,
nga Vjosa, nga Devolli, prej Vlore e prej Myzeqeje?
Të mundja të fluturoja e të kisha krahë si ti,
me gaz të madh do t'i vija Shqipërisë brenda në gji!
... Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
vëllezërit shqiptarë, që venë në punë e vijnë,
burrat trima e me besë dhe shpirtmirë e punëtorë,
dhe fushat gjithë lule e malet me dëborë...
Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
sheh shtëpizën me kamje, edhe zemra i bëhet;
gratë të gjitha punojnë n'avlëmend e në të tjera,
edhe jashtë fryn e bie, po, kur na trokëllin dera,
është një udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
i kanë ngrirë të mjerit veshë e qafë e këmbë e dorë;
ngrihet i zoti i shtëpisë edhe të huajin e merr,
e vë në krye të vatrës me njerëzit, me të madh nder,
pa i bëjnë zjarr e ngrohet edhe e mbajnë me të mirë,
i sjellin shtresë të flerë, edhe të ngrënë e të pirë.
Kështu të huajt e miqtë njeriu që është i uruar,
i pret me kraharor hapur e i përcjell të gëzuar.
Poema "Bagëti e Bujqësia",
një nga krijimet më të bukura dhe më popullore të poetit tonë të madh, Naim Frashëri, u botua në shtypshkronjën e shoqërisë "Drita" të Bukureshtit (Rumani) më 1886...
Lexim të këndshëm!
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri