Nëse punët shkojnë mbarë, ashtu si edhe është planifikuar, atëherë në prillin e vitit që vjen do të kemi një film për luftën në Kosovë. Filmi quhet "Kësulat" dhe flet për dy familje kosovare gjatë kohës së luftës së vitit 1999. Katër muaj më parë, skenaristi, njëkohësisht dhe producenti, Jimi Tihovski, bashkë me regjisorin e filmit, Alan Trow, mbajtën një audicion për këtë film. Aktorët që kaluan fazën e përzgjedhjes për rolet kryesore janë Bislim Muçaj, Alban Ukaj, Blerta Syla, Aurita Agushi, etj. Por nuk duhet habitur nëse pranë këtyre aktorëve do të paraqitet edhe aktorja e njohur, Juliette Binoche. Ajo mund të jetë pjesë e kastit të aktorëve. "Për sa i përket ndryshimeve, ndoshta nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga baza e tregimit.
Ndryshimi qëndron në zhvillimin e tregimit, përderisa baza mbi të cilën ngrihet historia mbetet e njëjtë", - thekson skenaristi Jimi Tihovski për gazetën "Express", i cili këto ditë ndodhet në Prishtinë. Ngjarja fillon me një rrëfim që e vendos një gazetare të huaj në kohën e tashme, ndonëse gjithçka vjen duke u kthyer retrospektivisht në kohën e luftës në Kosovë. "Tregimi ka të bëjë me konfliktin njerëzor, edhe pse ndërlidhet edhe me luftën. Janë dy familje, njëra shqiptare dhe tjetra serbe. Njëra është e Alban Bregut, doktorit shqiptar, kurse tjetra e Dragan Milutinovic, një mësuesi serb", - tregon Jimi. Në këtë mes hyn edhe karakteri i Besnikut, i cili vetveten e quan komandant të UÇK-së së atij fshati, dhe problemet që ai u sjell këtyre dy familjeve. Nga ana tjetër, regjisori Alan Trow tregon se gjatë këtyre muajve punuan mjaft në skenar, ndërkohë që gjatë kësaj jave do të marrin edhe pamjet nga vendet e xhirimeve. "Kemi dalë sot dhe kemi parë shumë vende të bukura, prandaj edhe nuk kam shumë telashe për këtë. Për të qenë i sinqertë, do të doja që të fillojmë xhirimet menjëherë. Do të filloj me disa xhirime këtë javë", - shprehet regjisori Troë. Xhirimet e para për filmin do të fillojnë më 24 mars të këtij viti, ndërsa do të zgjasin për një periudhë prej 6 javësh. "Dua të shfrytëzoj sa më shumë kohë për prova. Mendoj se kjo është esenciale, në mënyrë që të fitojmë sa më shumë kohë. Tani po ndjehem më i sigurt.
Ndoshta ngaqë muajt e fundit kam folur me shumë njerëz dhe duket se të gjithë janë të nxehtë për këtë gjë", - theksoi Trow. Nëse e pyesni nëse do të prezantohet filmi në ndonjë festival, ai pohon se është më se i sigurt në këtë. Sipas tij, është vetë historia që e bën të mundur këtë, sepse ajo mund të lidhet edhe me shumë situata të ngjashme, duke filluar nga Iraku, e deri te Libani dhe Irlanda. "Po sigurisht, besoj se do të shkojë në festivalin "Camera Image", në Poloni. Do ta ketë premierën në Kosovë, por dëshiroj që të jetë prezent edhe aty, sepse ka një audiencë multi-kulturore", - përgjigjet Trow. Kësaj radhe në Prishtinë erdhi edhe producenti Gary Horton, sipas të cilit ngjarja e filmit vërtet zgjon interesim. "Janë dy apo tre njerëz që e kanë lexuar skriptin dhe sinopsisin. E kanë lexuar skriptin që flet për një ngjarje të vërtetë dhe menjëherë kanë thënë se filmi mund të jetë fitimprurës por edhe fitues i ndonjë shpërblimi", - shpjegoi Gordon. Sipas tij, filmi "Kësulat" mund të kushtojë rreth një milion euro e ndoshta edhe më shumë. "Derisa po qëndrojmë këtu kemi një shprehje interesimi nga aktorja Juliette Binoche.
Kosova nën zbulimin kinematografik kohë Kosova do të mbetet nën syrin vëzhgues të kinemasë botërore. Lufta e vitit 1999 me të gjitha tragjeditë që mbarti, shihet nga ta si një subjekt interesant për t'u përcjellë në ekranin e madh. Madje edhe festivalet e rëndësishme të kinematografisë kanë treguar se filmat e ndërtuar mbi histori të vendeve mbi konflikte të nxehta, vazhdojnë të tërheqin interesin e një publiku të gjerë. Në përpjekjen për të "zbuluar" dhimbjen e panjohur njerëzore, vjen edhe filmi "Kësulat", i regjisorit Alan Trow. "Kësulat" është një film që pritet të mbarojë për rreth një vit, ndërsa vijnë edhe lajme projektesh më të largëta. Vetëm disa javë më parë, sërish nga Prishtina vinte lajmi për një tjetër prodhim të madh kinematografik. Sërish historia e luftës së Kosovës. Ende në hapat e para të projektit, sipas producentit të filmit Armond Morina, regjia i është besuar Gjergj Xhuvanit me skenar të Cheryl Johnson dhe producente ekzekutive Izidore Codron. Sipas tij, në filmin e titulluar "Mysafirë në sofër", ku flitet për atmosferën e trishtë të bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe në Kosovë gjatë vitit '99, pritet të angazhohen dhjetëra aktorë kosovarë e ndërkombëtarë